AKI- Gostivar: Nga vijnë milionat? Pyetje pa përgjigje për investimin megaloman të Nevzat Bejtës në Mavrovë!
- Ajo që po ndodh me projektin e ashtuquajtur “zhvillim turistik” në Parkun Kombëtar “Mavrovë” nuk është as zhvillim dhe as turizëm. Është një tentativë e hapur për të imponuar beton në një zonë të mbrojtur, përmes anashkalimit të ligjit, shmangies së transparencës dhe kapjes së institucioneve.
Shkup, 25 dhjetor 2025
Ajo që po ndodh me projektin e ashtuquajtur “zhvillim turistik” në Parkun Kombëtar “Mavrovë” nuk është as zhvillim dhe as turizëm. Është një tentativë e hapur për të imponuar beton në një zonë të mbrojtur, përmes anashkalimit të ligjit, shmangies së transparencës dhe kapjes së institucioneve.
Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar “Mavrovë” është i qartë dhe i prerë: në zonën e menaxhimit aktiv ndalohet ndërtimi i objekteve të reja turistike. Ky dokument nuk është opinion, por akt zyrtar që buron nga ligji dhe që ka përparësi ndaj çdo projekti urbanistik të improvizuar. Injorimi i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë ligjore dhe cenim serioz të interesit publik.
Përdorimi i modelit “projekt urbanistik jashtë planit urbanistik” për komplekse hoteliere dhe vendbanime të reja është manipulim i hapur i dispozitave ligjore. Ky mekanizëm është menduar për raste të veçanta dhe ndërtime minimale, jo për ndërhyrje masive që ndryshojnë strukturën mjedisore, urbanistike dhe ekonomike të një zone të tërë. Vetë volumi dhe natyra e projektit e bëjnë të detyrueshëm hartimin e një plani të detajuar urbanistik me debat publik dhe vlerësim të plotë të ndikimit.
Fakti që procedura është shtyrë në heshtje, pa përfshirje reale të publikut dhe pa ballafaqim me argumentet e ekspertëve, tregon qartë se dikush po përpiqet ta kalojë projektin para syve të qytetarëve, duke shfrytëzuar boshllëqe procedurale dhe heshtjen institucionale.
Veçanërisht shqetësues është konflikti i interesit. Disa nga parcelat e përfshira në projekt janë pronë e djalit të Nevzat Bejtës, ish-kryetar i Gostivarit dhe tani kandidat i VLEN-it. Në këtë kontekst, lind dyshimi i arsyeshëm se kandidimi i Nevzat Bejtës për kryetar të Gostivarit nuk ka motiv real politik apo elektoral, por shërben si instrument presioni për të siguruar leje ndërtimi dhe mbrojtje politike për këtë projekt.
Kur një kandidat hyn në garë pa shanse reale për fitore, por në të njëjtën kohë familjarisht është i përfshirë në një projekt milionësh që varet nga vendimet e institucioneve, pyetja bëhet legjitime: a po përdoret politika si mjet për interesa private?
Institucionet nuk mund të fshihen pas “mendimeve pozitive” dhe rekomandimeve të përgjithshme. Përgjegjësia është konkrete dhe personale. Nëse ky projekt vazhdon, do të thotë se ligji është nënshtruar, ndërsa Parku Kombëtar “Mavrovë” është dorëzuar para interesave të ngushta.
Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të procedurës, respektimin e plotë të Planit të Menaxhimit dhe hapjen e një debati publik të vërtetë. Mavrova nuk është pronë private dhe nuk mund të shndërrohet në monedhë shkëmbimi politik.
Lind pyetja tjetër logjike dhe e pashmangshme: nga i ka siguruar Nevzat Bejta mjetet financiare milionëshe për projekte të këtij përmasimi? Me çfarë burimi janë krijuar këto kapacitete investuese – nga të ardhura të deklaruara, aktivitete biznesi të verifikueshme apo nga lidhje dhe favore të ndërtuara gjatë viteve në pushtet? A ekziston një përputhje reale mes pasurisë së deklaruar dhe ambicieve ndërtimore që sot shfaqen si “investim privat”, apo kemi të bëjmë me një tjetër rast ku pushteti politik shndërrohet në kapital ekonomik, pa llogaridhënie dhe pa transparencë?
Referencë: https://fokus.mk/se-podgotvuva-megalomanski-proekt-za-izgradba-na-hotelski-kompleksi-vo-zabranetiot-del-na-np-mavrovo/
Aleanca Kombëtare për Integrim- Gostivar