• сабота, 21 февруари 2026

Dita e dytë e negociatave Rusi-Ukrainë në Abu Dabi

Dita e dytë e negociatave Rusi-Ukrainë në Abu Dabi

Abu Dabi, 5 shkurt 2026 (MIA) – Kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov njoftoi në platformën Telegram se ka filluar dita e dytë e negociatave në Abu Dabi për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare. Ukraina dhe Rusia, me ndërmjetësim të SHBA-së, dje në Emiratet e Bashkuara Arabe filluan një raund të ri të negociatave. 

"Po punojmë në të njëjtat formate si dje: konsultime trepalëshe, punë në grup dhe harmonizim i mëtejshëm i qëndrimeve", theksoi Umerov.

I dërguari special i Kremlinit, Kirill Dmitriev, mbrëmë deklaroi se është arritur përparim në negociatat për një marrëveshje paqësore për Ukrainën.

Administrata e Trampit po ushtron presion mbi Kievin dhe Moskën që t’i japin fund luftës katërvjeçare, por disa raunde negociatash ende nuk kanë dhënë rezultate.

Rusia po kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga Donecku, ndërsa Ukraina këmbëngul në ngrirjen e konfliktit në vijën aktuale të frontit dhe refuzon tërheqje të njëanshme të ushtrisë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi mbrëmë në Telegram se pas takimit trepalësh në EBA, Kievi pret shkëmbim të të burgosurve në të ardhmen e afërt.

"Kemi një hap të rëndësishëm, presim shkëmbim të të burgosurve në të ardhmen e afërt. Të burgosurit tanë duhet të kthehen në shtëpi", tha Zelenski.

Ai theksoi gjithashtu se partnerët duhet të sigurohen që procesi të jetë real.

Partnerët tanë duhet të jenë të gatshëm të ofrojnë garanci reale sigurie dhe presion të vërtetë mbi agresorin, shtoi Zelenski. ls/ 

Foto: EPA

 

Остани поврзан