• e shtunë, 13 korrik 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15.00/12 korrik 2024

Uashington - SHBA do të punojë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për të ruajtur përfitimet e Marrëveshjes së Prespës, njoftoi Departamenti i shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase lidhur me reagimet e Athinës zyrtare për përdorimin e emrit kushtetues të shtetit nga autoritetet e reja në Shkup. "Marrëveshja e Prespës ishte një arritje historike në zhbllokimin e përftimeve të sigurisë në Evropën Jugore dhe Lindore. SHBA mbështet këtë marrëveshje vitale, rithekson rëndësinë e respektimit të saj dhe do të punojnë me të gjitha palët për të ruajtur përfitimet e saj", thonë nga Departamenti i shtetit.

Shkup - Në Kuvend sot u shënua 11 Korriku - Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Pjesëmarrësit i bëjnë thirje Qeverisë, që në bazë të Rezolutës së KB-së, ta shpallë 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave nga Gjenocidi në Srebrenicë.  Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili e hapi ngjarjen, theksoi se kjo ngjarje na e kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 

Resnjë - Grumbullimi më i mirë dhe trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave të ngurta, hapja e vendkalimit kufitar "Markova Noga", janë vetëm disa nga aktivitetet që do të realizohen në Rajonin e Prespës në kuadër të projektit "EU4Prespa", i financuar nga Bashkimi Evropian dhe UNDP. Projekti, siç theksoi në promovimin e sotëm në Resnjë, euroambasadori Dejvid Gir, ndërkaq në të cilin morën pjesë edhe përfaqësuesi i UNDP-së, Armen Grigorian, kryetari i komunës Jovan Tozievski, zëvendëskryeminitri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti dhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, përfshin edhe mbështetje për organizatat joqeveritare lokale dhe institucionet, me qëllim që të mbrohet trashëgimia natyrore dhe kulturore e Prespës.

Shkup  - Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës në lëminë e gjyqësorit, agjenda e reformave, projektet, si dhe prioritetet e ardhshme të Ministrisë së Drejtësisë të përfshira me Strategjinë e re për reforma në sektorin gjyqësor 2024-2028 ishin tema të bisedës në takimin e sotëm të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov me ambasadorin francez Siril Bomgartner. Ambasadori Bomgartner, siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, i ka përshëndetur planet e ministrit për reforma dhe ka shprehur gatishmëri që Franca të ndihmojë në të gjitha këto procese me ndihmë të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të ekspertëve. 

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka realizuar takim me homologun hungarez, Peter Sijarto, në kuadër të Samitit të NATO-s në Uashington. Siç bënë të ditur sot nga MPJ, në takim, ministrat e kanë konfirmuar kënaqësinë nga zhvillimi i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm dypalësh, me çka ishte përshëndetur jubileu - 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve. Njëherësh, ishin theksuar angazhimet e përbashkëta për zhvillim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në sektorë, me theks të veçantë në ekonomi, investime dhe lidhje biznesi. 

Shkup - Nëpunës policorë të SPB Shkup kanë filluar ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të përforcuara për ruajtjen e situatës të mirë të sigurisë në zonën qendrore të qytetit, përmes pranisë parandaluese të policisë. Qëllimi është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe parandalimi i kryerjes së veprave penale dhe kundërvajtjeve në disa lokacione ndër të cilave dhe parku “Qyteti i drurit” në Debar Mahallë, këndet e lojërave për fëmijë në rr. “Naroden Front” dhe në rr. “Vasil Gjorgjov”, furra “Silbo”, “Porta Maqedonia”, etj.

Shkup  - Qëndrova konsekuent në politikë, hyra që të sjellim ndryshime në bllokun shqiptar dhe kjo ndodhi, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, duke e komentuar deklaratën e Ziadin Selës, i cili e udhëheq pjesën tjetër të anëtarësisë.  Sela dje deklaroi se Taravari me urdhër të kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski ka kontribuuar për ndarje të Aleancës për Shqiptarët. 

Shkup - Pres që Prokuroria Publike të jetë më efikase dhe të veprojë në bazë të informacionit që përmban raporti i revizionit. Unë personalisht kam dorëzuar tre raste për të cilat besoj se ka dyshime për kriminalitet dhe pres që Prokuroria të hapë procedurë për to, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjes, Aleksandar Nikolloski.  Ai në emisionin në televizionin Alfa, theksoi se dy nga tre rastet e paraqitura lidhen drejtpërdrejtë me pretendimet që janë publikuar nga Revizioni i shtetit në raportin për realizimin e projekteve kapitale.

Shkup  - Kallëzim penal është dorëzuar kundër ish drejtoreshës organizative të Klinikës së toksikologjisë Besija Iljazi për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale "keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar" me të cilin e ka dëmtuar buxhetin e Klinikës për 659.781 denarë.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë dhe pjesë e koalicionit "Vlen", Arben Taravari sot ka informuar se koalicioni i tyre në Qeveri do të përfaqësohet nga shtatë zëvendësministra. Ai kumtoi vetëm emrat e dy zëvendësministrave që janë nga Aleanca për Shqiptarët, për të cilët tha se veçmë kanë kaluar në kryesinë qendrore të partisë. 

Shkup - Pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim në mes të ITSHKSH dhe me Institutit të Krimeve të Luftës në Kosovë, sot në Prishtinë bëmë hapin e pare në jetësimin e këtij bashkëpunimi. Dorëzuam 450 fotografi me pamje nga krimet e kryera të shtetit serb në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Këto fotografi janë pjesë e hulumtimit tonë mbi dyvjeçar, ku janë edhe mijëra dokumente autentike, dhe me këtë duam të përcjellim edhe një porosi deri te të gjithë studiuesit dhe institucionet përkatëse që të punojnë pareshtur në dokumentimin e krimeve në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të pastrojmë të kaluarën, si garanci për të ardhmen.

Gostivar - Vetëqeverisja lokale dhe Qeveria së bashku do të punojnë në përmirësimin e transparencës në punë dhe në përballjen me korrupsionin. Këto janë konkluzionet pas takimit të personit të parë të komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe zëvendëskryeministrit për Politika dhe Qeverisje të Mirë, Arben Fetai. Në paraqitjen e parë zyrtare dhe vizitën e parë në Komunën e Gostivarit, Fetai foli në gjuhën shqipe dhe deklaratën për mediat që raportonin në gjuhën maqedonase e dha në gjuhën angleze me arsyetimin se nuk mund të shprehej mirë.

Negotinë  - Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim pranë Komunës së Negotinës edhe sot ka dalë me apel që të mos ketë më lëvizje në zonën e prekur nga zjarri në malin Serta. Shtabi mëngjesin e sotëm ka mbajtur mbledhje koordinuese ku është diskutuar për gjendjen momentale me zjarrin.

Shkup - Drejtoria e të Ardhurave Publike informon se sot për shkak të djegies së një kablloje optike te shumë operatorë të telekomunikimeve, në mesin e të cilëve edhe operatori që siguron shërbimin për qasje simetrike në internet në DAP, sistemet për shërbime elektronike nuk ishin në dispozicion në periudhën prej orës 07:40 deri në orën 11:30. "Ky problem teknik është tejkaluar dhe sistemet e DAP-it janë në dispozicion për realizim të të drejtave të juaja dhe detyrimeve të cilët i realizoni përmes të njëjtëve", bëhet e ditur në kumtesën e DAP-it. 

Shkup  - Pesë studentët më të mirë të cilët do të diplomojnë në mjekësi do t'u jepet mundësia që menjëherë të punësohen në shëndetësi tek ne. Risi është edhe fakti që Fakulteti i mjekësisë ka program të akredituar në gjuhën angleze dhe do të fillojë regjistrimin e studentëve të huaj, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Svetozar Antoviq.

Shkup  - Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) ka nënshkruar marrëveshje me dy pilotët në pension të “Er traktor” dhe gjatë ditës pritet të përfshihen në shuarjen e zjarrit në rajonin e Negotinës, ka bërë të ditur për MIA-n drejtori i DMSH-së, Bekim Maksuti. Ai theksoi se dy pilotët tashmë kanë shkuar në aeroport dhe pasi të kenë kaluar procedurat që kërkohen para çdo fluturimi do të drejtohen për në malin Serta në rajonin e Negotinës. 

Prishtinë  -  Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditura të dhënat paraprake të Regjistrimit të Popullsisë,sipas të dhënave të publikuara në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë ku prej tyre 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Deri tani, siç informon u.d. kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati në konferencën për shtyp ku mori pjesë kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarë komunash dhe ambasadorë, janë regjistruar edhe rreth 600 mijë banorë jorezident.

Helsinki  - Parlamenti i Finlandës sot do të votojë propozim-ligjin që do t'u japë rojeve kufitare autorizime për të kthyer azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia pasi më shumë se 1,300 njerëz mbërritën në vend duke detyruar Helsinkin të mbyllë kufirin. Finlanda ka akuzuar Rusinë fqinje për përdorimin e migracionit si armë, duke bërë që shumë emigrantë nga vende të tilla si Siria dhe Somalia të kalojnë kufirin gjë që Kremlini e mohon. Helsinki beson se Moska po nxit kalimet në shenjë hakmarrjeje për hyrjen e Finlandës në NATO.

Bruksel  - Gjykata e Apelit në Bruksel e refuzoi kërkesën e lobistit belg Frederik Baldan për parandalim të rizgjedhjes së Ursula fon der Lajen në funksionin kryetare e Komisionit Evropian. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e Baldan, që është lobist i specializuar për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, në gjykimin e mëparshëm për kërkesën e njëjtë në Gjykatën e shkallës së parë në Bruksel, duke e vlerësuar si të pabazë. 

Nju Jork  - Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) sot kumtoi se rreth 6.400 palestinezë të cilët rezultojnë si të zhdukur që nga shpërthimi i luftës në Gaza ende nuk janë gjetur. Besohet se shumë persona janë të bllokuar nën rrënoja, të varrosur pa identifikim ose në paraburgim izraelit. Nga prilli janë regjistruar 1.100 raste të reja", kumtoi KNKK, transmeton Gardian. Zëdhënësja e KNKK-së Sara Dejvis, deklaroi se lufta në Rripin e Gazës plotësisht i ka dëmtuar komunikimet.

 Pekin - Kapaciteti për prodhimin e energjisë me ndihmën e erës dhe diellit në ndërtim në Kinë tani është pothuajse dyfish më e madhe nga  pjesa tjetër e botës së bashku, sipas raportit të "Global Enerxhi Monitor". Hulumtimi i publikuar nga organizata zbuloi se Kina ka 180 gigavatë energji diellore në ndërtim dhe 15 gigavat energji nga era.  Kjo e sjell kapacitetin e përgjithshëm të erës dhe diellit në ndërtim në 339 gigavatë, shumë mbi 40 gigavatë në ndërtim në SHBA. 

Madrid  - Portieri i Çellsit, Kepa Arizabalaga i cili sezonin e kaluar erdhi si huazim te Real Madridi, mund t'i bashkohet përgjithmonë klubit spanjoll, raporton "Marka". Sipas burimeve, Reali do ta mbajë Kepën nëse portieri Andrij Lunin vendos të largohet nga skuadra. 29-vjeçari spanjoll refuzoi një ofertë fitimprurëse nga Al-Itihad, ndërsa priste epilogun rreth situatës.

 

QËNDRONI TË LIDHUR