Drejtori i QMK-së Ali takon Genc Metajn: Bashkëpunimi i strukturuar dhe i vazhdueshëm rrit efikasitetin e ndërhyrjeve
- Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali ka takuar sot në Prishtinë kolegun e tij, drejtorin e Agjencisë për Menaxhim Emergjent dhe Mbrojtje Civile– AMEK të Kosovës, Genc Metaj.
Shkup, 19 nëntor 2025 (MIA)- Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali ka takuar sot në Prishtinë kolegun e tij, drejtorin e Agjencisë për Menaxhim Emergjent dhe Mbrojtje Civile– AMEK të Kosovës, Genc Metaj.
Takimi, siç theksohet është përqendruar në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes civile.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të ushtrimeve të përbashkëta për ndërhyrje dhe menaxhim të krizave, me qëllim përmirësimin e gatishmërisë operative dhe shpejtësisë së reagimit ndaj fatkeqësive të mundshme. Gjatë takimit u diskutua edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes qendrave trajnuese për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të ekipeve”, citohet të jetë thënë në takim.
Është diskutuar poashtu mbi aplikimet e përbashkëta në thirrjet e Bashkimit Evropian, me qëllim mbështetjen e projekteve për përmirësimin e menaxhimit të krizave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
“Për më tepër u theksua rëndësia e koordinimit në fushën e e-112, si dhe zhvillimi dhe integrimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm (Early Ëarning Systems), për një reagim më të shpejtë dhe më efikas ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente”, shkruan drejtori Ali në postimin në rrjete sociale.
Që të dy madje theksuan se bashkëpunimi i strukturuar dhe i vazhdueshëm rrit efikasitetin e ndërhyrjeve, forcon besimin profesional dhe krijon bazën për mbështetje afatgjatë ndaj qytetarëve.
“Ky takim paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkufitar, integrimit të sistemeve të menaxhimit të emergjencave dhe zhvillimit të kapaciteteve rajonale me qëllim sigurimin e një sigurie më të madhe për qytetarët”, ka thënë drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.