Vendet në BeH të prekura nga përmbytjet nuk njihen
- Pas vërshimeve që goditën dje BeH-në, situata më e rëndë është në Komunën e Jabllanicës, ku numri më i madh i ndërtesave dhe objekteve të shembura janë nën ujë, ndërsa situata e njëjtë është edhe në Trusinë dhe Buturoviq Polje, njofton televizioni BHT1.
- Post By Melahat Baftija
- 11:27, 5 tetor, 2024
Jabllanicë, 5 tetor 2024 (MIA) - Pas vërshimeve që goditën dje BeH-në, situata më e rëndë është në Komunën e Jabllanicës, ku numri më i madh i ndërtesave dhe objekteve të shembura janë nën ujë, ndërsa situata e njëjtë është edhe në Trusinë dhe Buturoviq Polje, njofton televizioni BHT1.
Një gazetare televizive, duke raportuar nga terreni, deklaroi se këto vende nuk njihen më.
“Mund të shohim vetëm pemë dhe ujë, baltë, gjithçka noton në sipërfaqen e ujit, mund të shohim banorë të shqetësuar", tha ajo dhe shtoi se tashmë kanë filluar aksionet humanitare për të ndihmuar ata që janë në rrezik.
Sipas të dhënave të fundit jozyrtare, vetëm në territorin e Jabllanicës rezultojnë 48 persona të zhdukur, ndërsa të dhënat zyrtare thonë se pas përmbytjeve të rrëmbyeshme dhe rrëshqitjeve të dheut në Jabllanicë, Koniq, Kreshevë dhe Kiseljak, është konfirmuar vdekja e 19 personave, ndërsa vazhdon kërkimi për shumë persona të tjerë.
Popullsia në zonat e prekura ka nevojë për ndihmë urgjente, ndërsa më urgjente janë ushqimet e konservuara dhe uji i ambalazhuar.
Komunikimi rrugor është vështirësuar, ndërsa në disa vende është ndërprerë plotësisht. mb/
Foto: EPA