• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski pret parregullsi zgjedhore nga ana e BDI-së në zgjedhjet e 8 majit

Mickoski pret parregullsi zgjedhore nga ana e BDI-së në zgjedhjet e 8 majit

Shkup, 4 maj 2024 (MIA) - Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski pret që në zgjedhjet e ardhshme të 8 majit të ketë parregullsi zgjedhore për çka akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

"Deri te përfaqësuesit e bashkësive ndërkombëtare, deri tek OSBE dhe ODIHR kemi dorëzuar një listë të qendrave të votimit ku në periudhë të caktuar kohore votimi zgjat mesatarisht më pak se një minutë, gjë që tregon se aty kemi parregullsi të shumta, mbushje të kutive dhe në ato qendra votimi, për çudi por e vërtetë, gjurmët e gishtërinjve nuk kanë punuar. Presim diçka të ngjashme të ndodhë edhe në rrethin e dytë, por ne jemi gati. Kemi informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të forcojë praninë e saj atje. Në përgjithësi bëhet fjalë për vendvotimet në Shkup, Çair, Likovë, Haraçinë etj", tha Mickoski.

Ka akuzuar BDI-në se me presion ka marrë votat e votuesve dhe se zyrtarë të lartë dhe anëtarë të qeverisë e bëjnë këtë të shoqëruar nga pjesëtarë të MPB-së.

"BDI përmes politikave të saja nuk i fiton votuesit, por kryesisht nën presion dhe masa e mjete të paligjshme për demokracinë, i fiton votat ashtuqë që lirisht mund që rezultatet e evropianit Osmani t’i ndani në dy dhe do ta merrni mbështetjen reale të BDI-së e cila ka më shumë se 20 vjet që merr vota me manipulimin epik dhe thirrjet në vitin 2001, ndërsa paralelisht me këtë duke kurdisur tenderë dhe së dyti përmes presioneve, kërcënimeve, shantazheve dhe ryshfetit", deklaroi Mickoski.

Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojë me zgjuarsi të gjithë procesin.

Në lidhje me atë që lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski thotë se VMRO-DPMNE-ja do të rrezikojë integrimet evropiane, Mickoski tha se nëse dikush kërcënon eurointegrimet, “ai është koalicioni BDI-LSDM”.

"Qëllimi kryesor në 6 vite e gjysmë ose 7 vite nuk ishte të prezantojnë vlera, të zgjidhin problemet e qytetarëve. Ata kanë për qëllim të pranojnë marrëveshje poshtëruese dhe të nënshkruajnë gjithçka që të qëndrojnë më gjatë në kolltuqe dhe të mund të grabisin popullin dhe të mund të grabisin Maqedoninë. Kjo ishte politika e tyre, pra ata janë fajtorët kryesorë pse ne prej 7 vitesh nuk kemi lëvizur as një milimetër nga situata që ishte 5 vite më parë, megjithëse premtuan jetë dhe shoqëri për të gjithë", tha Mickoski.

Lidhur me propozimin e prokurorisë për vauçerët sportiv në Agjencinë për rini dhe sport, Mickoski tha se kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që do të dalë në sipërfaqe pas formimit të qeverisë. rq/

Foto: VMRO-DPMNE

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR