Prokuroria: Po rrjedhin afatet ligjore në të cilat mbrojtja mund të kryejë mbikëqyrje në provat për zjarrin në Koçan
Shkup, 30 maj 2025 (MIA) - Nga prokuroria publike sot njoftuan se në kuadër të procedurës hetimore për zjarrin në diskotekën "Puls" e cila ka përfunduar zyrtarisht, janë mbledhur një numër i madh provash. Janë grumbulluar prova materiale dhe dokumentacion, janë siguruar ekspertiza te detajuara autopsie dhe janë marrë në pyetje rreth 400 dëshmitarë dhe të dëmtuar, ndërsa janë marrë në pyetje edhe të dyshuar.
"Me urdhër të prokurorëve publikë, nëpunës policor dhe hetuesit nga qendrat hetimore të prokurorisë, në vendin e ngjarjes tragjike dhe në shumë lokacione të tjera, mblodhën prova materiale dhe dokumentacion që ishin objekt i ekspertizës. Janë siguruar ekspertiza të detajuara të autopsisë për shkaqet e vdekjes së secilit prej viktimave, si dhe për llojin dhe natyrën e plagëve të personave të lënduar. Janë përgatitur ekspertiza ndërtimore dhe kimike, me të cilën shqyrtohen rrethanat në vetë objektin, standardet e sigurisë, si dhe mënyrën e shfaqjes dhe përhapjes së zjarrit. Lidhur me një pjesë të caktuar të dokumentacionit të klubit janë kryer ekspertiza grafologjike. Janë marrë në pyetje rreth 400 dëshmitarë dhe të dëmtuar, ndërsa janë hetuar edhe të dyshuarit. Nga një numër i madh i pajisjeve elektronike (kompjuterë dhe telefona mobilë) janë nxjerrë dhe analizuar të dhëna, të cilat janë krahasuar me informacionet e tjera të mbledhura gjatë hetimit. Lidhur me funksionimin dhe operimin e klubit, janë bërë verifikime nga Drejtoria e policisë financiare, sipas udhëzimeve të prokurorit publik", njofton Prokuroria publike.
Me përfundimin e procedurës hetimore, në periudhën e ardhshme fillojnë afatet ligjore gjatë të cilave mbrojtja mund të kryejë inspektimin e provave dhe të propozojë provat e saj, pas të cilave do të merret një vendim nga prokurori publik.
Me procedurën hetimore janë përfshirë gjithsej 46 persona të dyshuar, të cilët dyshohen për 'krime të rënda kundër sigurisë publike' sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodot penal.
Nga Prokuroria Publike shtojnë se provat që janë mbledhur gjatë kësaj procedure hetimore, të cilat lidhen me veprimet e nënpunësve policorë, ekipi i prokurorisë do t'ua dërgojë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku deri në këtë moment departamenti i specializuar po zhvillon hetime kundër 14 nënpunësve policor.
"Kjo pjesë e hetimit do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me qëllim që të shqyrtohen plotësisht të gjitha faktet dhe rrethanat", thonë nga Prokuroria.
Nga atje shtojnë se vendimi i prokurorisë publike për secilin nga të dyshuarit do të merret bazuar në materialin e plotë të provave. Për më tepër, nëse nga analiza e këtyre ose provave të tjera dalin elemente të krimit dhe tek individë të tjerë, të cilët deri tani nuk janë përfshirë në procedurën hetimore, prokuroria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj.
Në zjarrin në Koçan humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë u lënduan. qa/
Foto: arkivi i MIA-s