NATO zyrtarisht u obligua të sigurojë ndihmë për Ukrainën me vlerë prej 40 miliardë euro vitin e ardhshëm
- NATO zyrtarisht u obligua të sigurojë ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 40 miliardë euro vitin e ardhshëm, qëndron në deklaratën përfundimtare të miratuar nga shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të Aleancës në takimin në Uashington.
- Post By Besnik Shuki
- 08:34, 11 korrik, 2024
Uashington, 11 korrik 2024 (MIA) - NATO zyrtarisht u obligua të sigurojë ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 40 miliardë euro vitin e ardhshëm, qëndron në deklaratën përfundimtare të miratuar nga shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të Aleancës në takimin në Uashington.
"Ne kemi për qëllim të sigurojmë pako të ndihmës themelore me vlerë prej së paku 40 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe pastaj ta mbajmë ndihmën e sigurisë në nivel të qëndrueshëm, ashtu që Ukraina do të fitojë", thuhet në kumtesë, të miratuar dje sipas kohës lokale në kryeqytetin e SHBA-së nga Këshilli veriiatlantik - organi më i lartë politik për marrjen e vendimeve në NATO.
Të premten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se aleanca do të sigurojë ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 40 miliardë euro vitin e ardhshëm. Aleatët janë dakorduar që ta mbajnë këtë angazhman financiar edhe në vitin 2026, si nivel minimal, të nevojshëm për plotësimin e nevojave të Ukrainës për mbrojtje nga pushtimi rus, shtoi ai.
Megjithatë, premtimi i 40 miliardë eurove nuk është angazhman shumëvjeçar financiar për përkrahje të Ukrainës, që Stoltenbergu dëshiroi ta miratohet nga NATO-ja. Vitin e ardhshëm, aleanca do të bëjë revizion të ndihmës ushtarake për këtë vend.
Hungaria, e cila i kundërshtohet ndihmës ushtarake për Ukrainën, ka marrë të drejtë të mos e jep të njëjtën.
Liderët e NATO-s publikuan se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është e pakthyeshme, por nuk kanë përmendur afate konkrete. Ish republika sovjetike do të mund t'i bashkangjitet aleancës ushtarake perëndimore, kur t'i plotësojë kushtet adekuate dhe të arrihet pajtueshmëri mes vendeve-anëtare.
Sot liderët e NATO-s do të takohen me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë. Zelenski arriti në Uashington me kërkesë për anëtarësim dhe rritje të ndihmës, posaçërisht në sferën e mbrojtjes kundërajrore.
Pardje, në ditën e parë të Samitit, aleatët e NATO-s u obliguan që të sigurojnë dhjetëra sisteme për mbrojtje kundërajrore të Ukrainës, duke përfshirë katër sisteme "Patriot".
Në deklaratën përfundimtare, liderët e Aleancës kanë shprehur brengosje për afrimin e Rusisë dhe Kinës dhe e kanë dënuar përkrahjen e Pekinit për pushtimin rus në Ukrainë.
"Thellimi i partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Kinës, si dhe tentimet e tyre të përbashkëta që ta destabilizojnë rendin e bazuar në rregulla, shkaktojnë brengosje të thellë", thuhet në tekst.
Sot, në ditën e fundit të Samitit, liderët do të kenë takim me partnerë nga Rajoni indo-paqesor dhe Bashkimi Evropian. Janë ftuar liderë të Australisë, Zelandës së Re, Japonisë, Koresë së Jugut, Ukrainës dhe BE-së, kumtoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Para fillimit të takimit në Uashington, Kina e kritikoi aktivitetin e NATO-s në rajonin aziatiko-paqesor. bsh/
Foto: EPA