Andonovski: Pas tetë vitesh, Maqedonia e Veriut ka marrë strategjinë kombëtare për zhvillim të TIK - SMART/MK2030
- Pas tetë vitesh, Maqedonia e Veriut ka marrë strategji kombëtare për zhvillim të TIK e njohur si SMART/MK2030, e cila është udhërrëfyes se si shteti do të arrijë të ardhmen digjitale.
Shkup, 17 tetor 2025 (MIA) - Pas tetë vitesh, Maqedonia e Veriut ka marrë strategji kombëtare për zhvillim të TIK e njohur si SMART/MK2030, e cila është udhërrëfyes se si shteti do të arrijë të ardhmen digjitale.
SMART/MK2030 është dokument kombëtar i harmonizuar me Dekadën Digjitale Evropiane dhe Agjendën për Zhvillim.
"Ky dokument parasheh udhërrëfyes për atë se si vendi ynë do ta realizojë të ardhmen e vet digjitale - në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane për Dekadën Digjitale 2030, por edhe me vizionin e Maqedonisë së Veriut dhe nevojat tona të brendshme", theksoi Andonovski, duke shtuar se me këtë bëhemi pjesë aktive nga komuniteti digjital evropian, që kontribuon me dije vetanake përmes zgjidhjeve dhe inovacioneve.
Strategjia bazohet në katër shtylla - infrastruktura TIK, kompetencat digjitale (pjesë në të cilën parashihet që deri në vitin 2030 të paktën 70 për qind e popullsisë të ketë aftësi digjitale), E-qeverisja dhe shërbimet publike dhe intelegjenca artificiale si shtylla e katërt.
Ai theksoi se "SMART/MK 2030" është një dokument kombëtar, pjesë e një agjende më të gjerë digjitale evropiane për zhvillim. Si vend kandidat, Maqedonia e Veriut pranon kornizën e Dekadës Dixhitale Evropiane, e cila parashikon katër qëllime deri në vitin 2030: qytetarë të trajnuar në mënyrë digjitale dhe ekspertë të kualifikuar të TIK-ut, infrastrukturë të sigurt dhe të lidhur, shërbime publike të digjitalizuara, biznese të integruara digjitalisht.
"Strategjia jonë ndjek drejtpërdrejt këto prioritete evropiane. Ajo forcon konvergjencën institucionale me vendet anëtare, krijon mundësi për pjesëmarrje në programet digjitale evropiane, dhe mundëson qasje në instrumente financiare dhe ndihmë teknike nga Bashkimi Evropian. Me këtë, bëhemi pjesë aktive e Komunitetit Digjital Evropian – si partner që kontribuon me dije, zgjidhje dhe inovacione vetanake", tha Andonovski.
Ministri theksoi se strategjia shoqërohet me një Plan Veprimi, i cili e shndërron vizionin në hapa konkretë. Fokusi është në zbatimin e shpejtë, tregues të qartë dhe vlerësim të vazhdueshëm.
"Shteti modern digjital fillon me një infrastrukturë të qëndrueshme, qëllimi ynë është që çdo familje dhe çdo amvisëri të ketë qasje në rrjet gigabit dhe lidhje 5G me çmime të përballueshme. Me këtë do të mbyllet hendeku digjital midis zonave urbane dhe rurale dhe do të krijohen kushte për qasje të barabartë në shërbime dhe njohuri digjitale. Në partneritet me sektorin privat do të nxiten investime në rrjete optike, qendra të të dhënave dhe platforma, që do të jenë baza për ndërveprim më të madh, siguri dhe besim digjital", theksoi Andonovski. qa/
Фото: МИА / Влада