Armata amerikane sulmoi tre anije në Detin e Karaibeve duke vrarë tetë persona
- Armata amerikane njoftoi dje se ka sulmuar pesë anije të dyshuara për kontrabandim të drogës gjatë dy ditëve, duke vrarë tetë persona. Komanda jugore e SHBA-së, e cila e kontrollon Amerikën Jugore, nuk tregoi se ku kanë ndodhur sulmet të martën dhe të mërkurën. Sulmet paraprake kanë ndodhur në Detin e Karaibeve dhe Paqësorin lindor.
Uashington, 1 janar 2026 (MIA) - Armata amerikane njoftoi dje se ka sulmuar pesë anije të dyshuara për kontrabandim të drogës gjatë dy ditëve, duke vrarë tetë persona. Komanda jugore e SHBA-së, e cila e kontrollon Amerikën Jugore, nuk tregoi se ku kanë ndodhur sulmet të martën dhe të mërkurën. Sulmet paraprake kanë ndodhur në Detin e Karaibeve dhe Paqësorin lindor.
Pamjet e pubikuara të sulmeve nga Komanda jugore të martën i tregojnë tre anijet që lundrojnë në një formacion jashtëzakonisht të afërt. Armata tha se ato ishin në një konvoj përgjatë rrugëve të njohura të kontrabandës së drogës dhe po "transferonin narkotikë midis tre anijeve para sulmit". Nuk u dhanë prova për këtë pretendim.
Sipas armatës, tre persona u vranë kur u godit anija e parë, ndërsa njerëzit në dy anijet e tjera u hodhën në det dhe ikën përpara se të sulmoheshin edhe ata. Komanda Jugore tha se menjëherë njoftoi Rojën Bregdetare të SHBA-së për të nisur një operacion kërkim-shpëtimi, por nuk tha nëse ishte gjetur ndonjë i mbijetuar.
Forcat amerikane sulmuan dy anije të tjera të mërkurën, duke vrarë pesë persona që thanë se po kontrabandonin drogë. Në asnjërin rast nuk u dhanë prova për kontrabandë. Përfshirja e Rojës Bregdetare është e rëndësishme sepse armata amerikane është kritikuar ashpër pasi forcat e saj vranë të mbijetuarit e një anijeje të dëmtuar më parë në një sulm të dytë në fillim të shtatorit.
Disa deputetë demokratë dhe ekspertë ligjorë e kanë quajtur aktin krim, ndërsa administrata e Trampit dhe disa republikanë thonë se sulmi i dytë ishte i ligjshëm. Sulmet e fundit e çojnë numrin e përgjithshëm të sulmeve të njohura ndaj anijeve që nga fillimi i shtatorit në 35, me të paktën 115 vdekje, sipas shifrave të publikuara nga administrata e Trampit.
Presidenti Donald Tramp i justifikoi sulmet si një përshkallëzim të domosdoshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës në SHBA dhe pretendoi se SHBA ishte në një "konflikt të armatosur" me kartelët e drogës. Përveç sulmeve, administrata e Trampit ka rritur praninë e saj ushtarake në rajon si pjesë e një presioni në rritje ndaj presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro, i cili përballet me akuza të SHBA-së për narkoterrorizëm. sa/
foto: "X"