• e martë, 16 korrik 2024
MIA FLESH

18:00 / 15 korrik / 2024

Shkup - Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova sot ka pritur në takim Tomica Stojanovskin, kryetar të Unionit nacional të personave të shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar, Vasko Markov, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Unionit, dhe interpretuesja e gjuhës së shenjave, Lisa Velkovska. Siç informojnë nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës, përfaqësuesit e Unionit në takim e njoftuan presidenten për aktivitetet e tyre aktuale me të cilat realizojnë të drejtat dhe nevojat e rreth shtatë mijë personave me dëgjim të dëmtuar.

Shkup - Vendimet që merren në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë janë vendime të njerëzve që janë pjesë e atyre institucioneve, ndërsa propozimet kanë ardhur pjesërisht nga Qeveria, pjesërisht nga kabineti i Presidentit. Nuk dua takime me prokurorë apo gjyqtarë. Nuk kam ndërmend si Qeveri të qeveris në atë mënyrë që të ushtrojmë presion politik përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne duam drejtësi, duam që ata të japin atë për të cilën paguhen, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane sot kishte fjalën e tij hyrëse në hapjen e Shkollës verore ndërkombëtare ballkanike “Ballkani dhe politika globale”, në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, me ç'rast iu referua kompleksitetit të sfidave politike globale, duke e ndjekur qëllimin tonë strategjik të euro-integrimit.

Shkup - Anëtarët e Komisionit për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike realizuan takim pune me përfaqësues të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) dhe Institutit Nacional Demokratik (IND), në të cilin u diskutua rreth vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Entit dhe Kuvendit dhe mundësive për shqyrtimin e raporteve individuale të revizionit në trupat punuese amë të shtëpisë ligjdhënëse.

Shkup - Shfrytëzuesit nga rrugët, "Nikolla Gërçeto", "Bllagoja Paroviq" dhe "August Cesarec" në Komunën e Çairit nesër nga ora 8 nuk do të kenë ujë për shkak defektit në rrugën "Nikolla Gërçeto" numër 10 në lagjen Fushë Topanë. Siç kumtojnë nga NP Ujësjellësi dhe kanalizimi - Shkup, ndërprerja e furnizimit me ujë do të vazhdojë deri në sanimin e defektit.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend, se është publikuar Konkursi për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet shtetërore për student dhe objektet e tjera për akomodim në vend për vitin akademik 2024/2025. 

Shkup - Tre nga katër të miturit, të cilët të premten janë sjellur në Klinikën për toksikologji do të lirohen për mjekim shtëpiak, ndërsa njëri do të mbetet për kontrolle shtesë. "Tek tre të miturit, parametrat janë të kënaqshme dhe do të lirohen. Një nga pacientët do të mbetet për shkak të kontrolleve të mëtutjeshme", deklaroi sot pasdite për MIA-n, drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot realizoi takim me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian, ambasadorin Dejvid Gir, ku biseduan për reformat e ardhshme në rrugën e integrimeve evropiane me theks në transformimin dixhital të proceseve.

Shkup - Çmimet me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 nga sonte në mesnatë ulen për një denar për litër, të EURODIZELIT (D-E V) për një denar e gjysmë dhe të vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1), për dy denarë për litër. Çmimi me pakicë i Mazutit M-1 NS, ulet për 0,716 denarë për kilogram, informoi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime ujore dhe Shërbime për Menaxhim të mbeturinave komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE).

Shkup - Tani e shoh se atje ka konkurrencë se kush do të jetë më i fortë dhe më i ashpër për të pështyrë mua dhe Qeverinë nga pretendentët dhe kryetarit i sapozgjedhur i LSDM-së. Është folklori i tyre, i brendshëm. Nuk do ta komentoja, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me qëndrimin e Venko Filipçes se marrëveshja e vendit me Hungarinë për 500 milionë euro është një lloj peng politik.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, sot realizoi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vend Metju Lonson. Siç informoi MASH, në takim u potencua bashkëpunimi i suksesshëm mes dy vendeve, si dhe mbështetjen e dhënë nga qeveria britanike në procesin e avancimit të sistemit arsimor kombëtar.

Shkup - Temperatura e ujit në Liqenin e Dojranit është 32 gradë celsius, në atë të Prespës 29, ndërsa në Liqenin e Ohrit  26,5 gradë, informoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Sinoptikanët paralajmërojnë se në ditët në vazhdim moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me temperaturë maksimale ditore e cila kudo do të jetë mbi 30 gradë, ndërsa në disa vende tejkalon 40 gradë, për çka deri në fund të javës së punës do të aktivizohet niveli portokalli për rrezik nga temperaturat e larta. 

Shkup - Nga 5 deri më 11 korrik janë evidentuar gjithsej 48 raste të reja me kollë të mirë, që është rritje prej 54,8 për qind krahasuar me periudhën e kaluar shtatëditore. Nga rastet e reja, tetë janë hospitalizuar. Deri më 11 korrik, në vend janë regjistruar gjithsej 905 raste me kollë të mirë, thuhet në raportin më të ri, që e ka publikuar sot Instituti për Shëndet Publik.

Shkup - Komunikacioni në rrugën rajonale Negotinë - Shtip, në fshatin Pepelishtë nga ora 16:15 është në ndërprerje për të gjitha llojet e veturave, në dy drejtime, njoftoi LAMM. Rruga është e mbyllur për shkak të sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacion, ndërsa shkak është zjarri aktiv. 

Shkup - Në Qendrën për menaxhim me kriza sot u mbajt seanca e Komitetit drejtues për koordinim të sistemit për menaxhim me kriza, me të cilën kryesoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ndërsa morën pjesë ministrat e Mbrojtjes, Vlado Misajlovski dhe i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe udhëheqësi i Grupit për vlerësimin e rreziqeve, Stojançe Angelov, kumtoi MPB-ja.

Shkup - Ministria e shëndetësisë hapi një linjë telefonike direkte për qytetarët për të komunikuar me ministrin Taravari. "Të gjithë qytetarët kanë mundësi të ndajnë propozimet e tyre për kujdesin shëndetësor, të raportojnë parregullsi, të lavdërojnë punën e punëtorëve shëndetësorë dhe të propozojnë ide për reforma në numrin e telefonit - 072/899 001", theksohet në kumtesën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë.

Tetovë - Nga sot, në vend se nga ora 7 deri në orën 23, parkimi në zona në Tetovë në 30 ditët e ardhshme do të paguhet vetëm deri në orën 21, ka vendosur komuna dhe ndërrmarrja publike "Gradski parking". Ulja e kohës për pagesë është në shenjë respekti për mërgimtarët, thuhet në elaborimin e komunës.

Dibër - Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Denion Meidani, sot ishte për vizitë në Dibër, ku fillimisht kishte takim me kryetarit Hekuran Duka dhe bashkëpunëtorët e tij.
 Pas takimit, Duka u shpreh i kënaqur për, siç tha, takimin e përzemërt dhe vëllazëror me ambasadorin, për të cilin kjo është vizita e tij e parë në këtë qytet, pas mbërritjes së fundit në Ambasadën në Shkup.

Ohër - Kryeministri Hristian Mickoski, i shoqëruar nga ministrat e Transportit dhe Sportit, Aleksanda Nikolloski dhe Borko Ristovski dhe kryetarin e Komunës Ohër, Kiril Pecakov sot në fshatin Leskovec vendosën gurthemelin për ndërtimin e sallës sportive në kuadër të shkollës fillore "Vanço Nikoleski". Objekti do të jetë në sipërfaqe prej 592 metra katrorë, me sallë sportive, toalete dhe zhveshtore. Investim që kushton 30 milionë denarë.

Prishtinë - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Xhefri Hovenier, tha se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është "i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë", informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.  Në konferencën e sotme për media gjatë qëndrimit në Gjakovë, Hovenier theksoi se nuk është fshehtësi se qeveria amerikane, bashkë me partnerë të tjerë, kanë shqetësim të caktuar për disa nga vendimet politike të Qeverisë së Albin Kurtit. 

Tiranë - Këshilli i BE-së publikoi se ka miratuar ndarjen e 13 milionë eurove për forcat e armatosura të Shqipërisë. Mjetet janë nga buxheti i ndarë për mbështetje të paqes, nga i cili sigurohet ndihmë për armatimin e Ukrainës, raportojnë mediat e Shqipërisë. Në kumtesë thuhet se shuma që i është ndarë Tiranës zyrtare do të përdoret për blerjen e transportuesve të blinduar.

Athinë - Kjo javë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë: thatësirë, valë e të nxehtit deri 42 gradë dhe erë e fuqishme veriore deri shtatë Boforë, të cilët përbëjnë një përzierje të rrezikshme për paraqitje, por veçanërisht për përhapjen dramatike, madje edhe zjarr më të vogël, deklaroi sot ministri i krizës klimatike dhe mbrojtjes civile të Greqisë, Vasilis Kikilas, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Bruksel - Në Bruksel sot u mbajt ceremoni në përkujtim të viktimave nga kriza globale klimatike, në të cilën morën pjesë eurokomisari për menaxhim me kriza Janez Lenarçiç dhe përfaqësues të Qeverisë belge. Në fjalimin në ceremoninë Lenarçiç theksoi se sot BE-ja për të dytën herë e shënon Ditën e përkujtimit të viktimave nga kriza globale klimatike, me të cilën nderohen të vdekurit në vërshimet e mëdha që në ditën e sotme para tre vjetëve i goditën Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Holandën, si dhe të gjitha viktimat e fatkeqësive natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi sot se Rusia duhet të ketë përfaqësues në samitin e dytë për Ukrainën me qëllim që të sigurohet paqe e qëndrueshme me Kremlinin, pas më shumë se dy vitesh luftë. "Besoj se përfaqësuesit rusë do të marrin pjesë në samitin e dytë", tha Zelenski në konferencën për shtyp në Kiev, ku e ekspozoi punën përgatitore për samitin e ardhshëm. 

Kiev - Autoritetet ukrainase sot njoftuan se kufitarët kanë vrarë një dezertor, i cili ka tentuar të arratiset nga Ukraina në Moldavi. "Me 14 korrik katër ushtarë janë arratisur nga njësia e tyre me qëllim që të tentojnë të kalojnë kufirin me Moldavinë në këmbë", thuhet në kumtesën e Byrosë shtetërore për hetime.

Najrobi - Policia keniane sot arrestoi një "vrasës serik" i cili e pranoi se ka vrarë 42 gra, pasi në një deponi në Najrobi ishin gjetur nëntë trupa të gjymtuar.  Kolins Xhumaisi Halusha (33) është arrestuar pasi e "pranoi se ka mashtruar dhe vrarë 42 gra", ndërsa pastaj i kishte hedhur trupat e tyre në një deponi", deklaroi një përfaqësues i policisë në konferencë për media. 

Orlando - Ish presidenti amerikan Donald Tramp sot ka bërë thirrje që të hiqen të gjitha proceset gjyqësore kundër tij, pasi një gjykatës i Floridës ke hequr rastin kundër tij për gjoja veprim të keq me dokumente sekrete. "Kjo heqje...në Floridë duhet të jetë vetëm hapi i parë, i ndjekur me heqje të TË GJITHA gjuetive të shtrigave", tha Tramp në platformën e tj në "Truth Social".

Talahasi - Gjykata në Floridë sot ka hodhur poshtë veprën penale kundër ish-presidentit amerikan Donald Tramp, në të cilën ai akuzohej për ruajtjen e paligjshme të dokumenteve të besueshme në resortin Mar-a-Lago. Gjykatësja Ajlin Kenon e ka marrë vendimin pas një seance dëgjimore, në të cilën ekipi i avokatëve të ish presidentit i ka bërë thirrje që të hiqen akuzat e ngritura nga prokurori i posaçëm, Xhek Smith.

Uashington - Shërbimi sekret amerikan sot kumtoi se do të marrë pjesë në hetimet që i paralajmëroi presidenti Xhozef Bajden dhe anëtarët e Kongresit, pasi agjentët e tij nuk arritën të pengojnë një person të armatosur të qëllojë dhe plagos ish presidentin Donald Tramp në një tubim në Pensilvani të shtunën.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden formalisht do të nominohet nga kolegët e tij demokratë për mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë në votim virtual, të caktuar për fund të këtij muaji para Konventës kombëtare demokratike edhe krahas thirrjeve që të tërhiqet. Këtë e publikuan mediumet amerikane, duke iu referuar burimeve në parti.

QËNDRONI TË LIDHUR