• e martë, 11 qershor 2024
MIA FLESH

09:00 / 11 qershor / 2024

Shkup - Qeveria e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN dhe ZNAM pritet të formohet më 19 ose 20 qershor, paralajmëron Izet Mexhiti nga VLEN, duke bërë të ditur disa nga emrat e funksionarëve të ardhshëm nga ky koalicion. Përveç ndarjes së resorëve në qeverinë e re dhe emrat e ministrave, në fokus të publikut mbetet shumica prej dy të tretash që për ndryshimet e Ligjit për organizimin e Administratës shtetërore partnerët e koalicionit në qeveri e siguruan me mbështetje edhe nga deputetët e Frontit Evropian.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, sot dhe nesër në Berlin do të marrë pjesë në Konferencën për rindërtimin e Ukrainës, kumtoi Kabineti i presidentes. Në Konferencë, nikoqirët e së cilës janë kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski, është paraparë pjesëmarrje e shefave të shteteve dhe qeverive, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të biznes sektorit dhe atij civil.

Shkup - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Programin për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) sot do t'i ndajë çmimet për gazetarë me temë "Kreativitet dhe etikë gazetareske".

Shkup - Gjevgjelia, Bogdanci, Vallandova dhe Dojrani sot dhe nesër në fazë portokalli, pasi që Qeveria ka mbajt seancë të jashtëzakonshme për shkak të paralajmërimeve për valë të nxehtë në shtet dhe ka miratuar rekomandime.  Do të preket edhe territoret e rajonit të Shkupit dhe Vardarit, por të fazës së verdhë (alert – gatishmëri). Në këto rajone do të jenë në fuqi rekomandimet e përgjithshme.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, ndërsa në disa vende e përforcuar nga drejtimi jugperëndimor, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 20, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 30 deri në 39 gradë. Indeksi UV do të arrijë 8.

Shkup - Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Prishtinë - Ish përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të KB-së në Kosovë dhe ish shef i UNMIK-ut, Bernar Kushner, sot dhe nesër do ta vizitojë Kosovën, kumtoi mbrëmë Ambasada e Francës në Prishtinë. Kushner do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Bruksel - Bashkimi Evropian, për shkak të situatës së përkeqësuar humanitare në Afganistan, do t'i sigurojë vendit ndihmë shtesë financiare, njoftoi DPA. Rreth 125 milionë euro do t'u ndahen organizatave humanitare në Afganistan, që të pengohet rreziku nga uria., publikoi KE-ja.

Nju Jork - Këshilli i Sigurisë së KB-së ka miratuar rezolutën amerikane që mbështet propozimin e fundit të Izraelit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve dhe i bën thirrje Hamasit palestinez që ta pranojë ofertën. Gjithsej 14 anëtarë të Këshillit të Sigurisë së KB-së votuan pro rezolutës, asnjë kundër, ndërsa Rusia ka qenë e përmbajtur.

QËNDRONI TË LIDHUR