Cikël i ri i investimeve në "Kostal" në vitin 2026, do të investohen 30 milionë euro dhe do të hapen edhe 200 vende të punës
- – Kompania “Kostal” në vitin 2026 do ta vazhdojë ciklin e investimeve në fabrikën në Ohër me 30 milionë euro të reja dhe do të hapen 200 vende të reja të punës.
Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA) – Kompania "Kostal" në vitin 2026 do ta vazhdojë ciklin e investimeve në fabrikën në Ohër me 30 milionë euro të reja dhe do të hapen 200 vende të reja të punës.
Në takim me drejtorin ekzekutiv "Kostal Automotiv" Kai Knikman dhe Viktor Mizo, drejtor i "Kostal" Maqedoni, paradite ishte kryeministri Hristijan Mickoski, i cili shprehu kënaqësi, që “Kostal” i beson Ohrit dhe Maqedonisë, dhe vazhdon ta rrisë portofolin e tij të prodhimit.
"Megjithatë, bëhet fjalë për një kompani që në përgjithësi është biznes familjar me një traditë të gjatë. Aktualisht, nëse e analizojmë gjendjen e tyre në vitin 2024, arrijmë në një qarkullim prej rreth 3,5 miliardë eurosh, që është një arritje e rëndësishme. Qëllimet e tyre këtu në Maqedoni janë mbresëlënëse, të sigurojmë 200 vende të reja pune, të arrijmë një qarkullim i cili do të jetë më i madh se 300 milionë euro dhe ne si Qeveri jemi absolutisht këtu për të ndihmuar në realizimin e këtyre qëllimeve, sepse kjo për ne si shtet është shumë e rëndësishme", tha Mickoski.

Kai Knikman, drejtori ekzekutiv i “Kostal Automotiv” theksoi se pas nëntë vjetëve punë të suksesshme “Kostal” po shkon drejt fazës së re të zgjerimit.
"Për momentin, parashikojmë rritje prej 60 për qind të të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo na jep mundësinë të vazhdojmë të investojmë në fabrikën tonë në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2026, do të fillojmë një cikël të ri investimesh, i cili aktualisht është planifikuar të jetë rreth 30 milionë euro. Kjo do të thotë se investimet e reja do të sjellin produkte të reja, një rritje të mëtejshme prej 20 për qind gjatë vitit të ardhshëm dhe vende të reja pune", tha Knikman.
Në "Kostal" në Ohër ka rreth 1.200 të punësuar, ndërsa në vitin 2026 është planifikuar të hapen edhe 200 vende të punës, që, siç theksoi Knikman, përfaqëson edhe një hap të guximshëm në historinë e tyre të suksesshme në Maqedoni.
"Ne, si 'Kostal', vazhdojmë të investojmë dhe të zhvillohemi në Ohër, megjithëse tregu evropian dhe industria automobilistike aktualisht janë në stagnim, kemi vendosur të zgjerojmë portofolin tonë si të klientëve ashtu edhe të produkteve me investime shtesë prej mbi 30 milionë eurosh vitin e ardhshëm me klientë të rinj. Besojmë se ajo që ishte planifikuar në vitet e kaluara, diku deri në vitin 2027, do të kemi sukses dhe do të kemi eksporte dhe xhiro që tejkalojnë 300 milionë euro", tha Viktor Mizo, drejtor i "Kostal" në Maqedoni.
Me këtë, potencoi Mizo, do të pozicionohemi si një nga tre fabrikat më të mëdha – eksportuese në industrinë e Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht kjo nënkupton vende cilësore, të reja të punës në këto 200 plus të punësuar.
"Normal këtu do të ketë punëtorë që do të punojnë në prodhim, por edhe njerëz teknikë që do të punojnë si inxhinierë, por edhe njerëz në aktivitete administrative - gjithçka që lidhet me financat, logjistikën, cilësinë. Pra, nga ajo anë presim vërtet që ky zhvillim të jetë një lajm pozitiv jo vetëm për rajonin, rajonin Ohër-Strugë, por edhe për të gjithë vendin, por në të njëjtën kohë kjo do të thotë një motiv për kompanitë e tjera që të përqendrohen dhe ta përdorin Maqedoninë në të gjithë procesin e tyre të zgjerimit", theksoi Mizo, pas vizitës së Mickosit në "Kostal". fc/
Foto: Qeveria