• петок, 05 декември 2025

Dimitrieska-Koçoska: Rritje e PBB-së prej 3,8 për qind në tremujorin e tretë, ajo për të cilën kemi punuar shumë, po i jep rezultatet e veta

Dimitrieska-Koçoska: Rritje e PBB-së prej 3,8 për qind në tremujorin e tretë, ajo për të cilën kemi punuar shumë, po i jep rezultatet e veta

Shkup, 5 dhjetor 2025 (MIA) -Ajo për të cilën kemi punuar me shumë mund gjatë një viti e gjysmë të kaluar me qëllim kryesor ristrukturimin e ekonomisë, sot po i jep rezultatet e veta. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2025 ishte 3,8 për qind. Kjo përfaqëson një përshpejtim shtesë të aktivitetit ekonomik, pas rritjes prej 2,9 për qind në tremujorin e parë dhe 3,5 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Për më tepër, rritja prej 3,8 për qind është një nga më të lartat në vitet e fundit. Krahasuar me vendet e rajonit dhe BE-së, sipas të dhënave për tremujorin e tretë të vitit 2025, Maqedonia është në vendin e tretë për sa i përket rritjes së PBB-së, me ç'rast rritje më e lartë është regjistruar në Irlandë dhe Danimarkë, kumtoi në konferencën e sotme për shtyp ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Ajo informoi se nëse krahasojmë me vendet e rajonit, për tremujorin e tretë të vitit 2025, rritja në Serbi është 2,0 për qind, në Mal të Zi 3,1 për qind, në Kroaci 2,3 për qind, në Bullgari 3,1 për qind, në Rumani 1,2 për qind, etj. Në mënyrë kumulative, rritja në tre tremujorët e parë të këtij viti është 3,4 për qind.

"Nxitësi kryesor i rritjes në tremujorin e tretë ishin investimet bruto, të cilat u rritën me një shifër jashtëzakonisht të lartë prej 30,6 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së fortë të investimeve në mjete bazë. Kështu, nga pikëpamja e investimeve, ky tremujor është një nga më të suksesshmit që kur është matur aktiviteti ekonomik i vendit. Të dhënat mbi rritjen e investimeve janë treguesi më i mirë i besimit të lartë të investitorëve në ekonominë vendase. Përveç kësaj, të dhënat konfirmojnë se angazhimi i fortë i Qeverisë në periudhën e kaluar për investime në kapacitete të reja prodhuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive ka dhënë rezultate jashtëzakonisht pozitive, tha Ministrja e Financave në Qendrën për media në Qeveri. 

Sipas saj, rritja e lartë e investimeve në këtë periudhë vjen si një kombinim i disa trendeve pozitive në ekonomi. Njëherit, theksohet kontributi i aktivitetit investues të ndërmarrjeve vendase, duke marrë parasysh shfrytëzimin dhe interesin e lartë për linjën e favorshme të kredisë të ofruar nga Qeveria.

"Kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve kishte edhe angazhimi i fortë i Qeverisë ndaj investimeve kapitale dhe optimizimi i shpenzimeve të tyre, dinamikës dhe kushteve për ndërtim. Optimizimi i investimeve kapitale nënkuptonte edhe zbatimin e intensifikuar të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti, siç janë korridoret 8 dhe 10. Përveç kësaj, një nxitës i rëndësishëm i investimeve bruto ishte mbështetja e komunave për zbatimin e investimeve kapitale me qëllim zhvillimin më të balancuar rajonal dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në përmbledhje, një trend i tillë pozitiv në investime tregon korrektësinë e politikave të Qeverisë, madje edhe në një periudhë jashtëzakonisht sfiduese për ekonominë globale", tha Dimitrieska-Koçoska.

Përveç investimeve, të cilat janë nxitësi kryesor i rritjes në tremujorin e tretë, një kontribut pozitiv në rritje kishte edhe konsumi përfundimtar me një rritje prej 1,8 për qind.

Këto të dhëna, siç theksoi, janë një nxitje edhe më e madhe për të gjithë Qeverinë që të vazhdojë të punojë me një ritëm edhe më të shpejtë për të mundësuar ritme më të larta të rritjes ekonomike që çojnë në një standard më të lartë jetese për qytetarët. ls/

Foto: Printskrin nga video 

 

Остани поврзан