• четврток, 04 декември 2025

Ambasadori Piter Trasvell për MIA-n: Diaspora e shumtë e Maqedonisë në Australi është lidhja më e fortë midis dy vendeve, nuk ka ndryshim në regjimin e vizave

Ambasadori Piter Trasvell për MIA-n: Diaspora e shumtë e Maqedonisë në Australi është lidhja më e fortë midis dy vendeve, nuk ka ndryshim në regjimin e vizave

Shkup, 28 nëntor 2025 (MIA) - Marrëdhëniet tona bilaterale janë në formë shumë të mirë. Ekziston lidhje e fortë midis dy vendeve tona, ndajmë vlera të përbashkëta. Ka lidhje të forta midis dy popujve, e kjo është diaspora e shumtë maqedonase. Australia ishte një nga destinacionet më të mëdha për maqedonasit që emigruan në 50-60 vitet e fundit. Shpresoj për lidhje më të forta në të ardhmen në nivelin e bashkëpunimit politik dhe parlamentar, si dhe në fushën e ekonomisë", tha ambasadori australian në Maqedoninë e Veriut Peter Trasvell në intervistë për MIA-n.

Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ekonomik, ai thotë se do të jetë një nga prioritetet e mandatit të tij, të cilin ai e filloi në maj të këtij viti, ndërsa i numëron edhe fushat potenciale ku ka interes te kompanitë australiane për të investuar në vend.

"Tashmë ka kompani që punojnë këtu. Realizova takime konstruktive me Qeverinë maqedonase në lidhje me potencialet me burimet minerale në vend. Kjo është në vend të parë. Së dyti, ju po bëheni qendër e përshpejtuar për TI dhe ka disa kompani australiane që janë aktive. Do të doja të kishte më shumë, për arsye se kam biseduar për këtë me kompanitë, me odat ekonomike për të parë nëse mund të ketë më shumë kompani TI. Ju keni njerëz të kualifikuar që flasin anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Ka potencial këtu. Po ashtu jemi duke shikuar edhe mundësi të tjera. Për shembull, me energji të pastër dhe e di që Qeveria ka strategji shumë të mirë për këtë... Në bazë të ekspertizës dhe njohurive që kemi në Australi, mendoj se mund të ndihmojmë. Australia ka numrin më të madh të paneleve diellore në çati të shtëpive në botë. Dhe ne kemi një qëllim ambicioz për t'u përqëndruar në energjinë e ripërtëritshme. Kemi shumë për të folur në këtë fushë", shprehet ambasadori Trasvell.

Lidhur me mundësinë e heqjes së vizave për shtetasit maqedonas që duan të udhëtojnë në Australi ose të paktën për të lehtësuar procedurën, ai thekson se tani për tani nuk ekziston mundësi e tillë.

- Australia është kontinent dhe për këtë arsye ne mund të kontrollojmë më lehtë lëvizjen e njerëzve dhe migrimin se Evropa, për shembull. Regjimi ynë i vizave nuk diskriminon asnjë vend. Përkundrazi, ai u detyrua të përballet me të. Por, ne jemi gjithmonë të gatshëm të dëgjojmë sugjerimet për ndryshim dhe t'i marrim parasysh ato. Por, me sa di unë, nuk ka sugjerime për ndryshime të rëndësishme në këtë moment", është decid Trasvelli.

Ambasada australiane do të shënojë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me më shumë aktivitete. Përveç pritjes së madhe që ka ndodhur tashmë, është hapur ekspozitë e veprave artistike nga popujt indigjenë, ndërsa sonte dhe nesër në mbrëmje mund të shihen dy filma australianë në Kinotekë . Sonte me fillim nga ora  20:00, do të shfaqet filmi australian “Amvisëri për fillestarët” (Housekeeping for Beginners)  i regjisorit të shquar maqedonas-australian të filmit Goran Stolevski, ndërsa nesër në të njëjtin termin është komedia “Hiri i oborrit”(Backyard Ashes).

"Do t'i ftoja njerëzit të vizitojnë ekspozitën në Muzeun e Artit Bashkëkohor. Kemi edhe një festival të vogël filmi, disa filma do të shfaqen në Kinotekë të premten dhe të shtunën. Në të njëjtën kohë, një artist me famë botërore i muraleve në Manastir do të vizatojë një mural që do të simbolizojë partneritetin midis kombeve. Ai tashmë po e vizaton atë dhe shpresojmë se do të jetë gati deri të shtunën. Ideja ishte të ketë diçka që do të zgjaste dhe diçka që njerëzit mund ta shikojnë. Murali do të jetë ende këtu edhe për 40 vjetorin", thotë ambasadori Trasvell.

Në Australi, diaspora maqedonase numëron rreth 115.000 persona, por besohet se numri është më i lartë. 

Maqedonia e Veriut dhe Australia vendosën marrëdhënie diplomatike më 20 dhjetor të vitit 1995.

Në vazhdim është intervista e plotë me Ambasadorin e Australisë në Maqedoninë e Veriut në Beograd, Peter Trasvell, në të cilën ai flet, ndër të tjera, për përpjekjet e paqes për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, për mundësinë e hapjes së një ambasade australiane në vend.

Ky vit 2025 shënon tre dekada nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shkupit dhe Kanberrës. Si i vlerësoni marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Australisë?

- Mendoj se janë në formë të mirë, shumë të mirë. Ne organizuam pritje për të shënuar 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Për fat të keq, ministrja e Jashtme australiane Peni Vong nuk mund të vinte për të marrë pjesë në këtë ngjarje, por prandaj kishte video-mesazh.

Edhe Timço Mucunski kishte video-mesazh meqë qëndron për vizitë në një vend të huaj. Të dy video-mesazhet u lëshuan në mbrëmjen e pritjes.

Në mesazhin e saj, ministrja e Punëve të Jashtme të Australisë konfirmon se ekziston lidhje e fortë midis dy vendeve tona. Ndajmë vlera të përbashkëta. Ka lidhje të forta midis dy popujve dhe marrëdhëniet janë në formë të mirë. Shumë njerëz nga Maqedonia e Veriut kanë emigruar në Australi, disa janë kthyer në vend, e disa kanë mbetur. Disa kanë themeluar familjet dhe tani është gjenerata e dytë ose e tretë. Pra, ekziston një lidhje e fortë dhe Australia ishte një nga destinacionet më të mëdha për maqedonasit që emigruan në 50-60 vitet e fundit. Shumica e njerëzve që takoj këtu kanë njëfarë lidhje me Australinë. Dhe kjo është baza për lidhje të mira ekonomike. Njerëzit vijnë këtu, hapin biznese të vogla, biznese familjare. Njerëzit blejnë hotele, për shembull, në Ohër, disa janë të angazhuar në prodhimin e verës.

Në marrëdhëniet ekonomike, sektori minerar dhe ai që lidhet me lëndët e para janë thelbësore. Disa kompani australiane janë të angazhuara në miniera dhe kanë potencial të mirë për të hapur miniera. Sigurisht, ata duhet të përmbushin standardet ekologjike dhe kërkesat e Qeverisë. Australia ka shumë përvojë në këtë fushë, pasi ka shumë miniera. Vendi është eksportuesi më i madh në nivel global, për shembull, i mineralit të hekurit dhe ne jemi gjithashtu të dytët në eksportet e gazit. Kemi me të vërtetë shumë përvojë.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski vizitoi Australinë në fillim të këtij viti me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Kjo ishte vizita e parë e nivelit të lartë pas 15 vjetësh. A mund të presim dialog më dinamik politik midis dy shteteve?

- Kam pasur fatin e mirë të njoftoj ministrin Mucunski kur ai erdhi në Australi në Kanbera para se të vija këtu dhe të merrja postin e ambasadorit. E shoqërova edhe gjatë një vizite në Parlamentin australian për një seancë të pyetjeve të deputetëve. E shoqërova edhe në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Australisë dhe gjatë vizitës në monumentin kushtuar të gjithë atyre që vdiqën në luftëra nga Australia, por edhe nga vendet e tjera. Nga diskutimet e mia me të, e di që ministri dëshiron të ruajë atë nivel marrëdhëniesh midis dy vendeve. Do të donim të shihnim nëse është e mundur që përfaqësues të lartë nga Australia të vijnë këtu. Shpresoj për lidhje më të forta në të ardhmen në nivelin e përfaqësuesve apo edhe në nivelin e ministrave.

Lidhur me bashkëpunimin parlamentar, Grupi i miqësisë u rithemelua në Parlamentin australian për bashkëpunim me anëtarët e Kuvendit të Maqedonisë. A është kjo shenjë e mirë për marrëdhëniet midis dy vendeve?

- Deputetja australiane Kasandra Fernando vizitoi dy herë Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit ku u takua me deputetë. Kohët e fundit, u takova me kryetarin e Kuvendit tuaj dhe diskutuam për bashkëpunimin parlamentar. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme sepse të dy vendet kanë traditë të fortë të demokracisë dhe ka lidhje të fortë midis popujve të dy vendeve.

Ai gjithashtu u jep dimension më të gjerë marrëdhënieve dypalëshe që forcojnë ndërveprimin parlamentar. Kur ministri Mucunski ishte në Kanbera, ai pati takim me Grupin parlamentar të miqësisë, dhe unë isha me të. Takim shumë konstruktiv dhe me shumë potencial.

Deri më tani, qeveritë kanë nënshkruar disa marrëveshje në lidhje me politikën sociale, si dhe midis forcave të policisë, ndërsa ka edhe marrëveshje për të luftuar krimin transnacional dhe terrorizmin. A ka ndonjë plan për lidhjen e marrëveshjeve të tjera?

- Gjithmonë ka hapësirë për dy vende mike si e jona për të bërë më shumë dhe për të lidhur më shumë marrëveshje.

Mandati juaj filloi në maj kur i dorëzuat letrat kredenciale Presidentit Gordana Siljanovska-Davkova. Në takim, ju theksuat se misioni juaj është forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Çfarë iniciativash planifikoni në këtë drejtim?

- Siç thashë, tashmë ka kompani që punojnë këtu. Realizova takime konstruktive me Qeverinë maqedonase në lidhje me potencialet me burimet minerale në vend. Kjo është në vend të parë. Së dyti, ju po bëheni qendër e përshpejtuar për TI dhe ka disa kompani australiane që janë aktive. Do të doja të kishte më shumë, për arsye se kam biseduar për këtë me kompanitë, me odat ekonomike për të parë nëse mund të ketë më shumë kompani TI. Ju keni njerëz të kualifikuar që flasin anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Ka potencial këtu. 

Po ashtu jemi duke shikuar edhe mundësi të tjera. Për shembull, me energji të pastër dhe e di që Qeveria ka strategji shumë të mirë për këtë... Punon me partnerë të tjerë, njëri prej tyre është Mbretëria e Bashkuar. Në bazë të ekspertizës dhe njohurive që kemi në Australi, mendoj se mund të ndihmojmë. Australia ka numrin më të madh të paneleve diellore në çati të shtëpive në botë. Dhe ne kemi një qëllim ambicioz për t'u përqëndruar në energjinë e ripërtëritshme. Kemi shumë për të folur në këtë fushë.

A ka tendencë për të rritur shkëmbimin tregtar?

- Do të doja të shihja rritje në tregti. Duhet të përmirësojmë tregtinë. Ka interes nga Qeveria maqedonase. Duke marrë parasysh se kemi lidhje të ngushta midis ministrive këtu, ka potencial dhe shpresoj se mund të ketë edhe ndryshim. Ministri Mucunski tha të njëjtën gjë kur ishte në Australi. Të dyja qeveritë po përpiqen të arrijnë diçka në këtë fushë.

Sa i përket bashkëpunimit kulturor, për shembull, ose në fushën e arsimit, a ekziston mundësia e heqjes së vizave për shtetasit maqedonas që duan të udhëtojnë në Australi, ose të paktën për ta lehtësuar atë procedurë?

- Australia është kontinent dhe për këtë arsye ne mund të kontrollojmë më lehtë lëvizjen e njerëzve dhe migrimin se Evropa, për shembull. Regjimi ynë i vizave nuk diskriminon asnjë vend. Përkundrazi, ai u detyrua të përballet me të. Por, ne jemi gjithmonë të gatshëm të dëgjojmë sugjerimet për ndryshim dhe t'i marrim parasysh ato. Por, me sa di unë, nuk ka sugjerime për ndryshime të rëndësishme në këtë moment.

Maqedonia e Veriut ka ambasadën e saj në Kanbera dhe konsullatën e përgjithshme në Melburn, e cila, ndër të tjera, është në funksion të diasporës së madhe maqedonase në Australi. A ka mundësi që Australia të hapë ambasadë rezidente në Shkup?

- Kjo është pyetje e mirë që ma parashtrojnë shpesh. Është një vendim që duhet të merret nga qeveria australiane, një vendim politik. Ndërkohë, kemi konsull nderi të shkëlqyer që po bën punë të shkëlqyer me Ambasadën në Beograd. Ne vijmë shumë shpesh dhe përpiqemi të bëjmë dallim në marrëdhëniet dypalëshe.

Lidhur me gjeopolitikën. Cili është qëndrimi juaj për negociatat në vazhdim në lidhje me planin e paqes të Trampit për Ukrainën, të cilat janë në fazë delikate?

- Dëshiroj të përsëris deklaratën e ministres sonë të Punëve të Jashtme. Ajo deklaroi se Australia mbështet përpjekjet për të arritur marrëveshje paqeje që do t'i japë fund luftës së paligjshme dhe të pamoralshme të Rusisë dhe që do të ruajë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Ai gjithashtu deklaroi se një paqe e qëndrueshme duhet të riafirmojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të mbështesë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe më e rëndësishmja, të sigurojë që Rusia të mos përsërisë agresion të tillë.

E çfarë ndodhë me bashkëpunimin midis Australisë dhe NATO-s, ku Maqedonia e Veriut është anëtare?

- Jemi në një rajon që e quajmë indo-paqësor. Shtrihet nga India në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet në mes, Azia Juglindore, Azia Veriore. Rajoni ynë nuk është Evropa - e cila është pjesë e rajonit Euro-Atlantik. Por për shkak të luftës së paligjshme dhe imorale në Ukrainë, ka hapësirë më të madhe ose nevojë më të madhe për bashkëpunim midis dy rajoneve të ndryshme. Fillimisht, Australia është kontribuesi më i madh në mbrojtjen e Ukrainës jashtë NATO-s.

Dhuruam 1,5 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. E, kjo është ndihma më e madhe jashtë NATO-s. Keni parë që ushtarët e Koresë së Veriut po luftojnë në Rusi. Kjo të tregon se ky nuk është vetëm problem për këtë rajon. Është problem që prek rajone të ndryshme dhe është i rëndësishëm edhe për ne. Pra, Australia është pjesë e një grupi të vogël vendesh që përfshin Japoninë dhe të tjerët, të cilët kanë bashkëpunim shumë të rregullt, shumë të ngushtë me NATO-n në selinë në Bruksel dhe vende të tjera. Kemi dialog të ngushtë me NATO-n dhe ministrat tanë shkojnë në konferenca të rëndësishme të NATO-s. Në konferencën e fundit të NATO-s, ministri ynë i Mbrojtjes ishte atje. Dhe është e rëndësishme të thuhet se ne e përshëndesim me të vërtetë faktin që vendi juaj është në NATO për disa vjet. Është me të vërtetë e rëndësishme për rajonin. E mirëpresim ndihmën që ia keni dhënë Ukrainës. Shumë ndihmë për një vend të vogël, dhe kjo është shumë e mirëpritur.

Sigurisht që ka vend për të bërë më shumë midis Australisë, e cila është pjesë e kësaj marrëdhënieje aleate të sigurisë, siç thashë, midis Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Zelandës së Re, dhe NATO-s. Por ne nuk jemi pjesë e NATO-s, por mbështesim atë që po bën NATO. Si në Afganistan. për shembull. Edhe në atë konflikt, Australia ishte partneri më i madh joanëtar i NATO-s.

Cili është komenti juaj për rrugën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE?

- Do të donim të shihnim zgjerimin e BE-së, i cili është i rëndësishëm për prosperitetin e vendeve në Ballkan. Është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit. Dëshirojmë të shohim përparimin e Maqedonisë së Veriut në negociatat me BE-në. Por, ne nuk jemi pjesë e BE-së dhe nuk mund të komentoj më tej se shpresojmë që hendeku të tejkalohet në mënyrë që të mund të vazhdoni përpara në negociatat.

Cilat janë aktivitete do të shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve?

- 30 vjet marrëdhënie diplomatike janë një punë e madhe edhe për shumë australianë të Maqedonisë. Dhe ne duam të tregojmë se kjo ka rëndësi si për Qeverinë australiane ashtu edhe për popullin australian. Kemi disa ngjarje të ndryshme që ndodhin gjatë një jave për ta festuar këtë. Patëm një pritje të madhe këtë javë, ku morën pjesë disa qindra njerëz, me muzikë australiane. Siç thashë, i kemi pasur mesazhet nga ministrat e jashtëm. Ishte një ngjarje e madhe, e rëndësishme dhe një mundësi për shumë njerëz këtu në Shkup për ta festuar atë. Të martën, hapëm një ekspozitë me vepra arti nga popujt indigjenë. Do t'i ftoja njerëzit të vizitojnë Muzeun e Artit Bashkëkohor. Kemi edhe një festival të vogël filmi, disa filma do të shfaqen në Kinotekë të sonte dhe nesër, të shtunën. 

Një artist i njohur botëror i muraleve do të vizatojë një mural që do të simbolizojë partneritetin midis popujve të Manastirit. Ai tashmë po e vizaton atë dhe shpresojmë se do të jetë gati deri të shtunën. Ideja ishte të ketë diçka që do të zgjaste dhe diçka që njerëzit mund ta shikojnë. Muralja do të jetë ende këtu për 40 vjetorin e marrëdhënieve tona.

foto: Frosina Naskoviq

 

Остани поврзан