• петок, 05 декември 2025

Adili-Emini: Pjesëmarrja në PABSEK është konfirmim i përkushtimit për bashkëpunimin, paqen dhe zhvillimin e përbashkët

Adili-Emini: Pjesëmarrja në PABSEK është konfirmim i përkushtimit për bashkëpunimin, paqen dhe zhvillimin e përbashkët

Shkup, 25 nëntor 2025 (MIA) - Valbona Adili-Emini, anëtare e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 66-të në mbledhjen e PABSEK-ut, që u mbajt në Sofje, Republika e Bullgarisë, nga 23 deri më 25 nëntor 2025.

Valbona Adili-Emini, siç kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit, mori pjesë aktive në punën e trupave parlamentare dhe në diskutimet plenare.

Në hapjen solemne të mbledhjes, fjalime përshëndetëse mbajtën Dragomir Stojnev, nënkryetar i Kuvendit Kombëtar të Republikës së Bullgarisë; Shalva Papuashvili, kryetar i Parlamentit të Gjeorgjisë; Georg Georgiev, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Bullgarisë dhe kryesues i BSEK-ut; Petar Kanev, shef i Delegacionit Bullgar në PABSEK dhe Asaf Haxhiev, sekretar i përgjithshëm i PABSEK-ut.

Në kuadër të debatit të përgjithshëm me temën "Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare rajonale", foli edhe Valbona Adili-Emini. Ajo theksoi rëndësinë e integrimit evropian për vendin, duke theksuar se reformat e zbatuara nga Maqedonia e Veriut synojnë forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe transparencën. Njëkohësisht, Adili-Emini tha se pjesëmarrja jonë në iniciativat rajonale si PABSEK-u është konfirmim i përkushtimit për bashkëpunimin, paqen dhe zhvillimin e përbashkët.

"Maqedonia e Veriut është e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive në politikat e përbashkëta për rritje të qëndrueshme, siguri energjetike dhe shkëmbim kulturor. Deputetja theksoi se bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm zgjedhje pragmatike, por edhe detyrim strategjik. Përmes dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe veprimeve të përbashkëta, ndërtojmë ura besimi, dhe në kohë kur sfidat globale janë gjithnjë e më komplekse, përmes solidaritetit dhe politikave gjithëpërfshirëse mund të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët në rajon", theksoi ajo.

Asambleja e Përgjithshme diskutoi një sërë temash në fushën e bashkëpunimit ekonomik, sundimit të ligjit, politikës sociale dhe humanitare, si dhe rolin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të rajonit të Detit të Zi.

Delegatët miratuan rekomandime mbi aspektet ekonomike, juridike dhe shoqërore të përdorimit të inteligjencës artificiale për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në rajonin e BSEK-ut

Përveç vendit tonë, në Asamble morën pjesë edhe përfaqësuesit e delegacioneve kombëtare të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Armenisë, Rumanisë, Moldavisë, Serbisë, Turqisë dhe Ukrainës.

Ndër përfaqësuesit e institucioneve të tjera ndërkombëtare që mbajtën fjalim në Asamble, janë edhe ambasadori Llazar Komanesku, sekretar i përgjithshëm i BSEK PERMIS; Serhat Koksal, kryetar i Bankës së Tregtisë dhe Zhvillimit të Detit të Zi (BSTDB); si dhe përfaqësuesit e TURKPA, PUIK, RSPK EJL dhe organizatave të tjera partnere.

Në sesion ishte miratuar Deklarata e Përbashkët mbi Situatën në Gaza dhe për Mbështetjen e Ndihmës Humanitare, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive, mbrojtjen e civilëve dhe mundësimin e qasjes humanitare.

Gjeorgjia, gjithashtu, mori zyrtarisht kryesinë e PABSEK-ut, ku Asambleja e Përgjithshme e 67-të do të mbahet në qershor 2026. ls/

Foto: Kuvend

 

 

Остани поврзан