• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stano: Kërcënimet e Hezbollahut ndaj Qipros janë edhe kërcënime ndaj BE-së

Stano: Kërcënimet e Hezbollahut ndaj Qipros janë edhe kërcënime ndaj BE-së

Bruksel, 20 qershor 2024 (MIA) - Çdo kërcënim për një vend anëtar të BE-së është kërcënim edhe për Bashkimin Evropian, tha sot zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, duke komentuar kërcënimet drejtuar Qipros nga lideri i Hezbollahut, për shkak të mbështetjes së pretenduar të Nikozisë për Izraelin.

"Qiproja është vend anëtar i Bashkimit Evropian, që do të thotë se BE-ja është Qipro dhe Qiproja është BE. Kjo do të thotë gjithashtu se çdo kërcënim për një vend anëtar është gjithashtu një kërcënim për Bashkimin Evropian. Në këtë kuptim, BE-ja mbështet plotësisht Qipron, vuri në dukje Stano.

Lidhur me tensionet e fundit në Libanin jugor, Stano theksoi se BE-ja po monitoron nga afër zhvillimet mes Izraelit dhe Libanit, të cilat janë shkak për shqetësim serioz.

 "Në disa raste, Bashkimi Evropian ka treguar se është i shqetësuar për mundësinë e rritjes së tensioneve dhe përplasjeve. Gjithashtu në disa raste theksuam se në përputhje me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bashkimi Evropian kërkon nga të gjitha palët të bëjnë gjithçka që munden për de-përshkallëzimin ose të ndalojnë marrjen e hapave që do të çojnë në përshkallëzim", theksoi Stano.

Sipas tij, përshkallëzimi është shumë i rëndësishëm për të shmangur tensionet e mëtejshme në rajon dhe për të krijuar kushte për bisedime paqeje.

Stano paralajmëroi gjithashtu se zhvillimi i fundit i ngjarjeve në Lindjen e Afërt do të jetë një nga temat e takimit të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, të planifikuar për në fillim të javës së ardhshme. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR