• e shtunë, 26 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kaja Kalas në turne treditore në Ballkanin Perëndimor

Kaja Kalas në turne treditore në Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 7 prill 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kalas niset për vizitën e saj të parë në Ballkanin Perëndimor që nga marrja e detyrës, në kuadër të së cilës prej sot deri të mërkurën do të qëndrojë në Malin e Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sot, në ditën e parë të turneut, Kalas në Podgoricë do të ketë takime me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe me kryeministrin Milojko Spajiq. Është paraparë që Kalas të ketë takime edhe me përfaqësues të organizatave civile, ndërsa do të marrë pjesë edhe në dorëzimin e pajisjeve ushtarake për Malin e Zi, të financuar nga Fondi evropian i paqes.

Nga Podgorica, përfaqësuesja e lartë e BE-së do të udhëtojë drejt Tiranës, ku nesër do të takohet me presidentin shqiptar, Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama, si dhe me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani dhe me ministrin e Mbrojtjes, Piro Vengu.

Së bashku me Hasanin dhe Vengun, Kalas do ta mbajë edhe Dialogun e parë për siguri dhe mbrojtje BE-Shqipëria, ndërsa do të marrë pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjeve për grant dhe kredi nga Banka Evropiane për Investime për ndërtimin e një hekurudhe nga Durrësi në Rogozhinë. Kalas, gjithashtu do të mbajë edhe fjalim para studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërive civile. 

Në pjesën e fundit të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, Kalas do të qëndrojë në Sarajevë, ku nesër do të ketë takim me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, ndërsa është paraparë që gjatë vizitës të takohet edhe me kryetaren e Këshillit të ministrave të BeH, Borjana Krishto, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq. 

Përveç kësaj, Kalas do t'i vizitojë edhe pjesëtarët e misionit të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë - EUFOR Altea. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR