Autoritetet turke arrestuan më shumë se 100 persona në Ditën Ndërkombëtare të Gruas
- – Autoritetet turke arrestuan 112 persona në Stamboll gjatë demonstratave në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke i liruar të gjithë përveç njërit i cili mbeti në paraburgim, njoftuan sot organizatorët.

Stamboll, 9 mars 2025 (MIA) – Autoritetet turke arrestuan 112 persona në Stamboll gjatë demonstratave në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke i liruar të gjithë përveç njërit i cili mbeti në paraburgim, njoftuan sot organizatorët.
Demonstratat për shënimin e ngjarjes, të cilat u mbajtën dje, me vite të tëra janë të ndaluara në Stamboll. Arsyetimi i dhënë këtë vit ishte se ato mund ta rrezikojnë “rendin publik dhe paqen shoqërore”, transmetoi DPA.
Qindra njerëz u grumbulluan dje në protestë paqësore në qendër të qytetit, duke sfiduar ndalesën, duke brohoritur slogane si “Të rrojë lufta jonë feministe”.
Sipas platformës “Do t’i ndalojmë femicidet”, deri më tani këtë vit në Turqi burrat kanë vrarë 59 gra.
Përveç se në Stamboll, demonstrata kishte edhe në qytete të tjera turke kundër dhunës ndaj grave dhe ndaj njerëzve LGBTkju.
Qeveria turke haptas i kundërshton qëndrimet e LGBTkju dhe e quajti vitin 2025 “Vit të familjes”. Kjo u interpretua nga shumë persona si kundërshtim i hapur i atyre me mënyrë të jetës e cila nuk është në përputhje me strukturat tradicionale familjare.
Nënkryetari i organit shtetëror për mbikëqyrje të mediave RTUK paralajmëroi program për “luftë” kundër pakicave seksuale në media. RTUK i ndjek transmetimet në radio dhe televizion, mediat onllajn dhe të shtypura dhe mund të shqiptojë gjoba. fc/
Fotografia: EPA