• петок, 05 декември 2025

Arsimi dhe komunikimi janë të domosdoshme për risocializimin e fëmijëve në konflikt me ligjin

Arsimi dhe komunikimi janë të domosdoshme për risocializimin e fëmijëve në konflikt me ligjin

Shkup, 21 nëntor 2025 (MIA) - Takimi i fëmijëve me prindërit e tyre të dënuar u mundëson familjeve ta përballojnë më lehtë traumën gjatë kohës që anëtari i tyre vuan dënimin me burg, beson Dragi Zmijanac, kryetar i Ambasadës së parë për fëmijë në botë "Megjashi", lidhur me hapjen e këndit për fëmijë në Institucionin Ndëshkues - Përmirësues Idrizovë.  

Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve pranë Ministrisë së Drejtësisë sot promovoi këndin që është i dedikuar për takimet e të burgosurve me fëmijët e tyre. Këndi është ndërtuar me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në kuadër të projektit "Forcimi i kapaciteteve të sistemit penitenciar në Maqedoninë e Veriut".

"Çdo mundësi që të risocializohen ata që janë të dënuar dhe të jenë pranë më të afërmve të tyre, u ndihmon të përballojnë traumën me të cilën përballen gjatë kohës sa e vuajnë dënimin me burg", deklaroi Zmijanac duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve para hapjes së konferencës së katërt për edukim paqësor të organizuar nga “Megjashi”.

Sa i përket fëmijëve që janë në konflikt me ligjin, Zmijanac tha se është i mirëseardhur çdo masë dhe aktivitet që përfshin edukimin dhe arsimin – formal dhe joformal, duke theksuar se është i domosdoshëm komunikimi me ta.

"Më parë kishim informacione se fëmijët madje ishin përjashtuar nga procesi edukativo-arsimor. Komunikimi u mundëson të risocializohen dhe, kur ta lënë institucionin ndëshkues gjegjësisht burgun, të bëhen qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm dhe të mos e përsërisin veprën për të cilën janë sanksionuar. Një qasje restauruese ndaj risocializimit është e domosdoshme dhe mendoj se ky është një hap i mirë drejt përfshirjes së tyre në zhvillimin shoqëror", deklaroi Zmijanac.

Ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Vesna Janevska, në këtë temë theksoi se Qeveria ka ndërmarrë "hapa ligjore dhe serioze për përfshirjen e këtyre fëmijëve në sistemin arsimor".

Ajo shtoi se prania e stafit mësimor dhe profesional në këto institucione "ndikon tek të dyja palët – tek fëmijët që ndodhen atje për shkak se kanë shkelur ligjin, por edhe tek fëmijët që vizitojnë prindërit ose të afërmit e tyre që kanë shkelur ligjin". qa/

Foto: MIA

Остани поврзан