• e premte, 12 korrik 2024
MIA FLESH

09:00 / 12 korrik / 2024

Shkup - Në Kuvend sot do të shënohet 11 Korriku - Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Fjalim hyrës do të ketë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa do të flasin edhe prof.dr. Xhemil Bektoviq, përfaqësuesja e Shoqatës Divanhana, Mersiha Smailloviq, deputeti Amar Mecinoviq, prod.dr. Sead Xhigal dhe Safet Bishevac.

Shkup - Deputeti i Alternativës Bekim Sali ka kritikuar deklaratat që vijnë nga BDI për mbylljen e kazinove. Siç ka shkruar ai në profilin e tij në Fejsbuk, kërkesa e BDI-së për mbylljen e kazinove është hipokrizi pasi ajo ka ndihmuar hapjen masive të tyre.

Shkup - "Forum Europeum 2024: Instrumente për sundimin e ligjit në kontekst të inkuadrimit në BE" titullohet konferenca që do të mbahet sot në Shkup në organizim të Institutit për politikë evropiane (EPI) - Shkup. "Viti 2024 shënohet me zgjedhje të rëndësishme në mbarë botën, duke përfshirë zgjedhjet e BE-së në qershor dhe zgjedhjet kryesore presidenciale dhe parlamentare në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Shkup - Në Kuvend sot do të vazhdojë seanca e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Në rend dite të seancës janë disa raporte vjetore. Deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Avokatit të Popullit për shkallën e garantimit të respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive të njeriut, Raportin vjetor të punës së Agjencisë së administratës, Raportin vjetor për punën e Këshillit të prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në shkallë të dytë në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe procedurës kundërvajtëse, të gjitha për vitin 2023.

Shkup - Prej sot e deri në mes të javës së ardhshme shumë vende në shtet do të jenë në fazën portokalli të rrezikut nga temperatura të larta. Sipas rekomandimeve të cilat i miratoi dje Qeveria në mbledhje onllajn, nga puna duhet të lirohen gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet. 

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, pasdite me vranësira të ulëta deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 14 deri 22 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 35 deri 42 gradë Celsius. UV-indeksi do të jetë 9.

Resnje - Ambasadori Dejvid Gir, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i Programit për zhvillim në Kombet e Bashkuara sot në Resnje do të promovojnë mundësitë financiare nga BE-ja që i ofrohen rajonit të Prespës për ripërtëritjen e burimeve natyrore, për qëndrueshmëri bujqësore dhe turizëm dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Negotinë - Shtabi i krizës në komunën e Negotinës pas mbledhjes së mbajtur mbrëmë vonë përsëri ka kërkuar mbështetje nga ajri për shuarjen e zjarrit në malin Serta. Kryetari i komunës Goran Stojanov informoi se janë përcaktuar aktivitetet për ditën e sotme, të cilat do të fillojnë në orët e hershme të mëngjesit.

Tiranë - Opozita shqiptare mbrëmë mbajti protestë masive antiqeveritare, në të cilën kërkesa kryesore ishte largim i "narko - shtetit të kryesuar nga Edi Rama", formimin e qeverisë teknike, sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, si dhe lirimin e liderit demokrat Sali Berisha. 

Ankara - Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi se nuk do të jetë e mundur që NATO ta vazhdojë partneritetin me autoritetet izraelite, njoftuan mediat britanike. "Deri të vendoset një paqe gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme në Palestinë, përpjekjet për të bashkëpunuar me Izraelin në kuadër të NATO-s nuk do të miratohen nga Turqia", tha Erdogani gjatë konferencës së samitit të aleancës në Uashington. 

QËNDRONI TË LIDHUR