Është shtyrë pagesa nga Plani për rritje i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor
- Pagesat e para nga Plani Evropian për Rritje nuk do të bëhen në pjesën e parë të këtij viti. Sipas shpjegimit të shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian (KE), pagesat nuk do të bëhen para mesit të këtij viti, njoftoi Radio Evropa e Lirë.

Bruksel, 16 shkurt 2025 (MIA) - Pagesat e para nga Plani Evropian për Rritje nuk do të bëhen në pjesën e parë të këtij viti. Sipas shpjegimit të shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian (KE), pagesat nuk do të bëhen para mesit të këtij viti, njoftoi Radio Evropa e Lirë.
“Komisioni evropian momentalisht është duke finalizuar hapat në procedurë, që duhet të mundësojnë pagesën e parafinancimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet të bëhen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”, theksohet në reagimin me shkrim të këtij institucioni.
Siç sqarojnë të referuarit, problemi qëndron te vendet e rajonit që duhet të arrijnë një marrëveshje për hua me Bashkimin Evropian, sepse disa burime financiare janë në formë kredie, e të tjera në formë grantesh. Dhe marrëveshje të tilla kanë karakterin e traktateve ndërkombëtare dhe për këtë arsye duhet të ratifikohen nga parlamentet e atyre vendeve.
“Duket se këtë herë BE-ja është më e gatshme për të bërë pagesa nga kjo pako sesa janë të gatshme të marrin vendet nga rajoni”, deklaroi një burim nga Brukseli për Radion Evropa e Lirë (REL).
Komisioni Evropian nuk ka dhënë një shpjegim të saktë se në cilëm fazë ndodhet çdo vend në rajon lidhur me detyrimet e nevojshme për të filluar pagesat.
“Për të nisur reformat, vendet mund të kërkojnë deri në 7 për qind të parafinancimit të shumës totale të parashikuar në këtë instrument (të shumës fillestare treguese të financimit në dispozicion të secilit përfitues). Kjo është kërkuar nga të pesë përfituesit me agjenda të miratuara të reformave (përveç Bosnje e Hercegovinës, e cila ende nuk e ka dorëzuar një të tillë)”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Për të marrë ndihmë financiare nga Plani i Rritjes, secilit vend në rajon iu kërkua të zhvillonte një agjendë reformash e cila më pas u miratua nga KE. Bosnja e Hercegovina është i vetmi vend që nuk ka një agjendë të miratuar, sepse Sarajeva i dorëzoi Brukselit një dokument të paplotë që nuk i plotëson kriteret e KE-së. ls/