Volc: Kthimi i ndihmës për Ukrainën varet nga rikthimi i besimit
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, do ta shqyrtojë rikthimin e ndihmës për Ukrainën nëse arrihet marrëveshje për negociatat paqësore dhe ndërmerren hapa për rindërtimin e besimit, deklaroi sot këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Majk Volc.
- Post By Melahat Baftija
- 16:28, 5 mars, 2025

Uashington, 5 mars 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, do ta shqyrtojë rikthimin e ndihmës për Ukrainën nëse arrihet marrëveshje për negociatat paqësore dhe ndërmerren hapa për rindërtimin e besimit, deklaroi sot këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Majk Volc.
Tramp të hënën pezulloi ndihmën për Ukrainën dhe të martën tha se kishte marrë një letër nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski që shprehte gatishmërinë e tij për t'u ulur në tryezën e bisedimeve.
Volc tha se letra ishte "një hap i parë i mirë dhe pozitiv".
Zyrtarët diskutuan datën, vendin dhe ekipet negociuese që duhet t'i japin fund luftës, shtoi ai.
"Ne tashmë po ndërmarrim hapa për të rivendosur besimin që do t'u përcjellim rusëve dhe do të testojmë anën e tyre", tha Volc në një intervistë për televizionin Foks.
Ai nuk specifikoi se cilat ishin hapat.
"Duhet të kujdesemi që të dyja palët sinqerisht dëshirojnë të negociojnë fillimisht për një paqe të pjesshme dhe më pas për një paqe të përhershme", theksoi ai. mb/
Foto: MIA