Dameva dhe Çaçarova Ilievska nga këshilli gjyqësor i shqyrtojnë interpelancat dhe do të thonë qëndrimin e vet rreth tyre
- Vesna Dameva dhe Tanja Çaçarova Ilievska, anëtare të Këshillit gjyqësor, për të cilat shumica në pushtet parashtroi interpelanca në Kuvend sot deklaruan se po i analizojnë dokumentet dhe se do ta kumtojnë qëndrimin e tyre në opinion. Çaçarova Ilievska konsideron se në interpelancën për të flitet për përgjegjësi kolektive.

Shkup, 12 shkurt 2025 (MIA) - Vesna Dameva dhe Tanja Çaçarova Ilievska, anëtare të Këshillit gjyqësor, për të cilat shumica në pushtet parashtroi interpelanca në Kuvend sot deklaruan se po i analizojnë dokumentet dhe se do ta kumtojnë qëndrimin e tyre në opinion. Çaçarova Ilievska konsideron se në interpelancën për të flitet për përgjegjësi kolektive.
Interpelancën e parashtruar në Kuvend e mora vonë gjatë ditës së djeshme dhe jam në fazë të analizimit të shkaqeve dhe në përgjithësi të përmbajtjes së saj. Kur ta ndërtoj qëndrimin tim, do t'ia kumtoj opinionit, nuk do të mbetet pa përgjigje, përkatësisht pa deklarimin tim", deklaroi anëtarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva pas interpelancave të parashtruara në shtëpinë ligjvënëse nga ana e grupeve të deputetëve të koalicionit në pushtet për pesë anëtarë të Këshillit gjyqësor.
Sipas Damevës, dorëheqja parashtrohet vetëm nëse ekzistojnë arsye të caktuara, duke cekur se megjithatë ai është akt personal.
"Dorëheqja është akt personal dhe parashtrohet nëse ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të njejtën. Mbetem e hapur për atë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm edhe nga ana ime edhe nga ana e Kuvendit", tha Dameva.
Anëtarja e Këshillit, Tanja Çaçarova Ilievska, për të cilën gjithashtu u parashtrua interpelancë në shtëpinë ligjvënëse, theksoi se përgjegjësia duhet të jetë individuale edhe përkundër asaj që Këshili është trup kolektiv.
"E lexova interpelancën, por kisha obligime dhe nuk pata mundësi ta shqyrtoj mirë. Ajo që më ra në sy është se i referohet anëtares së Këshillit gjyqësor Tanja Çaçarova Ilievska, ndërkaq flitet për përgjegjësi kolektive. Në paraqitjet e mia shumë herë kam folur se përgjegjësia duhet të jetë individuale edhe përkundër asaj që Këshilli është trup kolektiv. Ne të gjithë votojmë individualisht dhe varësisht secilës votë një vendim i caktuar sillet sipas shumicës së votave. Me të vërtetë duhet të analizoj mirë dhe do ta jap qëndrimin tim në afatin e paraparë në Rregulloren e Kuvendit", tha Çaçarova Ilievska.
Përveç për Damevën dhe Çaçarova Ilievskën, shumica në pushtet parashtroi interpelanca edhe për Milazimk Mustafën, i cili tashmë u deklarua se nuk ka ndër mend të japë dorëheqje për shkak të interpelancës, si dhe për Pavlina Cërvenkovskën dhe Selim Ademin.
Këshilli sot e mbajti mbledhjen e 515-të në të cilën gjykatësja Tatjana Malinova u zgjidh kryetare e Gjykatës themelore Strumicë dhe u soll vendim për ndërprerje të gjykatësit porotë të Gjykatës themelore civile Shkup, Maksim Stançevski. ab/
Foto: МIА