• e mërkurë, 05 mars 2025

Presidenti sirian bën thirrje për presion ndaj Izraelit për të tërhequr forcat e tij nga Siria

Presidenti sirian bën thirrje për presion ndaj Izraelit për të tërhequr forcat e tij nga Siria

Damask, 5 mars 2025 (MIA) - Presidenti sirian Ahmad al-Shara sot i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion ndaj Izraelit që "menjëherë" të tërheqë forcat e tij nga Siria jugore, duke dënuar "kërcënimin e drejtpërdrejtë" për rajonin.

Pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Asad në dhjetor, Izraeli dërgoi forca në zonën e demilitarizuar të rafshnaltës së Golanit në Sirinë jugperëndimore, pjesë e rrafshnaltës që Izraeli pushtoi që nga lufta e vitit 1967 dhe e aneksoi në 1981. Aneksimi nuk njihet nga OKB-ja.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu bëri thirrje për "çmilitarizimin e plotë të Sirisë jugore" më 23 shkurt dhe tha se vendi i tij nuk do të tolerojë vendosjen e forcave të qeverisë së re siriane në jug të Damaskut.

"I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të përmbushë detyrimet e tij duke mbështetur të drejtat e Sirisë dhe duke i bërë presion Izraelit që të tërhiqet menjëherë nga Siria jugore”, tha Shara në samitin e Ligës Arabe në Kajro.

Kjo nuk është vetëm një “shkelje e sovranitetit sirian”, por gjithashtu një “kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe paqen në të gjithë rajonin”, shtoi presidenti sirian.

Përveç sulmeve tokësore, Izraeli ditët e fundit ka intensifikuar sulmet ajrore në vendet ushtarake në jug.

Shara foli edhe për të ardhmen e Rripit të Gazës në Kajro, që është pjesëmarrja e tij e parë në një takim të tillë që nga ardhja në pushtet në fund të vitit të kaluar. ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR