• петок, 02 јануари 2026

Bilanci i zi i zjarreve në klubet e natës në të gjithë botën: Nga tragjedia në Koçan te zjarri në Kran-Montana

Bilanci i zi i zjarreve në klubet e natës në të gjithë botën: Nga tragjedia në Koçan te zjarri në Kran-Montana

Kran-Montana, 2 janar 2026 (MIA) - Zjarri tragjik në bar kafenë në Kran-Montana, i cili vrau të paktën 40 persona në natën e Vitit të Ri, i bashkohet një liste të gjatë aksidentesh katastrofike në klubet e natës në të gjithë botën.

Zjarri më vdekjeprurës në histori konsiderohet të jetë zjarri në klubin "Kokonat Grov" (Cocoanut Grove) në Boston të SHBA-së, më 28 nëntor 1942, ku vdiqën 492 persona, gjë që çoi në një rritje drastike të standardeve të sigurisë, kujton gazeta zvicerane Le Nouvelliste.

Nga viti 1970 deri më sot, ka pasur të paktën 21 zjarre në klube nate me 40 ose më shumë viktima:

16 Mars 2025, Maqedonia e Veriut: Tragjedia e fundit e madhe para Kran-Montanës. Një zjarr i shkaktuar nga piroteknikët në klubin e natës Puls të mbushur me njerëz në Koçan dhe rrëmuja që pasoi, vranë 63 persona, kryesisht të rinj.

30 tetor 2015, Rumani: Një zjarr shpërtheu në një klub në qendër të Bukureshtit gjatë një koncerti hard rok me një shfaqje piroteknike; 64 persona vdiqën.

27 janar 2013, Brazil: 242 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur në një zjarr në një klub të mbushur me studentë në Santa Maria. Tragjedia u shkaktua nga një pishtar i destinuar për përdorim në natyrë.

5 dhjetor 2009, Rusi: Fishekzjarrët në një klub në Perm shkaktuan vdekjen e 155 personave.

1 janar 2009, Tajlandë: 66 persona që festonin natën e Vitit të Ri në Bangkok vdiqën në një zjarr të shkaktuar nga fishekzjarrët.

20 shtator 2008, Kinë: 44 të vrarë në Shenzhen për shkak të fishekzjarrëve në ambiente të mbyllura.

31 dhjetor 2004, Argjentinë: 194 të vdekur në Buenos Aires në një koncert roku me gati 2,000 të rinj.

20 shkurt 2003, SHBA: 100 persona të vrarë në Rod Ajlend për shkak të fishekzjarrëve.

1 dhjetor 2002, Venezuelë: 65 të vrarë në një klub bodrumi në Karakas.

9 korrik 2002, Indonezi: 42 të vdekur në një restorant karaoke në Palembang.

25 dhjetor 2000, Kinë: Zjarr në një qendër tregtare dhe klub në Luojang; 311 të vdekur gjatë një feste Krishtlindjesh.

30 tetor 1998, Suedi: 63 të rinj (të moshës 12-19 vjeç) vdiqën në Geteborg në një festë për Hallovin.

18 mars 1996, Filipine: 162 të vdekur në klubin "Ozon" në Manila.

23 nëntor 1994, Kinë: Një zjarr në një klub në Fuksin mori 233 jetë.

25 mars 1990, SHBA: 87 të vdekur në klubin "Hepi Lend" në Bronks, Nju-Jork.

14 janar 1990, Spanjë: 43 të vdekur në Zaragoza.

17 dhjetor 1983, Spanjë: 81 të vdekur në klubin "Alkala 20" në Madrid.

14 shkurt 1981, Irlandë: 48 të vdekur në klubin Stardust në Dublin.

31 dhjetor 1979, Kanada: 48 të vdekur në Kuebec.

28 maj 1977, SHBA: 165 të vdekur në Sautgejt, Kentaki.

1 nëntor 1970, Francë: Zjarri në "5-7" në Sent-Loran-du-Pont mori 146 jetë njerëzish. sa/

foto: arkivi

Остани поврзан