BE-ja për paralajmërimet e Trampit për tarifa ndaj tetë vendeve evropiane: Evropa do të mbetet e bashkuar në ruajtjen e sovranitetit të saj
- Tarifat do të minonin marrëdhëniet transatlantike dhe do të rrezikonin një spirale të rrezikshme negative, por Evropa do të mbetet e bashkuar, e koordinuar dhe e përkushtuar për të ruajtur sovranitetin e saj, thanë mbrëmë njerëzit e parë të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Antonio Koshta dhe Ursula fon der Lajen, në një reagim të përbashkët ndaj paralajmërimit të Presidentit të SHBA-së Donald Tramp për të futur tarifa për tetë vende evropiane që kundërshtojnë qëllimin e tij që SHBA-ja të marrë Grenlandën.
Bruksel, 18 janar 2026 (MIA) - Tarifat do të minonin marrëdhëniet transatlantike dhe do të rrezikonin një spirale të rrezikshme negative, por Evropa do të mbetet e bashkuar, e koordinuar dhe e përkushtuar për të ruajtur sovranitetin e saj, thanë mbrëmë njerëzit e parë të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Antonio Koshta dhe Ursula fon der Lajen, në një reagim të përbashkët ndaj paralajmërimit të Presidentit të SHBA-së Donald Tramp për të futur tarifa për tetë vende evropiane që kundërshtojnë qëllimin e tij që SHBA-ja të marrë Grenlandën.
“BE-ja shpreh solidaritetin e saj të plotë me Danimarkën dhe popullin e Grenlandës. Dialogu mbetet thelbësor dhe ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar procesin që filloi javën e kaluar midis Mbretërisë së Danimarkës dhe SHBA-së”, theksojnë Koshta dhe Fon der Lajen në deklaratën e përbashkët me shkrim.
Në të theksohet se integriteti territorial dhe sovraniteti janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe janë me rëndësi thelbësore për Evropën dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi.
"Ne kemi theksuar vazhdimisht interesin tonë të përbashkët transatlantik për paqen dhe sigurinë në Arktik, përfshirë edhe përmes NATO-s. Stërvitja daneze e koordinuar më parë, e kryer me aleatët, i përgjigjet nevojës për të forcuar sigurinë në Arktik dhe nuk përbën kërcënim për askënd", shtohet në deklaratën.
Trampi dje paralajmëroi se nga 1 shkurti, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa prej 10 për qind ndaj Britanisë, Gjermanisë, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës, Francës, Holandës dhe Suedisë, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj aneksimit amerikan të Grenlandës.
Sipas Trampit, nga 1 qershori, këto tarifa do të rriten në 25 përqind dhe do të mbeten në fuqi derisa të "arritet një marrëveshje për blerjen e Grenlandës". ls/
Foto: Arkivi i MIA-s