Dënim me burg të përjetshëm për Fadil Zejnelovin për vrasjen e Emilia Peshevës
- Gjykata Themelore në Shtip sot i ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm Fadil Zejnelovit për vrasjen e 29 vjeçares Emilia Pesheva.

Shtip, 12 shkurt 2025 (MIA) - Gjykata Themelore në Shtip sot i ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm Fadil Zejnelovit për vrasjen e 29 vjeçares Emilia Pesheva.
Në seancën e kaluar dy ditë më parë, tashmë i dënuari Zejnelov e pranoi fajin për vrasjen e partneres së tij Pesheva. Siç ka thënë ai, motivi për kryerjen e vrasjes më 1 nëntor të vitit të kaluar ka qenë pabesia.
Prokurori dhe avokatët e familjes Peshevi kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për autorin, pasi siç thanë ata, "vrasjen e ka kryer në një rast të dhunës në familje, gjegjësisht femicid".
Sipas hetimit të Prokurorisë Themelore Publike, për vrasjen e Peshevës janë siguruar dëshmi sipas të cilave më 1 nëntor të vitit 2024, pas dhunës familjare, me paramendim e ka privuar nga jeta partneren e tij jashtëmartesore.
Pasi bënë marrëveshje dhe u takuan para shtëpisë së saj, ata shkuan së bashku në një objekt të braktisur të Ndërmarrjes Publike "Isar" për të diskutuar problemet në lidhjen e tyre të gjatë. Biseda ka kaluar në zënkë, pas së cilës i pandehuri e ka sulmuar fizikisht viktimën dhe ka filluar ta godasë me grushte. Kur ajo ka rënë në tokë, ai ka filluar ta shtrëngojë fortë rreth qafës, duke i shkaktuar ndalimin e frymëmarrjes dhe ndërprerje të qarkullimit të gjakut në tru, me pasojë vdekjen e gruas. Kur është bindur se nuk po jepte shenja jete, ai e ka lënë në vend dhe vetë është paraqitur në Stacionin policor - Shtip.
MIA atëherë ka informuar edhe për qëndrimin e organizatave joqeveritare të cilat punojnë për të drejtat e grave dhe me viktimat e dhunës familjare, janë të pajtimit që kjo vrasje është femicide.
Viktima paraprakisht kishte denoncuar dhunë, por procedura ndaj Zejnelovit i cili e kreu vrasjen, ishte ndërprerë më 2 shtator të vitit 2024, gjë që atëherë është konfirmuar nga Qendra për Çështje Sociale në Shtip. Beti Peeva nga OJQ “EHO” nga Shtipi për MIA-n deklaroi se një kohë të gjatë janë duke kërkuar ndryshime ligjore në mënyrë që ndjekja penale kundër dhunuesit të bëhet sipas detyrës zyrtare. qa/