BDI Çair: Vazhdojmë me serialin e ekspozimit të mashtrimit të madh
- Sot ekspozojmë një skeme të qëllimshme manipulimi nga ana e qeverisë dhe e pushtetit lokal, këtë herë të lidhur me një nga projektet më të ndjeshme dhe më simbolike për Çairin – Sheshin Skënderbeu.
Shkup, 23 janar 2026
Të nderuar qytetarë
Vazhdojmë me Serialin e ekspozimit të Mashtrimit të madh.
Sot ekspozojmë një skeme të qëllimshme manipulimi nga ana e qeverisë dhe e pushtetit lokal, këtë herë të lidhur me një nga projektet më të ndjeshme dhe më simbolike për Çairin – Sheshin Skënderbeu.
Sot po paraqesim një rast që vështirë se shihet edhe në sistemet më të korruptuara: alokim fiktiv i mjeteve buxhetore dhe hapje e tenderit pa qëllim realizimi, ekskluzivisht për nevoja zgjedhore.
Para zgjedhjeve lokale, në buxhet u “parashikuan” 20 milionë euro për fazën e tretë të Sheshit Skënderbeu. Bëhet fjalë për fazën më të kushtueshme dhe më të rëndësishme të projektit, që përfshin parkingun nëntokësor dhe zgjidh përfundimisht funksionalitetin e sheshit dhe të zonës përreth.
Për këto mjete u hap tender publik. Procedura u mbajt aktive gjatë gjithë fushatës zgjedhore. U ndërtua propagandë politike mbi këtë projekt. U krijua përshtypja se investimi ishte i sigurt, i garantuar dhe në prag realizimi.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve ndodhi e kundërta:
tenderi u anulua dhe me ribalancin e buxhetit 20 milionë eurot u hoqën nga projekti i Sheshit Skënderbeu dhe u transferuan diku tjetër.
Kjo kronologji nuk është rastësi.
Kjo është skemë.
Skema funksionon kështu:
• para zgjedhjeve shpallen mjete që nuk janë të destinuara realisht për projektin,
• hapet tender për të krijuar iluzion institucional,
• tenderi mbahet gjallë deri në ditën e votimit,
• pas zgjedhjeve anulohet,
• paratë zhvendosen aty ku ka qenë qëllimi i vërtetë që në fillim.
Ky është manipulim i qëllimshëm me buxhetin publik, me procedurat e prokurimit dhe me besimin e qytetarëve. Sheshi Skënderbeu është përdorur si mjet propagande, jo si projekt zhvillimi.
Pasojat janë të qarta dhe të matshme:
Çairi mbetet pa fazën përfundimtare të sheshit, pa parking nëntokësor dhe pa zgjidhje për një nga problemet më të mëdha urbane të zonës.
Kjo qeverisje nuk planifikon projekte për t’i realizuar, por për t’i shfaqur përkohësisht në fushatë dhe për t’i tërhequr menjëherë pas zgjedhjeve.
Kjo është mënyra se si manipulohet opinioni publik.
Kjo është mënyra se si përdoret buxheti si mjet politik.
Dhe kjo është arsyeja pse Sheshi Skënderbeu sot është simbol i mashtrimit institucional, jo i zhvillimit.
Ky rast kërkon përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe administrative.
Ne do të vazhdojmë me ekspozimin e këtyre skemave, sepse Çairi nuk është pronë e fushatave zgjedhore. Çairi është komunitet që meriton projekte reale, jo realitete fiktive.
Bashkimi Demokratik për Integrim
_________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.