Suarezi e përfundon karrierën për reprezentacionin e Uruguait
- Sulmuesi Luis Suarez i cili është një legjendë e futbollit të Uruguait në konferencë për shtyp kumtoi se të premten kundër Paraguait në Montevideo do të luajë ndeshjen e fundit për kombëtaren.
Montevideo, 3 shtator 2024 (MIA) - Sulmuesi Luis Suarez i cili është një legjendë e futbollit të Uruguait në konferencë për shtyp kumtoi se të premten kundër Paraguait në Montevideo do të luajë ndeshjen e fundit për kombëtaren.
"E premtja do të jetë ndeshja ime e fundit me kombëtaren e vendit tim", tha lojtari 37-vjeçar i cili konsiderohet si një nga qendërsulmuesit më të mirë në shekullin e 21-të.
“Pistolero” popullor u përlot disa herë kur publikoi vendimin e tij për të mos luajtur më për Uruguain. Megjithatë, sulmuesi është i bindur se tani është koha e duhur për t'u tërhequr.
Ai largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e "Selesta" me 69 gola në 142 ndeshje, ndërsa këtë arritje mund ta përmirësojë të premten në Estadio Sentenario.
"Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por e mora plotësisht me qetësi”, tha Suarez, i cili u zotua se do të luajë ndeshjen e fundit me “të njëjtin entuziazëm” që tregoi kur bëri debutimin e tij për Uruguain 17 vjet më parë.
Ish sulmuesi i Atletiko Madridit, Barcelonës dhe Liverpulit po bën hapat e tij të parë për kombëtaren nën drejtimin e Oskar Uashington Tabarez, duke luajtur përkrah sulmuesve të mëdhenj si Diego Forlan dhe Edinson Kavani.
Luis Suarez ka njoftuar tashmë se Inter Miami do të jetë klubi i tij i fundit pas transferimit në skuadrën amerikane, ku janë ish bashkëlojtarët e Barcelonës, Lionel Mesi, Serhio Buskets dhe Zhordi Alba. ls/
Foto: printskrin