• четврток, 11 декември 2025

Andonovski: Po vendoset një numër i vetëm elektronik i qytetarit

Andonovski: Po vendoset një numër i vetëm elektronik i qytetarit

Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Infrastruktura për ndërveprim mes institucioneve ekziston, dhe atë jo vetëm për çështje të TI-së. Nuk janë të mjaftueshme 2,6 milionë transaksione në muaj në këtë platformë, mund dhe duhet të ketë dhjetë herë më shumë. Institucionet nuk duhet të funksionojnë si ishuj të veçantë, por të jenë pjesë e platformës dhe të shkëmbejnë të dhëna, porositi sot ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski në konferencën e tretë vjetore të Odës Ekonomike amerikane që mbahet në Shkup.

Andonovski theksoi se po vendoset një numër i vetëm elektronik i qytetarit, pasi dje në seancën e Qeverisë u pranuan ndryshimet e Ligjit për Regjistrin qendror të popullatës.

"Kjo do të replikohet në numrin e vetëm tatimor për qytetarin, që do të thotë se do të kemi një numër anonim që do të lidh dhe do të jap informata për çdo qytetar për t'i mbrojtur ata. Numër amë anonim, theksoi Andonovski në panel "Nga ndërveprimi deri te rezistenca institucionale, për shfrytëzimin e potencialit të të dhënave të lidhura".

Ai njoftoi edhe aktivitete për shfrytëzim më të madh të Platformës për ndërveprim të Ministrisë për Transformim Digjital në të cilën tani janë përfshirë vetëm 78 institucione shtetërore, edhe pse kjo është e obligueshme. Për dallim prej më parë, për atë tashmë është parashikuar mbikëqyrje inspektuese e parashikuar dhe dispozita për kundërvajtje. Ai pret së shpejti në platformë të përfshihen edhe odat e noterëve, përmbaruesit, avokatët, ndërsa u bëri thirrje edhe kompanive private nga të cilat tani janë vetëm dhjetëra.

Sipas Andonovski, me përmirësimet nga viti i kaluar, platforma gjithnjë e më lehtë po instalohet dhe shfrytëzohet në mënyrën më të sigurt të mundshme.

Siç kumtoi ai, përmes platformës, për ndërveprim në nëntor të këtij viti ka pasur 2,6 milionë transaksione, që është për 274 për qind rritje prej mesatares në vitin 2024. Një trend të tillë kishte edhe në tetor, me rritje prej 269 për qind, dhe në shtator me rritje prej 163 për qind. Numri i institucioneve prej 65 aq sa ishin vitin e kaluar janë rritur në 78, ndërsa deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 80. Me përmirësimet e vitit të kaluar është përshpejtuar procesi për shkëmbimin e të dhënave.

Shfrytëzimi i kësaj platforme është i obligueshëm për të gjitha institucionet, por siç tha ai, ajo që i vjen keq për paraardhësit e tij është se asnjë ligj nuk ka përfshirë mbikëqyrjen inspektuese dhe një detyrim për kundërvajtje për institucionet nëse ato nuk bashkohen dhe nuk shkëmbejnë të dhëna.

Ai njoftoi funksionalizimin e regjistrave që nuk janë të digjitalizuar, përkatësisht ngarkimin e tyre në platformë. "Fokusi ynë kryesor këtu është Ministria e Financave, me projektin e ri për Sistemin e Integruar të Informacionit për Menaxhimin Financiar (IFMIS), Regjistrin e Adresave, modernizimin e Zyrës së të Ardhurave Publike", njoftoi Andonovski.

Në konferencë do të mbahen edhe panele me temat "Digjitalizimi dhe siguria kibernetike në sektorin energjetik", "Përshpejtimi i transformimit digjital në sektorin financiar" dhe "Financimi i digjitalizimit". sa/

Foto: printskrin

Остани поврзан