• e hënë, 23 dhjetor 2024

UNICEF: Të paktën 17.000 fëmijë në Gazë janë ndarë nga familjet e tyre

UNICEF: Të paktën 17.000 fëmijë në Gazë janë ndarë nga familjet e tyre

Jerusalem, 2 shkurt 2024 (MIA) - Të paktën 17 mijë fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre në Rripin e Gazës, sipas një raporti të UNICEF-it.

"Të paktën 17.000 fëmijë që është rreth një për qind e gjithë popullsisë së zhvendosur prej 1.7 milionë", tha zëdhënësi i UNICEF-it për territoret palestineze, Xhonatan Kriks.

Duke folur në video-konferencën nga Jerusalemi, ai deklaroi se është jashtëzakonisht e vështirë të gjenden fëmijët, sepse ndonjëherë ata nuk mund të thonë as emrat e tyre kur vijnë në spitale, kur janë të lënduar ose në rrezik dhe në gjendje shoku.

Fëmijët që mbeten pa prindër gjatë konfliktit shpesh kujdesen nga të afërm të tjerë, por aktualisht në Gazë ku nuk ka ushqim, ujë apo strehim edhe ato familje të mëdha e kanë të vështirë të kujdesen për fëmijët e tyre, tha Kriks.

Sipas UNICEF-it, pothuajse të gjithë fëmijët në Gazë që vlerësohet të jenë më shumë se një milion, kanë nevojë për mbështetje për të ruajtur shëndetin e tyre mendor, që është dy herë më shumë se para fillimit të luftës të shkaktuar nga sulmet e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

“Fëmijët shfaqin simptoma të nivelit të lartë të ankthit, humbje oreksi, nuk mund të flenë, kanë rënie emocionale dhe panik sa herë që dëgjojnë tingujt e bombardimeve”, tha zëdhënësi i UNICEF-it.

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR