• четврток, 10 октомври 2024

Ambasadori gjerman, Rode: Kosova në CEFTA nuk do të përfaqësohet më përmes UNMIK-ut

Ambasadori gjerman, Rode: Kosova në CEFTA nuk do të përfaqësohet më përmes UNMIK-ut

Prishtinë, 9 tetor 2024 (MIA) - Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode ka bërë të ditur se zyrtarisht, pas heqjes së ndalesës së importit nga Serbia në Kosovë përmes një vendkalimi kufitar, është zhbllokuar Marrëveshja për tregti të lirë të Evropës qendrore (CEFTA), njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në postimin në platformën “X”, Rode ka informuar se tash e tutje Kosova në CEFTA nuk do të përfaqësohet më me emrin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, siç ishte deri tani, por nga përfaqësuesit e saj zyrtarë.

“Padyshim lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tash, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, siç do të duhej dhe jo me UNMIK. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë trup rajonal”, ka shkruar Rode.

Dje Qeveria e Kosovës ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia nga “ndalim” në “kontroll i shtuar”.

Kosova ka ndaluar importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga ana e forcave serbe në kufirin mes dy vendeve, tensioneve në veri me shumicë serbe të vendit dhe dyshimeve se vitin e kaluar përmes mallrave janë kontrabanduar ilegalisht armë.

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për shtyp tha se masat e Kosovës për kufizimin e importeve nga Serbia “asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë komerciale, por masa sigurie”.

Vendimi i djeshëm i qeverisë së Kurtit u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore, si dhe kryeministri serb Millosh Vuçeviq i cili deklaroi se me këtë “shmanget edhe një tension që ekzistonte prej kohësh".

 

 

 

Тагови

Остани поврзан