Delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Mickoski merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih
- Një delegacion i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, në përbërje të të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, ministrit i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, marrin pjesë në Konferencën e 61-të të Sigurisë në Mynih.

Shkup, 16 shkurt 2025 (MIA) - Një delegacion i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, në përbërje të të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, ministrit i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, marrin pjesë në Konferencën e 61-të të Sigurisë në Mynih.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje u takua me kryesuesin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kristof Hojzgen, në të cilën u bisedua për sfidat aktuale të sigurisë në Evropë dhe rajon dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Mickoski ka theksuar angazhimin për avancimin e partneritetit strategjik me aleatët e NATO-s dhe nevojën për përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe për rolin aktiv të vendit në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Ai nënvizoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është kyç për sigurinë evropiane dhe do të vazhdojë të punojë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në këtë fushë.
Në margjinat e konferencës dje, Mickoski realizoi takim dypalësh edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Dy kryeministrat diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian dhe sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Mickoski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i jep Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në proceset reformuese me qëllim të përshpejtimit të negociatave për anëtarësim.
Mickoski dje në Konferencën e Sigurisë në Mynih foli në panel diskutimin Gjeostrategjia dhe siguria energjetike në korniza. Ai foli për sfidat e reja me të cilat përballet NATO, planet e Maqedonisë në fushën e energjetikës, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme në Evropë.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Kryeministri Mickoski ka thënë se nuk është aspak i befasuar nga fjalimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe ndryshimet e caktuara në "erërat që po fryjnë".
"Kur flasim për NATO-n, mos harroni se vendi im ndryshoi emrin për t'u bërë anëtar i NATO-s. Kur flasim për anulime dhe standarde të dyfishta, nuk duhet ta harrojmë këtë. Përkushtimi ynë për NATO-n nuk mund të vihet në dyshim, me shumë vuajtje dhe poshtërim u bëmë anëtar i NATO-s, tha kryeministri Mickoski, duke shtuar se nuk është i befasuar nga zhvillimet dhe paralajmërimet e fundit të administratës amerikane.
Mickoski theksoi se kur flitet për standarde të dyfishta në politikë duhet të merret parasysh çështja e Maqedonisë, sepse për dy dekada statusi i kandidatit nuk mund të shndërrohet në anëtarësim për shkak të çështjeve artificiale që po hapen.
Kryeministri Mickoski të premten u takua me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, me të cilin biseduan për integrimet evropiane, për përpjekjet dhe koncesionet që janë bërë në këtë drejtim, si dhe për nevojën e hapjes së dyerve drejt BE-së. Siç njoftojnë nga Qeveria, Mickoski ka theksuar se vendi meriton të ecë përpara dhe përfundimisht të mos mbetet peng i mosmarrëveshjeve dhe pengesave bilaterale, të cilat në të kaluarën ka pasur shumë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, dje u takua me homologun e tij, ministrin bullgar të Punëve të Jashtme, Georg Georgiev.
Në takim u bisedua për një sërë temash, ndër të cilat dallimet bilaterale, bllokimi i rrugës evropiane të vendit nga Bullgaria, si dhe pozita e pakicës maqedonase në Bullgari.
Ministri Mucunski shprehu keqardhjen që në vend të zhvillimit të politikës së fqinjësisë së mirë, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ngarkuara me konteste bilaterale, të cilat janë bërë pengesë joparimore për procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë.
Më pas, ai theksoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen me përgjegjësi, përmes dialogut dhe me respekt e mirëkuptim të ndërsjellë, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore ndër të tjera nënkuptojnë edhe mbështetjen për integrimet evropiane si angazhim strategjik i shtetit.
Ministri Mucunski në takim e ngriti edhe çështjen e respektimit të të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të pakicës maqedonase në Bullgari dhe theksoi nevojën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, me ftesë të të dërguarit special të presidentit amerikan për misione speciale, Ripard Grenell, ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Misajlovski dhe Mucunski, morën pjesë në një seancë kushtuar politikave të reja të administratës amerikane të udhëhequr nga presidenti Tramp.
“Është e një rëndësie të veçantë të dëgjohen mesazhet nga Uashingtoni, të cilat sjellin një retorikë të re, të ndryshme dhe që para së gjithash angazhohet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore, për të cilën angazhohemi edhe si shtet dhe anëtar i aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë”, ka shkruar ministri Misajlovski në Fejsbuk.
Misajlovski dje është takuar edhe me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Dejvid Baker, me të cilin ka biseduar për politikat aktuale lidhur me sigurinë rajonale dhe globale dhe modernizimin dhe pajisjen e Armatës së Maqedonisë.
"Baker nga ana e tij e theksoi kontributin e Maqedonisë në sigurinë e rajonit të Ballkanit dhe në krahun lindor të NATO-s. Misajlovski mori pjesë edhe në takimin me kryeministrat e qeverisë së Maqedonisë dhe Kroacisë, Hristijan Mickoski dhe Andrej Plenkoviq, në të cilin u bisedua për zhvillimin e bashkëpunimit të përgjithshëm dhe mbështetjen e ndërsjellë në kuadër të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ndikimin e sigurisë në Ballkan në zhvillimin e vazhdueshëm të vendeve në këtë rajon", thekson MM në kumtesën.
Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, ministri Misajlovski dje mori pjesë në një drekë pune së bashku me kolegët ministra të mbrojtjes dhe përfaqësues të lartë ushtarakë nga vendet aleate dhe partnere, ku fjalim mbajti Sekretari shtetëror parlamentar për mbrojtjen e Gjermanisë, Tomas Hitçler.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, duke folur dje nga Mynihu, tha se siguria është themeli i një shteti stabil.
"Në kushte të kërcënimeve të reja globale, Maqedonia duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në dialogun ndërkombëtar. Roli i ynë në NATO, stabiliteti rajonal dhe lufta kundër krimit të organizuar transnacional janë kyçe jo vetëm për ne, por edhe për sistemin evropian të sigurisë. Maqedoni e fuqishme në skenën ndërkombëtare! Prania e jonë këtu tregon se Maqedonia nuk është vetëm vëzhgues, por edhe pjesëmarrës aktiv, shtet me vizion dhe pozita të qarta. Po luftojmë për vend të merituar në Evropë dhe për ardhmëri të sigurt, stabile dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët", publikoi Toshkovski në Fejsbuk.
Në kryeqytetin e Bavarisë të premtën filloi Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih. Mes tensioneve të rritura globale, mbledhja e këtij viti, që të zhvillohet nga 14 deri më 16 shkurt në hotelin Bajerissher Hof në Mynih, liderët botërorë, politikëbërësit dhe ekspertët, diskutojnë për çështje urgjente të sigurisë, si lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës, kriza e Gazës dhe dinamika e ndryshimit të aleancave ndërkombëtare. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s
video: Fejsbuk i kryeministrit Hristijan Mickoski