• e mërkurë, 04 dhjetor 2024
MIA FLESH

18:00 / 3 dhjetor / 2024

Shkup - Me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, nxënësit e shkollave fillore nga Tetova dhe Gostivari morën pjesë në punëtorinë kreative “Të krijojmë së bashku”, të organizuar nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës. Në hapje të këtij aktiviteti, prodekania për shkencë e kësaj njësie akademike, Doc. Dr. Teuta Rasimi - Ramadani tha se çdo vit Fakulteti Pedagogjik e ka shënuar këtë ditë në forma të veçanta. “Jam shumë e lumtur që ideja e formës së organizimit doli nga vetë edukatoret speciale të shkollave inkluzive të Tetovës dhe Gostivarit, ish-studentet e UT-së: Pranvera Iseni nga shkolla fillore “Faik Konica”- Dobrosht, Blerta Adili nga shkolla fillore “Luigj Gurakuqi” - Zhelinë, Edita Ameti nga shkolla fillore “Bashkimi” - Gostivar, Adile Abdi nga shkolla fillore “Naim Frashëri” - Tetovë dhe Sabiha Musi nga shkolla fillore “Asdreni” - Gllogjë. Kjo dëshmon për një bashkëpunimin të shkëlqyer që ushqejmë me studentët e diplomuar, andaj shprehim falënderimet tona për to dhe për mësueset që përgatitën bashkëmoshatarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët do të realizojnë një punëtori së bashku me fëmijët me nevoja të veçanta”, u shpreh Doc. Dr. Teuta Rasimi – Ramadani.

Shkup – Grupi parlamentar i Frontit Evropian, në bazë të nenit 205 paragrafi 2 dhe nenit 75 paragrafi 3 nga Rregullorja e Kuvendit, sot parashtroi kërkesë që në seancën e ardhshme në rend dite të vendoset informacioni për situatën e sigurisë në vend. Ata sot parashtruan edhe interpelanca për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq dhe për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni.  Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti tha sot në një konferencë për media se janë duke kërkuar informacione për gjendjen e sigurisë në vend në periudhën e fundit, informacione të detajuara kronologjike për ngjarjet në Kumanovë, veçanërisht për djegien e objekteve afariste në këtë qytet dhe sulmet ndaj pronave të qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare, masat dhe hetimet e kryera për ndriçimin e rasteve, duke marrë parasysh ndikimin e tyre të mundshëm në marrëdhëniet ndëretnike, në lidhje me ngjarjet në të cilat janë bërë djegie flamujsh, si dhe informacione për qasjen selektive në drejtim të përpunimit të pjesëmarrësve në të njëjtat ngjarje dhe të gjitha detajet në lidhje me masat e reagimit institucional dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme të ngjashme. Deputetët e Frontit Evropian kërkojnë edhe përgjigje për protokolle në rastet e veprimeve selektive të zyrtarëve të MPB-së, si dhe për mekanizmat e paraparë për mbikëqyrjen e punës së shërbimeve të sigurisë, veçanërisht në situata të tillatë ndjeshme, përgjegjësi për masat e marra dhe jo të marra.

Shkup - Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut sot përmes një njoftimi me letër informon se prokuroi publik i shtetit, Lupço Kocevski me seriozitet të jashtëzakonshëm merr apelet e pushtetit ekzekutiv dhe nga publiku në përgjithësi për të rritur aktivitetin e të gjitha organeve të hetimit, veçanërisht të PP-së në luftën kundër korrupsionit. "Nga këto arsye, në kuadër të kompetencave të tij të cilët janë nga karakteri organizativ dhe nuk ndërhyjnë në veprimet e prokurorëve publikë, prokurori publik republikan është duke ndërmarrë hapa për një riorganizim serioz të forcave të Prokurorisë Publike i cili mundëson ndjekje penale më efikase të autorëve të krimeve, veçanërisht në fushën e krimit financiar dhe korrupsion", thuhet në komunikatë. 

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe delegacioni parlamentar i përbërë nga Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlean, me ftesë të të cilit vizita zyrtare në Stokholm po zhvillohet më 2 dhe 3 dhjetor 2024, njoftojnë nga Kuvendi. Kryetari Gashi dhe deputetët u pritën para Parlamentit Suedez nga kryeparlamentari Norlean me nderimet më të larta shtetërore dhe garda, pasuar nga prezantimi i shkurtër i historikut dhe punës së Riksdagut dhe takimi me kryetarin e Parlamentit dhe anëtarët e Komisioneve për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Riksdagut.

Shkup – Prokurori publik republikan, Lupço Kocevski, në bazë të të dhënave për situatën e konstatuar nga mbikëqyrja e kryer në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, ka dorëzuar propozim për nisjen e procedurës disiplinore kundër shefit të Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi dhe një prokurori publik. Nga Prokuroria Publike informojnë se prokurori publik i Maqedonisë së Veriut i ka shqyrtuar procesverbalin dhe raportin përfundimtar nga mbikëqyrja e kryer në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, si dhe shënimet zyrtare të bashkangjitura, dhe në bazë të të dhënave për situatën e konstatuar ka vendosur që në Komisionin për përcaktimin e përgjegjësie disiplinore të prokurorëve publikë të dorëzojë propozim për ngritjen e procedurës disiplinore kundër prokurorit publik nga Prokuroria e Lartë Publike Shkup për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme në katër lëndë në të cilat ka hequr dorë nga ankesa ose akuza.

Shkup - Të gjendet një zgjidhje sistematike për problemin e kahershëm në mësimin e gjuhës së shenjave për nxënësit e shurdhër ose me dëgjim të dëmtuar në të vetmen shkollë të mesme në vend për shkollimin e tyre "Partenij Zografski" në Shkup, thekson Avokati i Popullit i cili sot ka dorëzuar rekomandime në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Më e rëndësishme nga kjo është se për punësim në shkollë duhet të jetë e detyrueshme njohja e gjuhës së shenjave në nivel solid e cila do të mundësojë ligjërata të kapshme për nxënësit.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur procedurë ndaj një 20 vjeçari, i cili dje ka tentuar të djegë flamurin shqiptar. Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepër penale - Shkaktim të urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës në baza kombëtare, racore, fetare dhe bazë tjetër diskriminuese nga neni 319 paragrafi 1 të Kodit Penal. "I dyshuari më datë 2 dhjetor të vitit 2024, në orët e mbrëmjes, ka tentuar të djegë flamurin kombëtar shqiptar, pas çka është vërejtur dhe është penguar nga punonjësit e policisë, të cilët e kanë ndaluar. Prokurori kompetent publik i ka dorëzuar gjyqtarit në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit", kumtoi Prokuroria shtetërore.

Shkup - Si Qeveri nuk e shohim objektivitetin e kërkesës për takim liderësh dërguar përmes mediave. Por le të dërgojnë kërkesën siç duhet dhe do të mendojmë dhe do të vendosim, tha sot zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. "Kjo Qeveri nuk punon për dëshirat e politikanëve, por ekskluzivisht për interesat e qytetarëve. Është mjaft e çuditshme pse kjo kërkesë për takim liderësh po vjen përmes mediave, shpresojmë ta dinë se si dërgohet kërkesë zyrtare për takim liderësh. Le të dërgojnë, pastaj do të mendojmë dhe do të vendosim", ka thënë Miteva në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Gostivar – UÇK-ja nuk mund të fshihet si histori, ndërsa ne themeluesit e saj edhe po të duam ta fshijmë, nuk do ta arrijmë këtë, deklaroi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për deklaratën e ministres Vesna Janevska për krahasimin e komitëve dhe UÇK-së të cilën e dha pas ngjarjeve me festimin e flamurit shqiptar në institucionet arsimore. “Babai im ka rënë dëshmor. Nuk mund të fshihet historia. Ministrja duhej të ishte më e matur në këtë drejtim, ngase në pjesën e dytë të paraqitjes saj e përmendi se sa nëna në dyja anët janë të djegura nga rasti i luftës në vitin 2001, por megjithatë do ta lej në nivelin e saj”, tha Limani.

Gostivar - Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, vijojnë kontrollet për të përcaktuar nëse ka pasur abuzime me ofrimin e shërbimit “kujdesi i huaj”. Këtë e tha ministri, Fatmir Limani gjatë vizitës së tij në Gostivar, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse planifikohet rritja e ndihmës së garantuar minimale, duke qenë se kostot janë në rritje. "Do të duhet t'i hapim sytë nga dy të dymbëdhjetat tek ato që shpenzojnë fonde, të tilla si ato që janë ofrues shërbimesh të personit të tretë. Numri rritet me çdo cikël zgjedhor me të paktën një mijë. Kështu është shembulli me Tetovën. Tre vitet e fundit, nëse numri ishte pesë mijë, tani është shtatë mijë e pesëqind shfrytëzues. Për "kujdes të huaj" në Shkup, nga 9.000 kemi 13.700, përafërsisht 14.000 shfrytëzues, e kjo vetëm gjatë ciklit zgjedhor", tha Limani. 

Gostivar - Me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta - 3 Dhjetori, kryetari i Komunës së Gostivarit shtroi drekën tradicionale për personat me nevoja të veçanta. Limani poashtu u ndahu mirënjohje për angazhimin çiftit amerikan David dhe Kristi Skidmore. Në një ngjarje tjetër, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani bashkë ministrin për Punë Sociale Demografi dhe të Rinj, Fatmir Limani ishin te Qendra për Autizëm "Blue Puzzle, nga ku u informuan për punën dhe shërbimet që i ofrojnë.

Manastir - Zëvendëskryeministri për Politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai vizitoi sot qëndroi për vizitë në Manastir, ku mori pjesë në Karvanin Antikorrupsion të organizuar nga programi “Qytetarët Kundër Korrupsionit,” i financuar nga USAID dhe zbatuar nga QMBN. "Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e miratimit të ligjeve dhe proces administrativ, por kërkon një transformim kulturor që përfshin të gjitha nivelet e shoqërisë. Suksesi në këtë betejë kërkon forcimin e institucioneve, edukimin e qytetarëve, mbrojtjen e denoncuesve dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërkombëtar", tha Fetai në fjalimin e tij.

Bruksel/Kiev - Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha sot i dërgoi porosi të ashpër NATO-s, duke theksuar se Kievi nuk do të pranojë kurrfarë garanca tjera të sigurisë përveç anëtarësimit të plotë në Aleancë. Në letrën e dërguar deri te kolegët e tij në NATO, Sibiha tha se "anëtarësimi i plotë i Ukrainës në Aleancë është garanca e vetme e duhur për sigurinë e Kievit, si dhe mjet për përgjigje ndaj pushtimit të mëtejshëm rus ndaj këtij vendi dhe vendeve tjera, njoftoi Politiko.

Bruksel - Kryeministri Hristijan Mickoski i cili sot qëndron në Bruksel, ku sonte do të marrë pjesë në një darkë joformale pune, që për liderët e vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor e organizon kryetari i ri i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, pasdite realizoi takim me eurokomesaren e re evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Siç publikoi kryeministri Mickoski në Fejsbuk, në takim u bisedua për "interesat strategjike të Maqedonisë në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe gatishmërinë e shtetit për të pasur sukses në rrugën drejt Bashkimit Evropian".

Bruksel - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot në margjinat e takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, ka realizuar takim me kolegen e tij sllovene, Tanja Fajon. Siç njoftoi Ministria sllovene e Punëve të Jashtme në "Iks", tema kryesore e takimit do të jetë perspektiva evropiane e vendit.

Bruksel – Ukraina kërkoi nga NATO dërgesë të edhe 20 sistemeve për mbrojtje kundërajrore për shkak të mbrojtjes më të mirë nga sulmet ajrore ruse, deklaroi sot ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha, informon DPA. “Sistemi energjetik ukrainas duhet të jetë më mirë i mbrojtur këtë dimër”, tha Sibiha në takimin e shefave të diplomacive të NATO-s në Bruksel. “Ukraina kërkon furnizim urgjent me edhe 20 sisteme për mbrojtje kundërajrore, si ‘Hawk’, NASAMS dhe Iris-T, që të shmang errësirën”, tha Sibiha. 

Bruksel - Mënyra më e mirë për të penguar çdo agresion është të sigurohet një Aleancë më e fortë, më e madhe dhe më e vendosur, porositi sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken para fillimit të takimit dyditorë të shefave të diplomacisë së NATO-s në Bruksel, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. "Shkaku se pse aq shumë vende investojnë në Aleancë, shkaku që anëtaret e rinjë, si Suedia dhe Finlanda i janë bashkangjitur Aleancës dhe shkaku pse Aleanca është më e fortë se kurrë më parë është se të gjithë e dimë mirë se ajo është garancia më e mirë kundër luftës dhe mënyra më e mirë për ta ndërprerë konfliktin dhe ta garantojmë sigurinë tonë kolektive", deklaroi Blinken i cili ishte i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot deklaroi se Izraeli është i përkushtuar në marrëveshjen për armëpushim me Hezbollahun, por paralajmëroi se kjo nuk do të thotë se lufta ka përfunduar. Duke folur në fillim të seancës së Qeverisë në qytetin tejkufitar verior Naharia, Netanjahu tha se "Hezbollahu seriozisht e ka shkelur marrëvehsjen e së hënës dhe se Izraeli prej atëherë ka sulmuar më shumë se 20 objektiva mbarë Libanin, si hakmarrje".

Kinshasa - Një sëmundje e panjohur ka marrë jetën e 143 personave në jugperëndim të Republikës Demokratike të Kongos në nëntor, deklaruan autoritetet lokale për mediat britanike. "Të infektuarit kishin simptoma të ngjashme me gripin, duke përfshirë temperaturë të lartë dhe dhimbje koke të rëndë", thanë zëvendësguvernatori i provincës Kvangxhu, Rami Saki, dhe ministri i Shëndetësisë dhe Apolliner Jumba. Ekipi mjekësor është dërguar në zonën e prekur për të mbledhur mostra dhe për të kryer analiza për ta identifikuar sëmundjen.

Luanda - Presidenti amerikan Xho Bajden e ka shfrytëzuar vizitën në Angolë që sot t'i promovojë investimet e Uashingtonit në këtë vend afrikan, njoftuan mediumet amerikane. "SHBA-ja tërësisht është e përkushtuar ndaj Afrikës", i tha Bajdeni presidentit të Angolës, Zhoao Lorenco, i cili e quajti vizitën e Bajdenit kyçe në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Angolës. Vizita ka për qëllim t'i kundërshtohet ndikimit të Kinës në kontinentin afrikan përmes demonstrimit të përkushtimit të SHBA-së për sigurimin e tre miliardë dollarë për mbindërtimin e korridorit hekurudhor Lobito, që i lidh Zambinë, Kongon dhe Angolën.

Uashington - Aeroplanët dhe resurset nën kontrollin e drejtpërdrejtë të presidentit rus Vlladimir Putin janë shfrytëzuar në programin për përjashtimin e fëmijëve nga territoret e okupuara të Ukrainës, sipas një raporti nga Shkolla e shëndetit publik pranë Universitetit Jelj e publikuar sot. Sipas hulumtimit të mbështetur nga Departamenti i Shtetit, janë identifikuar gjithsej 314 fëmijë ukrainas të cilët u dërguan në Rusi në muajt e parë të luftës në Ukrainë si pjesë e një programi sistematik të financuar nga Kremlini me qëllim për t'i "rusifikuar" ata.

Seul – Deputetët në Korenë e Jugut votuan kundër dekretit për gjendje lufte të cilin e paralajmëroi presidenti Jun Suk Joll, informon Si-En-En. Njëqind e nëntëdhjetë deputetë nga gjithsej 300 në Parlament votuan për anulimin e masës. Ende nuk dihet se çfarë efekti do të ketë votimi ndaj shpalljes së gjendjes së luftës. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, presidenti është i detyruar të respektojë rezultatet e votimit. 

Seul - Presidenti i Koresë së Jugut, Jun Suk-jeol sot ka shpallur gjendje të luftës, me qëllim për t'u zhdukur "forcat prokoreanoveriore" dhe të mbahet rendi kushtetues. Koreja e Veriut muajin e kaluar i ka ndërprerë përçuesit elektrikë, të instaluar nga Koreja e Jugut për furnizimin e energjisë elektrike të parkut të mbyllur të përbashkët industrial dhe hodhi në erë disa pjesë të rrugëve që e lidhin me Korenë e Jugut, në veri të linjës demarkuese ushtarake.

QËNDRONI TË LIDHUR