• понеделник, 17 март 2025

BE-ja e gatshme ta ndihmojë vendin rreth tragjedisë në Koçan

BE-ja e gatshme ta ndihmojë vendin rreth tragjedisë në Koçan

Bruksel, 16 mars 2025 (MIA) – Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut në përballjen me pasojat nga zjarri në klubin e natës në Koçan, deklaroi për MIA-n zëdhënësi i Komisionit Evropian. 

 “Jemi të gatshëm të ndihmojmë përmes Mekanizmit tonë për mbrojtje civile, nëse kërkohet kjo”, theksoi zëdhënësi, gjatë kësaj duke shprehur keqardhje për tragjedinë. 

Lidhur me zjarrin u prononcua edhe komisarja evropiane për barazi, gatishmëri dhe menaxhment të krizave, Haxha Labib e cila shprehu keqardhje për viktimat dhe shprehu solidaritet me vendin. 

 “Tragjedi në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku një zjarr katastrofik në një lokal nate ka shkaktuar një numër të madh të të vdekurve dhe të plagosurve. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e emergjencës. BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje. Ne qëndrojmë në solidaritet me Maqedoninë e Veriut”, tha Labib në një postim në Iks.

Më parë shprehu ngushëllime, solidaritet dhe dhimbje edhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, kryetaret e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe Roberta Mecolla, përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas dhe komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos. 

Të paktën 59 persona humbën jetën, ndërsa 155 janë lënduar në zjarrin që ndodhi natën e kaluar në një klub nate në Koçan. fc/

Fotografia: Epa/Iks

Остани поврзан