Presidenti sirian e konfirmon përkushtimin e tij për mbrojtjen e pakicave në vend
- Presidenti sirian Ahmed al-Shara e konfirmoi përkushtimin e tij për të mbrojtur pakicat në vend, mes njoftimit të presidencës siriane për një armëpushim në Sveida, ku më shumë se 700 persona kanë humbur jetën në përleshjet midis druzëve dhe beduinëve.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:07, 19 korrik, 2025
Damask, 19 korrik 2025 (MIA) - Presidenti sirian Ahmed al-Shara e konfirmoi përkushtimin e tij për të mbrojtur pakicat në vend, mes njoftimit të presidencës siriane për një armëpushim në Sveida, ku më shumë se 700 persona kanë humbur jetën në përleshjet midis druzëve dhe beduinëve.
Presidenti sirian theksoi në një intervistë televizive se "Siria do t'i mbrojë të gjitha pakicat dhe komunitetet", duke dënuar dhunën në zonën kryesisht druze përreth Sveidës dhe duke premtuar se autorët e krimeve do të nxirren para drejtësisë.
Pak para se të shpallej armëpushimi, Ministria e Punëve të Brendshme e Sirisë njoftoi se forcat e sigurisë së qeverisë siriane kishin filluar të dislokonin personelin e tyre në zonë.
Ahmed al-Shara falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre kyç si ndërmjetës në arritjen e armëpushimit dhe për mbështetjen e tyre për Sirinë gjatë kësaj kohe të vështirë. Ai, gjithashtu, shprehu mirënjohje për vendet arabe dhe Turqinë për ndihmën e dhënë.
Ambasadori i SHBA-së në Ankara, Tom Barak, dje njoftoi se Izraeli dhe Siria kishin arritur një marrëveshje armëpushimi midis tyre.
Foto: EPA