Samiti evropian në Londër kushtuar Ukrainës dhe sigurisë
- Sot në Londër do të mbahet samiti, i organizuar nga kryeministri britanik Kir Starmer, me pjesëmarrjen e rreth 15-të liderëve nga Evropa, kushtuar "avancimit të aktiviteteve evropiane për Ukrainën dhe sigurinë".
- Post By Sara Ademi
- 09:30, 2 mars, 2025

Bruksel, 2 mars 2025 (MIA) - Sot në Londër do të mbahet samiti, i organizuar nga kryeministri britanik Kir Starmer, me pjesëmarrjen e rreth 15-të liderëve nga Evropa, kushtuar "avancimit të aktiviteteve evropiane për Ukrainën dhe sigurinë".
"Kryeministri (Starmer) do ta shfrytëzojë samitin për të çuar përpara veprimet evropiane për Ukrainën, duke demonstruar mbështetjen tonë të palëkundur kolektive për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe një zgjidhje të qëndrueshme që garanton sovranitetin dhe sigurinë e ardhshme të Ukrainës," kumtoi Dauning strit 10 të premten.
Në kumtesë theksohet se në prag të Samitit, Starmer paradite do të zhvillojë bisedojë telefonike me liderët e vendeve baltike, pastaj do të mbajë takim me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.
Samiti evropian është planifikuar për sot pasdite dhe sipas njoftimeve janë ftuar liderët e Gjermanisë, Danimarkës, Italisë, Norvegjisë, Polonisë, Rumanisë, Turqisë, Finlandës, Francës, Holandës, Republikës Çeke, Suedisë dhe Spanjës, si dhe Zelenski, kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta, kryetarja Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Para fillimit të samitit, Starmer është planifikuar të ketë një takim dypalësh me kryeministren italiane Xhorxha Meloni.
Starmer e thirri samitin e Londrës pas takimit me presidentin amerikan Donald Tramp në Uashington të enjten, ku, ndër të tjera, diskutuan përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë, dërgimin e paqeruajtësve në vend pas një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi, si dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Dauning Strit 10 të premten në mbrëmje kumtoi se Starmer kishte biseda telefonike me Trampin dhe Zelenskin, pas takimit të tyre skandaloz në Shtëpinë e Bardhë. Në takimin, i cili përfundoi me largimin e parakohshëm të Zelenskit nga Zyra Ovale, Trampi i tha homologut të tij ukrainas se "duhet të jetë më mirënjohës për ndihmën amerikane" dhe e akuzoi atë se po luan "bixhoz me Luftën e Tretë Botërore".
Në kumtesën e Zyrës së kryeministrit britanik theksohet se në bisedat telefonike Starmer e ka përsëritur mbështetjen e tij për Ukrainën.
"Ai (Starmer) e konfirmon mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe bën gjtihçka për hapjen e rrugës drejt paqes së qëndrueshme të bazuar në sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës", shtohet në kumtesën e Dauning strit 10.
Ps takimit Tramp-Zelenski në Iks u shprehën edhe Koshta dhe Fon der Lajen, të cilët dërguan mesazh identik për presidentin e Ukrainës se dinjiteti i tij pasqyron "respektin për guximin e popullit ukrainas".
"Bëhu i fortë, trim dhe i patrembur. Ju kurrë nuk jeni vetëm, i dashur president. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", thanë Koshta dhe Fon der Lajen në njoftimin në Iks. Për më tepër, Koshta publikoi të njëjtën përmbajtje në gjuhën ukrainase.
Mesazhe mbështetjeje për Zelenskin dërguan edhe liderë të tjerë evropianë, duke përfshirë kryeministrin polak dhe kryesues aktual me BE-në, Donald Tusk, presidentin francez Emanuel Makron, kancelarin gjerman Olaf Sholc dhe kandidatin më të mundshëm për pasardhësin e tij, Fridrih Merc.
Kryeministrja italiane Meloni, nga ana e saj, pati një reagim më neutral, duke bërë thirrje për unitet në Perëndim, sepse "çdo ndarje na bën të gjithëve më të dobët dhe përfitojnë ata që duan të çojnë në kolapsin e qytetërimit tonë" dhe bëri thirrje për një "samit urgjent" midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, takimi i sotëm në Londër është samiti i tretë evropian kushtuar Ukrainës dhe sigurisë në dy javët e fundit, pas atij të 17 shkurtit në Paris, të organizuar nga presidenti francez Makron dhe takimit të lidershipit onlajn të mbajtur disa ditë më vonë.
Ukraina ishte gjithashtu një temë në Samitin Ndërkombëtar për Mbështetjen e Ukrainës në Kiev më 24 shkurt, ku morën pjesë Koshta, Fon der Lajen, disa liderë evropianë dhe kryeministri kanadez Xhastin Trudo.
Takimi në Londër vjen përpara një Samiti të posaçëm të BE-së, të planifikuar për të enjten, në të cilin Ukraina dhe mbrojtja evropiane do të jenë gjithashtu temat kryesore.
Duke njoftuar pjesëmarrjen e Koshtës në samitin e Londrës, kabineti i tij tha se tema e takimit do të jenë "pushtimi rus dhe forcimi i sigurisë dhe mbrojtjes së Evropës" dhe se bisedimet do të kontribuojnë në diskutimet e Këshillit të posaçëm Evropian më 6 mars. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s