Trampi i jep Putinit tri ditë afat për ndërprerjen e zjarrit në Ukrainë
- Presidenti i SHBA-së Donald Tramp deklaroi sot se Uashingtoni pret deri në fund të kësaj jave të marrë një përgjigje nga presidenti rus Vladimir Putin për një propozim për armëpushim në Ukrainë.
- Post By Fami Bajrami
- 09:54, 18 prill, 2025

Uashington, 17 prill 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp deklaroi sot se Uashingtoni pret deri në fund të kësaj jave të marrë një përgjigje nga presidenti rus Vladimir Putin për një propozim për armëpushim në Ukrainë.
"Do të dëgjojmë përgjigjen e tyre shumë shpejt, në fakt këtë javë. Ne duam që vrasjet të ndalen", tha Trampi në një konferencë me kryeministren e Italisë Xhorxha Meloni në Shtëpinë e Bardhë.
Trampi, gjithashtu, përsëri foli për presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski.
"Nuk jam i kënaqur me të. Nuk po e akuzoj, por them se nuk e ka bërë punën më të mirë. Nuk jam një tifoz i madh", tha Trampi për homologun e tij ukrainas.
Trampi potencoi se Rusia ka një armatë shumë më të madhe se Ukraina dhe fajësoi përsëri paraardhësin e tij, Xho Bajdenin për luftën, ashtu siç bëri kohët e fundit kur fajësoi presidentin rus Vladimir Putin dhe atë ukrainas Zelenskin.
Shtoi se SHBA-ja dhe Ukraina mund të nënshkruajnë marrëveshje për resurset natyrore më së voni deri më 24 prill. Sipas tij, marrëveshja i lejon Amerikës të rimbursojë shpenzimet e ndihmës ushtarake të dhënë për Kievin.
Sipas "Blumberg", shuma e këtij "borxhi" u zvogëlua trefish gjatë negociatave - nga 300 miliardë në 100 miliardë dollarë.
SHBA-ja është e gatshme të vendos sanksione të reja kundër Rusisë nëse Putini nuk pranon një armëpushim deri në fund të prillit, gjithnjë sipas burimeve të "Aksios".
Trampi ishte i pakënaqur me sjelljen e Putinit dhe beson se ai po e vonon qëllimisht procesin e negociatave, mësoi më herët "Foks njuz. Sipas të njëjtave burime, Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e sanksioneve të rrepta kundër "flotës në hije" të Rusisë. Trampi më herët deklaroi se mund të vendosë dogana deri në 500 për qind ndaj vendeve që blejnë naftë ruse. rq/
Foto: arkivi i MIA-s