Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza ka hedhur poshtë planin e Trampit për t'i dhënë fund luftës në enklavë
- Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza thuhet se ka hedhur poshtë planin e paqes të presidentit të SHBA-së Donald Tramp për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe është i vendosur të vazhdojë luftën kundër Izraelit.
- Post By Sara Ademi
- 18:04, 2 tetor, 2025
Gaza, 2 tetor 2025 (MIA) - Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza thuhet se ka hedhur poshtë planin e paqes të presidentit të SHBA-së Donald Tramp për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe është i vendosur të vazhdojë luftën kundër Izraelit.
Iz al-Din al-Hadad, i cili dyshohet se luajti një rol kyç në sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, beson se marrëveshja synon të shkatërrojë Hamasin - pavarësisht nëse lëvizja e pranon planin apo jo, raporton Dejli Meil.
Trampi dy ditë më parë i dha Hamasit tre deri në katër ditë për të pranuar planin e paqes, të cilin Izraeli e ka miratuar tashmë, duke paralajmëruar për një "fund shumë të trishtueshëm" nëse grupi e refuzon propozimin.
Plani me 20 pika kërkon që organizata militante islamike të çarmatoset, të lirojë pengjet brenda 72 orëve dhe të dakordohet për një armëpushim.
Gjithashtu kërkon që Izraeli të lirojë një numër të madh të të burgosurve palestinezë dhe të tërhiqet nga Rripi i Gazës, me qëllim krijimin e një qeverie kalimtare të udhëhequr nga një organ ndërkombëtar - që do të thotë se Hamasi nuk do të ketë pushtet në të ardhmen në enklavë.
Sipas Bi-Bi-Si, kjo është e papranueshme për Al-Hadadin, i cili është i vendosur të vazhdojë luftën.
Besohet se anëtarët e Hamasit janë të ndarë në mendime nëse duhet ta pranojnë planin, ndërsa disa anëtarë të udhëheqjes politike në Katar janë të përgatitur ta pranojnë atë me disa ndryshime.
Megjithatë, këta përfaqësues kanë pak ndikim në vendim, pasi nuk kanë kontroll mbi pengjet e mbajtura nga organizata.
Rreth 48 pengje janë ende në Gaza, nga të cilët besohet se afërsisht 20 janë ende gjallë.
Kërkesa që të gjithë pengjet të lirohen brenda 72 orëve konsiderohet një pengesë kryesore për grupin terrorist, pasi një veprim i tillë do të thoshte heqje dorë nga e vetmja armë negociuese.
Udhëheqës të tjerë të Hamasit nuk i besojnë Izraelit dhe besojnë se administrata e Trampit nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë kryeministrin Benjamin Netanjahu nga rifillimi i fushatës ushtarake - veçanërisht pas vrasjes së dështuar të kohëve të fundit të zyrtarëve të lartë të Hamasit në Doha pa miratimin e SHBA-së. sa/
foto: EPA