Si zgjedhet papa i ri dhe çka në të vërtetë është konklava?
- Papa Françesku ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pas 12 vitesh në krye të Kishës Katolike Romake. Vdekja e tij vuri në lëvizje procesin shekullor të zgjedhjes së papës së ri.
- Post By Besnik Shuki
- 12:29, 21 prill, 2025

21 prill 2025
Papa Françesku ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pas 12 vitesh në krye të Kishës Katolike Romake. Vdekja e tij vuri në lëvizje procesin shekullor të zgjedhjes së papës së ri.
Papa është kreu i Kishës Katolike. Katolikët romakë besojnë se ai është një lidhje e drejtpërdrejtë me Jezu Krishtin. Ai konsiderohet pasardhësi i gjallë i Shën Pjetrit, i cili ka qenël i pari nga dishepujt e Krishtit, apostujt. Për këtë shkak, ai ka autoritet të plotë dhe të pakufizuar mbi tërë Kishën Katolike dhe është një burim i rëndësishëm autoriteti për rreth 1,4 miliardë katolikë në botë.
Megjithëse shumë katolikë shpesh i drejtohen Biblës për udhëzim shpirtëror, ata gjithashtu mund të mbështeten edhe në mësimet e Papës, të cilat formësojnë besimet dhe praktikat brenda Kishës. Rreth gjysma e të gjithë të krishterëve në botë janë katolikë romakë. Konfesionet e tjera të krishtera, duke përfshirë protestantët dhe ortodoksët lindorë, nuk e njohin autoritetin e papës.
Papa jeton në Vatikan, shteti më i vogël i pavarur në botë, i cili është i rrethuar nga kryeqyteti italian, Roma. Papa nuk merr rrogë, por të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të jetesës mbulohen nga buxheti i Vatikanit.
Çfarë ndodh kur Papa vdes? Papa Françesku e ndryshoi edhe këtë
Varrimi i papës tradicionalisht është proces i ndërlikuar, por Papa Françesku paradokohe i miratoi planet për thjeshtëzimin e tërë procedurës për varrimin e tij.
Varrimet e kryepeshkopëve të Kishës katolike romake, sipas traditës, përfshijnë tre arkivole - të përpunuara nga selvi, plumbi dhe lisi, por Papa Françesku zgjodhi të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri të mbuluar me zink. Ai gjithashtu e hoqi traditën e vendosjes së trupit të papës në një platformë të ngritur, të njohur si katafalkë në Bazilikën e Shën Pjetrit, për opinionin.
Në vend të kësaj, vajtuesit do të ftohen të shprehin nderimet e tyre derisa trupi i tij shtrihet në një arkivol të hapur.
Françesku, po ashtu, do të jetë papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit - eshtrat e tij do të prehen në Bazilikën Santa Maria Maxhore, një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë.
Kush e zgjedh Papën e ri?
Dy deri tre javë pas vdejes së papës, Kolegji i kardinalëve do të takohet në Kapellën Sistina për të mbajtur konklavën, proces sekret ku zgjidhet papa i ri. Të gjithë janë meshkuj, të emëruar drejtpërdrejt nga Papa dhe zakonisht shugurohen peshkopë. Kisha Katolike aktualisht ka 252 kardinalë, 138 prej të cilëve kanë të drejtën e votës në zgjedhjen e papës së ri. Pjesa tjetër janë mbi 80 vjeç dhe nuk mund të votojnë, por mund të marrin pjesë në diskutime se kush duhet të zgjidhet.
Kardinalët individualë votojnë për kandidatin e tyre derisa dikush të marrë shumicën e kërkuar, gjë që mund të zgjasë disa ditë.Në shekujt e kaluar, votimi ka marrë javë apo edhe muaj dhe disa kardinalë kanë vdekur gjatë konklavës. E vetmja shenjë e procesit zgjedhor vjen në formën e tymit që del nga oxhaku dy herë në ditë pasi digjen fletët e votimit. Tymi i zi do të thotë se zgjedhjet kanë dështuar. Tymi i bardhë tregon se një Papë i ri është zgjedhur.
Si shpallet Papa i ri?
Pasi shfaqet tymi i bardhë, Papa i ri zakonisht del brenda një ore në ballkonin me pamje nga sheshi i Shën Pjetrit. Kardinali më i vjetër që merr pjesë në konklavë më pas shpall vendimin me fjalët Habemus Papam, që është latinisht për “Ne kemi papë”. Pastaj ai shpall emrin e papës së ri, pra emrin që ka zgjedhur për pontifikatin e tij, që mund të mos jetë emri i tij origjinal.
Kush mund të jetë Papë?
Teorikisht, çdo mashkull katolik romak i pagëzuar mund të zgjidhet papë. Në praktikë, kardinalët pothuajse gjithmonë zgjedhin një të tyrin.
Kur Papa Françesku, i lindur në Argjentinë, u zgjodh në konklavën e mëparshme në 2013, ai u bë kreu i parë i Kishës Katolike nga Amerika e Jugut, një rajon që përbën rreth 28 për qind të katolikëve në botë.
Megjithatë, historia tregon se kardinalët kanë zgjedhur shumë më shpesh një papë nga Evropa, veçanërisht nga Italia. Nga 266 papët e zgjedhur deri sot, 217 kanë ardhur nga Italia.
Foto: EPA