Andonovski: Me ligj do t’i ndalojmë lojërat onlajn të fatit
- Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski deklaroi se me ndryshimet e Ligjit për komunikime elektronike që kanë hyrë në procedurë parlamentare, parashihet ndalimi i lojërave ilegale onlajn të fatit.

Shkup, 4 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski deklaroi se me ndryshimet e Ligjit për komunikime elektronike që kanë hyrë në procedurë parlamentare, parashihet ndalimi i lojërave ilegale onlajn të fatit.
"Në Ligjin për komunikime elektronike parashikojmë ndryshim ku me ligj ndalojmë lojërat ilegale onljan, apo kazinotë onlajn. Në Maqedoni licencë për organizimin e lojërave të fatit onlajn nuk ka asnjë institucion privat, ndërsa qytetarët e dinë se ka të shumta si të tilla. Janë detektuar rreth 160 ofrues që janë të pranishëm në tregun e vendit, ndërsa nuk kanë licencë për organizimin e lojërave onlajn të fatit", deklaroi Andonovski në "Studio 10" në Televizionin 24.
Ai nënvizoi se Ministria e Transformimit Digjital ka punuar në ndryshimet ligjore në koordinim me institucionet e tjera të interesuara në këtë fushë për të shmangur ndërhyrjet në kompetencat e njëri-tjetrit.
"I kemi njoftuar operatorët globalë të lojërave të fatit të cilët nuk kanë marrë ose asnjëherë nuk kanë aplikuar për licencë në Maqedoni se janë në kundërshtim me ligjin dhe paralelisht kemi punuar për ndryshime në ligj. Kemi qenë të kujdesshëm që të mos ndërhyjmë në kompetencat e Ministrisë së Financave, Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Lotarisë Shtetërore dhe bashkë me ta arritëm zgjidhje ligjore që ka kaluar në Qeveri, ndërsa pas shtatë ditësh ka hyrë në procedurë parlamentare dhe pres që të kalojë në Komisionin e transformimit digjital", thotë Andonovski.
Sipas tij, kjo është një mënyrë për t'i parandaluar të rinjtë të kenë qasje në lojërat e fatit onlajn dhe të ndajnë të dhëna që lehtë mund të keqpërdoren. Andonovski pret që ndryshimet e propozuara të Ligjit të pranohen nga të gjitha partitë politike në Kuvend.
"Bëhet fjalë për ndryshime në ligj që nuk janë të karakterit politik dhe shpresoj që të gjithë deputetët të çdo partie politike t'i mbështesin, sepse është një mënyrë për t'i penguar të rinjtë tanë të luajnë lojëra fati dhe të ndajnë informacione personale onlajn që nuk e dimë se ku arrijnë", ka thënë ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Foto: Kabineti i ministrit Stefan Andonovski