• e shtunë, 23 nëntor 2024

SHBA-ja kërkoi hetim të menjëhershëm izraelit për vdekjen e një vajze gjashtëvjeçare nga Gaza

SHBA-ja kërkoi hetim të menjëhershëm izraelit për vdekjen e një vajze gjashtëvjeçare nga Gaza

Uashington, 12 shkurt 2024 (MIA) - SHBA-ja e ka cilësuar si “zemërthyese” vdekjen e Hind Raxhabit, vajzës gjashtëvjeçare nga Gaza, e cila më parë kishte lutur për ndihmë dhe kërkoi hetim të menjëhershëm izraelit.

"Kishte mijëra fëmijë të tjerë që vdiqën si pasojë e këtij konflikti. Ne u kemi kërkuar autoriteteve izraelite që të hetojnë atë incident në mënyrë urgjente, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miler.

Vajza 6-vjeçare palestineze, britmat dhe thirrjet për ndihmë të së cilës u dëgjuan nga e gjithë bota, u gjet e vdekur. Trupat e të afërmve të saj u gjetën pranë saj, si dhe infermierë që u përpoqën ta shpëtonin atë, njoftoi Bi-Bi-Si.

Më 29 janar, Hind Raxhab po ikte nga qyteti i Gazës me tezen, xhaxhain dhe tre kushërinjtë e saj, kur automobili në të cilën ndodheshin u godit nga një tank dhe sipas një regjistrimi audio të bisedës mes vajzës dhe një operatori të urgjencës, vajza gjashtë vjeçare ishte e vetmja e mbijetuar e sulmit. Në momentin e telefonatës ajo fshihej mes trupave të të afërmve të saj të vrarë.

Thirrja e saj për ndihmë u ndërpre nga të shtënat me armë zjarri, dëgjohet në videon e publikuar nga Gjysmëhëna e Kuqe. Ekipi mjekësor nga Gjysmëhëna e Kuqe palestineze arriti të shtunën në vendin ku ndodhej automobili me vajzën, e cila deri atëherë ishte e mbyllur si zonë luftarake aktive.

Automobili në të cilën ndodhej familja u shkatërrua plotësisht dhe njëra anë ishte e mbushur me plumba.

Vajza Hind ishte në mesin e gjashtë trupave të gjetur në automobil, të gjitha me plagë nga armë zjarri dhe plagë nga granatimet. Një tjetër automobil i shkatërruar është gjetur pak metra më tutje, i djegur plotësisht dhe sipas Gjysmëhënës së Kuqe ishte një ambulancë që ishte dërguar për të marrë Hindin. Të dy anëtarët e ekipit mjekësor vdiqën në granatimet e ambulancës, kumtoi Gjysmëhëna e Kuqe, ndërsa transmetoi Bi-Bi-Si.

Gjysmëhëna e Kuqe akuzoi forcat izraelite se synonin qëllimisht autoambulancat. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR