• сабота, 22 февруари 2025

Bozhinovska për MIA-n nga Athina: Ndonëse jemi vend i vogël, ne jemi udhëkryq i rëndësishëm energjetik në rajon

Bozhinovska për MIA-n nga Athina: Ndonëse jemi vend i vogël, ne jemi udhëkryq i rëndësishëm energjetik në rajon

Athinë, 5 shkurt 2025 (MIA) – Për rolin e vendit tonë në rajon si udhëkryq për transferimin e gazit natyror dhe energjisë elektrike, për projektet rrjedhëse dhe të ardhshme me Greqinë, për mundësitë e reja që hapen për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmës për ne nga përvoja në Republikën e Qipros, por edhe për situatën globale energjetike, flet ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale Sanja Bozhinovska në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina pas pjesëmarrjes së saj në Samitin e 14-të energjetik (Athens Energy Summit).

Porosinë se ndonëse jemi vend i vogël, jemi ende udhëkryq i rëndësishëm dhe duhet të jemi të lidhur me të gjithë fqinjët për të siguruar stabilitetin energjetik, ministrja Bozhinovska e përcolli edhe gjatë Samitit, por edhe në bisedën për MIA-n.

Për Bozhinovskën, kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në një ngjarje në Greqi dhe në margjinat e konferencës ajo realizoi takime të ndara me homologun e saj grek, ministrin e Mjedisit dhe Energjetikës Teodoros Skilakakas dhe ministrin e Energjetikës, Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Qipros Jorgos Papanastasiu, nga të cilët ka marrë ftesa për takime të reja dypalëshe në të ardhmen.

Tema kryesore për të cilën kanë biseduar Bozhinovska dhe Skilakakis ishte interkonektori i gazit natyror që duhet t'i lidhë dy vendet, ndërsa ministrja sqaron se në çdo moment pritet konfirmim nga Banka Evropiane e Investimeve për të nënshkruar marrëveshje me operatorin dhe për të filluar ndërtimin.

"Procedura te ne u anulua dhe patëm procedurë të re, ndërsa është shumë e rëndësishme për ne si shtet që çmimi është për 12 milion më i lirë se herën e kaluar. Sa i përket Nomagas-it, i ka kryer të gjitha kontrollet, ne nga ana jonë kemi përfunduar gjithçka. Është dërguar në Bankën Evropiane të Investimeve dhe çdo ditë pritet, këto ditë ose më së shumti në një javë, presim konfirmim dhe të fillojmë nënshkrimin e marrëveshjes për kompaninë që është operatori më i suksesshëm ekonomik dhe të fillojmë ndërtimin, meqë po na presin", sqaroi ministrja.

Ajo shtoi se ajo dhe homologu i saj grek kanë biseduar edhe për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike.

- Kjo është prioritet për ne, të lidhemi me bursën e tyre të energjisë elektrike, meqë kjo do të thotë të lidhemi me vend anëtar të BE-së. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe sigurisht që ka shumë investime greke në energjetikë, kështu që të shkëmbejmë përvoja", bëri të ditur Bozhinovska.

Paralelisht, shtoi se në fund të prillit me siguri do të marrë pjesë në një forum tjetër në Greqi, ndërsa Skilakakisi e ka ftuar atë, nëse vjen në Greqi, të realizojnë takim të ri dypalësh.

Përballë bashkëpunimit me Greqinë, që tashmë ekziston, me Republikën e Qipros, pas takimit të sotëm të ministrave të energjetikës, siç zbuloi Bozhinovska, hapet mundësia që Nikozia të ndihmojë Shkupin me përvojat e saj në projekte energjetike.

"Me ministrin qipriot biseduam për shkëmbimin e përvojave, sepse ata kanë shumë prodhim nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, si është zgjidhur kjo te ata, si është rregulluar. Pastaj për amvisëritë, atje sipas ligjit çdo amvisëri duhet të ketë panele diellore dhe mënyrën se si gjithë kjo rregullohet me rrjetin. Biseduam edhe për disa projekte interesante, për shembull ata kanë projekt për ndërlidhje me kabllo nënujore me Izraelin. Biseduam për shumë tema interesante, sqaroi ministrja për MIA-n.

Ajo zbuloi se kishte marrë ftesë për të vizituar Qipron si ministre e parë nga vendi ynë, në mënyrë që të bisedonte më hollësishëm me ministrin Papanastasiou për përvojat qipriote dhe se si ata mund të na ndihmojnë në aspektin e legjislacionit duke i inkurajuar që ata të zbatojnë praktikat evropiane. 

Lidhur me rolin e vendit tonë në rajon, ministrja sqaron se po punohet në projekte me vendet fqinje dhe në raport me gazin natyror dhe në raport me energjinë elektrike, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes me të gjitha vendet fqinje.

"Edhe pse jemi nga vendet më të vogla të rajonit, pozicioni gjeografik është ende shumë i rëndësishëm sepse jemi një udhëkryq. Sigurisht, tani do të shohim me gazin, sigurisht që kemi vetëm një lidhje me Bullgarinë, tani do të ketë një tjetër me Greqinë, vitin e kaluar nënshkrova memorandum bashkëpunimi me Republikën e Serbisë. Këtu kemi vetëm 25 kilometra që duhet të ndërtohen, jemi duke punuar në të, që do të thotë se një rrugë tranziti do të kalojë përmes nesh dhe do të furnizohet jo vetëm Serbia, por edhe Hungaria dhe Austria, tha ministrja në lidhje me gazin natyror.

Sa i përket energjisë elektrike, sqaroi se jemi të lidhur me të gjithë fqinjët përveç Shqipërisë, por se po punohet për procedurë të re tenderimi, diçka që, siç bëri të ditur, ka filluar në vitin 2015, por pa rezultat dhe tani do të ketë një thirrje të re.

“Po punojmë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), këtu jemi në pjesën përfundimtare dhe, siç e dini, Shqipëria është e lidhur me Italinë dhe ne mund të jemi tranzit nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria dhe Italia, por edhe nga Greqia, që do të thotë se do të jemi të lidhur me të gjithë fqinjët tanë, që është gjë shumë e mirë”, theksoi ministrja.

Për energjetikën në skenën globale dhe sfidat me të cilat mund të përballemi në të ardhmen, Bozhinovska shprehet se ajo që nevojitet është rritja e prodhimit vendor në mënyrë që të mos jemi të varur nga importi, e konkretisht për ndikimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, ajo tha se në fillim kjo u reflektua në çmimin e gazit, mirëpo ne nuk konsumojmë, nuk harxhojmë shumë gaz.

"Kishim krizë, krizë çmimesh, jo mungesë të energjisë elektrike, por çmimet ishin të larta deri në 1000 euro për megavat orë. Shpresoj të mos ndodhë më, por askush nuk mund të ndikojë në situatën gjeopolitike. Ne shpresojmë të rrisim prodhimin tonë të brendshëm dhe kur rrisim prodhimin tonë të brendshëm nuk është e thënë të jemi të varur nga importi që do të thotë se çfarëdo ndikime nuk do të ndikojnë në rritjen e çmimeve. Po punojmë për të rritur prodhimin vendor dhe sigurisht për të rritur dhe forcuar rrjetin, rrjetin tonë MEPSO. Nënshkruam vitin e kaluar me BERZH-in për Miletkovën, pra të forcohet në mënyrë që të gjitha këto burime të reja të ripërtërishme të mund të përfshihen në rrjetin tonë të përhershëm", tha ministrja në bisedë me MIA-n në Athinë.

Bozhinovska, së bashku me kolegët e saj nga Greqia dhe Qipro, Teodoros Skilakakis dhe Jorgos Papanastasiu morën pjesë në panel-diskutimi në Samitin energjetik kushtuar "Lojës së madhe energjetike : Gjeopolitika dhe tregu global i energjisë" dhe përcollën përvojat dhe projektet e tyre energjetike në të tre vendet.

Sanja Ristovska

Foto: MIA

Остани поврзан