• сабота, 22 февруари 2025

Dita e dytë nga vizita e Murtezanit në Bruksel, mes tjerash takim edhe me Marta Kos

Dita e dytë nga vizita e Murtezanit në Bruksel, mes tjerash takim edhe me Marta Kos

Bruksel, 5 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot e vazhdon vizitën dyditore të punës në Bruksel, në kuadër të së cilës do të ketë takim me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos.

Sipas paralajmërimeve, në takimin Murtezani-Kos do të bisedohet për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e inkuadrimit ndaj BE-së, për Agjendën e reformave në kuadër të Planit të Komisionit Evropian për rritje të Ballkanit Perëndimor, si dhe për hapat e ardhshme në procesin e negociatave të vendit.

Krahas me Kos, Murtezani do të takohet edhe me kryetarin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), Oliver Ropke, me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi lindore (DG ENEST), Gert Jan Kopman, si dhe me anëtarë të Grupit punues për zgjerim dhe vende të cilat negociojnë për inkuadrim në BE.

Dje, në ditën e parë të vizitës së punës në Bruksel, Murtezani u takua me drejtorin ekzekutiv për Evropë në Shërbimin Evropian (EEAC), Mati Masikas, ku u bë fjalë për sfidat aktuale në rajon dhe më gjerë, përforcimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e agjendës evropiane nga ana e vendit. 

Murtezani theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut drejt reformave dhe stabilitetit në rajon, duke theksuar se vendi mbetet partner konstruktiv në procesin e aderimit, ndërsa Masikas konfirmoi mbështetjen e EEAC për Maqedoninë e Veriut dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në sferat kyçe të lidhura me integrimin evropian. 

Krahas me Masikas, Murtezani dje u takua edhe me bashkëkryetarin e Komitetit të Përzier Parlamentar Maqedonia e Veriut-BE, eurodeputetin kroat Karlo Resler, si dhe me raportuesit e PE-së në hije në vend, eurodeputetët Tajs Rojten dhe Matej Tonin, të cilët e konfirmuan përkrahjen e fuqishme për perspektivën evropiane të vendit dhe e theksuan rëndësinë e reformave dhe dinamikës së procesit aderues dhe nevojën për ndërtim të marrëdhënieve stabile me të gjitha anëtaret e BE-së. bsh/

Foto: MIA arkiv

Остани поврзан