Nobelistja Mallalla Jusufzai: Izraeli e shkatërroi sistemin arsimor në Gazë
- – Aktivistja pakistaneze dhe fituese e Çmimit Nobël për Paqe, Mallalla Jusufzai deklaroi sot se Izraeli e ka “asgjësuar” sistemin arsimor në Rripin e Gazës, ku po zhvillon luftë kundër lëvizjes palestineze Hamas nga viti 2023.
- Post By Fitore Curri
- 12:22, 12 janar, 2025

Islamabad, 12 janar 2025 (MIA) – Aktivistja pakistaneze dhe fituese e Çmimit Nobël për Paqe, Mallalla Jusufzai deklaroi sot se Izraeli e ka “asgjësuar” sistemin arsimor në Rripin e Gazës, ku po zhvillon luftë kundër lëvizjes palestineze Hamas nga viti 2023.
“Në Gazë, Izraeli e ka asgjësuar të gjithë sistemin arsimor. Ata i bombarduan të gjitha universitetet, shkatërruan 90 për qind të shkollave dhe në mënyrë joselektive i qëllonin civilët të cilët ishin strehuar në ndërtesat e shkollave”, tha ajo në takimin për arsim të vajzave në Islamabad, ku po marrin pjesë përfaqësues të dhjetëra vendeve, kryesisht nga bota islamike.
“Do të vazhdoj ta dënoj shkeljen e të drejtave ndërkombëtare dhe njerëzore nga ana e Izraelit”, tha Jusufzai, transmetuan mediat franceze.
Mediat izraelite njoftuan se grupi ekstremist palestinez Hamas po përdor civilë si “mburojë njerëzore” dhe lufton nga zonat civile, duke përfshirë shkolla, shtëpi, spitale dhe xhami.
Jusufzai u bëri thirrje liderëve myslimanë të mos i japin legjitimitet qeverisë talebane në Afganistan dhe të kundërshtojnë kufizimet në arsim të grave dhe vajzave.
Përfaqësues të pushtetit taleban në Afganistan nuk erdhën në takimin në Islamabad. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s