18:00/2 dhjetor/2024
Shkup - Këmbëngulja jonë nuk është për një zgjidhje specifike, por për debilateralizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne, thotë ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Orhan Murtezani. "Ne e dinim tashmë se korniza e negociatave nuk mund të ndryshohet. E njëjta gjë është përsëritur disa herë në të gjitha takimet e nivelit të lartë në Bruksel dhe më gjerë. Insistimi jonë nuk është për një zgjidhje konkrete, por për debilaterizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne. Ato zgjidhje çka nënkuptojnë saktësisht, cilat janë teknikat, formulimet etj, mbetet për t'u zgjidhur përmes një procesi negocimi. Por, qëndrimi ynë është që të mbrohemi nga bllokada të mëtejshme", tha Murtezani, i pyetur se cila është taktika apo plani i Qeverisë pas mesazheve nga Brukseli se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar janë një skenar i paimagjinueshëm, siç është edhe ndryshimi i kornizës negociuese për vendin.
Shkup – Këshilli Gjyqësor sot në mbledhje urgjente e konstatoi dorëheqjen e parevokueshme të kryetares së Këshillit, Vesna Damevska, e cila sot paradite në një paraqitje publike njoftoi se për shkak se hasi në vesh të shurdhër te pushteti për sigurimin e drejtësisë së shpejtë dhe efikase, si dhe përpjekjet për shkeljen e integritetit të saj nga ana e funksionarëve të lartë qeveritarë, jep dorëheqje të parevokueshme nga funksioni. Në rendin e ditës së propozuar ishte edhe pika për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, por pas propozimit të anëtarit të Këshillit, Isamedin Limani, njëzëri ishte hequr nga rendi i ditës. Sipas Limanit, Këshilli duhet të zgjedhë kryetar kur do të jetë në përbërje të plotë, gjegjësisht pas zgjedhjeve të dy anëtarëve të rinj që duhet të bëhet më 11 dhjetor.
Shkup – Nga Qeveria vlerësojnë se dorëheqja e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva është vendimi i vetëm i mundshëm dhe i drejtë pas vërejtjeve të mëdha për punën e saj. “E kuptojmë se nga vendimi i tillë do të ketë shumë të prekur dhe të shqetësuar për shkak të punës së saj të dyshimtë, dyshimet e mëdha për krim, si dhe falsifikim të procesverbaleve, por drejtësia duhet të fillojë të funksionojë”, qëndron në përgjigjen e Qeverisë.
Shkup - Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve mediatik, Shoqata e Gazetarëve dhe RESIS organizuan sot panel diskutimi ku u theksua nevoja për një ligj të ri për media i cili do të jetë plotësisht i harmonizuar me legjislacionin evropian. Këto ditë po përpilohen ndryshimet në Ligjin për media të cilat i referohen kryesisht mediave onlajn dhe për të cilat derisa ishte në RENR, mediat, organizatat dhe ASHMAA kanë dërguar vërejtje. Kryetari i SPGPM, Pavle Bellovski deklaroi se Sindikata dhe SHGM-ja propozojnë zgjidhje të re ligjore sepse të gjitha ndryshimet nuk mund të përfshihen në atë ekzistues dhe se nevojitet një ligj i ri për media.
Shkup - Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) ende po vepron pas denoncimeve lidhur me lëndën për emërimin e drejtorit të Agjencisë për siguri kombëtare. Në seancën e sotme, anëtarët e KSHPK-së potencuan se po vijojnë afatet ligjore për grumbullimin e dokumentacionit. "Lidhur me rastin për të cilin po pyesni, janë dorëzuar disa denoncime deri të KSHPK-ja. Nga ana e KSHPK-së janë parashtruar kërkesa për grumbullimin e dokumentacionit të nevojshëm për konfirmimin e gjendjes faktike, për çka ende po vijojnë afatet ligjore për dorëzimin e të njëjtit. Pas konfirmimit të gjendjes faktike, do të merret vendim në seancë publike të KSHPK-së", thanë nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit në pyetje të gazetarëve.
Shkup - Debati për ndryshimet kushtetuese me zbatim të prolonguar do të jetë mjaft i vështirë. Është e vështirë për mua të imagjinoj një skenar në të cilin KE-ja do të pajtohet për një gjë të tillë, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për politika evropiane nga Shkupi para panelit të organizuar sot së bashku me Ministrinë e Çështjeve Evropiane. "Vizita e parë e (eurokomisares për zgjerim, Marta Kos) së bashku me kryetarin e Këshillit dhe përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme ishte në Kiev. Fokusi padyshim do të jetë aty, por nëse dëgjojmë me vëmendje mesazhet nga Brukseli është e qartë se ka një dinamikë në raport me Malin e Zi dhe Shqipërinë, çfarë thonë datat 26, 27 gjegjësisht 27, 28 për këto vende. Për ne është e qartë se nuk jemi temë kryesore e bisedës. Mendoj se diskutimi për zbatimin e prolonguar do të jetë mjaft i vështirë. Është e vështirë për mua të shoh një skenar në të cilin KE-ja do të pajtohet me një gjë të tillë", thotë Kacarska, duke komentuar mesazhet e fundit të eurokomisionerës së re Kos e cila dje e filloi mandatin e saj.
Shkup - Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Resmi Ejupi, kishte paraqitje në hapjen e Forumit Bujqësor për ndryshimet klimatike, i cili u mbajt sot në Shkup. “Ndryshimet klimatike ndikojnë dukshëm në sektorin e bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, sepse sektor është shumë i varur nga kushtet atmosferike dhe klimatike. Në anën tjetër, sektori i bujqësisë është një sektor që emeton gazra serrë, andaj duke zbatuar politika dhe masa të duhura, kontribojmë në arritjen e qëllimeve deri në vitin 2030 dhe 2050”, ka theksuar Ejupi, duke konfirmuar angazhimet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor për partneritete, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash me një qëllim të vetëm - sigurimin e një shoqërie më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Shkup – Ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Orhan Murtezani i dënoi ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë dhe vlerësoi se ka mundësi që ato të jenë shkaktuar me qëllim që të krijohet destabilizim, ndërsa policia duhet, thotë, t’i hetojë dhe zgjidhë. “Mendoj se për këtë duhet të flasin organet e rendit dhe qetësisë, gjegjësisht policia. Ngjarje të tilla gjithsesi se nuk ndihmojnë, se ndoshta janë dizajnuar me qëllim që të krijojnë incidente, tensione, destabilizime për të cilat ne flasim tashmë një periudhë të gjatë. Gjithsesi se edhe unë i dënoj dhe duhet t’i dënojë çdo qytetar i këtij vendi, sepse ngjarjet e tilla nuk na çojnë përpara”, thotë Murtezani i pyetur në cilësinë e përfaqësuesit të koalicionit VLEN i cili është pjesë e Qeverisë, për koment për ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë.
Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme dhe Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor janë institucione që janë shembull pozitiv i një marrëdhënieje partneriteti që jep rezultate reale si rritja e sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacion. Kjo ishte konkluduar në takimin e sotëm të punës mes ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski me udhëheqësinë e KRSKRR dhe me kryetarin e sapoemëruar Goran Angellovski. Siç informoi MPB, bashkëbiseduasit diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të vazhdueshëm të dy institucioneve bazuar në qëllimin kryesor – përmirësimin e sigurisë në komunikacion.
Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se dërgimi i inspektoratit në shkollën "7 Marsi" në Çellopek të Tetovës është procedurë ligjore dhe pret që inspektorët të punojnë sipas ligjit. Kumtoi se përveç kësaj shkolle, ku nxënësit ishin veshur me uniforma ushtarake me emblemë të UÇK-së dhe me armë në duar, MASH ka dëshmi dhe fotografi me raporte për ngjarje të tilla në dy shkolla në Tetovë dhe në shkollat në Çair dhe Strugë dhe se do të ketë inspektim edhe për ato raste. "Në shkollën në Çellopek ka shkuar inspektorati i arsimit. Përveç kësaj kemi pasur denoncime për një shkollë në Çair, dy shkolla në Tetovë dhe një shkollë në Strugë. Në të gjitha ato shkolla për të cilat kemi dëshmi me fotografi dhe raporte se ka ndodhur një ngjarje e tillë e pakëndshme, Inspektorati arsimor është në terren dhe presim që kur të kthehen të japin informacionin fillestar. Për të përgatitur procesverbal do duhet një kohë më e gjatë", deklaroi Janevska për mediat gjatë vizitës së sotme në Shtip.
Shkup - Reformat funksionojnë vetëm kur të lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve. Ato duhet të krijojnë institucione në të cilat njerëzit kanë besim, ekonomi që gjenerojnë mundësi dhe shoqëri që janë inkluzive dhe të drejta, porositi ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Orhan Murtezani, në panel diskutimin e sotëm të titulluar “Bashkëpunim i përforcuar në procesin e integrimit në BE përmes Agjendës Reformuese“.
Kumanovë - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni sot ka qëndruar për vizitë pune në SPB Kumanovë dhe prej aty porositi se policia nuk do të lejojë cënimin e sigurisë së asnjë qytetari. "Gjatë vizitës u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në territorin e Kumanovës, përfshirë ngjarjet me flamurin dhe djegien e mbrëmshme të tri veturave dhe një objekti. Është konstatuar se gjendja e sigurisë është stabile dhe këto raste të izoluara një pjesë janë zbardhur plotësisht dhe për një pjesë po punohet për zbardhjen e tyre dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë autorëve", thuhet në kumtesë.
Tetovë – Nesër do të dihet se çfarë masa do të ndërmerren për SHF “ Marsi” në Çellopek të Tetovës, ku nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit sot bënë mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke kërkuar përgjegjësi për organizimin e manifestimit shkollor në të cilin morën pjesë nxënës të veshur me uniforma ushtarake me emblema të UÇK-së dhe me pushkë në dorë. Kjo ngjarje ka ndodhur më 28 nëntor kur shqiptarët e shënuan Ditën e Flamurit, ndërsa Inspektorati sot kreu mbikëqyrje të jashtëzakonshme në shkollën fillore “7 Marsi”. “Ende nuk është përpiluar procesverbali, besoj se më së voni deri nesër do të jetë gati dhe do të veprohet sipas ligjit. Do të ketë masa, por presim të përfundojë mbikëqyrja”, deklaroi për MIA-n drejtori i Inspektoratit, Shaban Allajbegu.
Shtip - Regresi i pushimit vjetor apo ndryshe i njohur si K-15 për të punësuarit në institucionet arsimore do të realizohet gjatë këtij muaji, informoi sot nga Shtipi, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. "Që do të thotë se deri më 31 dhjetor do të përfundojë pagesa e K-15", ka thënë Janevska. E pyetur nëse do të ketë ndryshim në datat e pushimit dimëror për nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme, Janevska ka qenë e prerë se nuk do të ketë ndryshim, gjegjësisht nxënësit me pushime fillojnë më 1 janar, kurse mbarojnë më 18 janar me çka nxënësit dhe profesorët me mësimin fillojnë nga data 20 janar, ditën e hënë.
Bruksel - Bashkimi Evropian sot shprehu shqetësimin për civilët sirianë dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund luftimeve në Siri. "Me kujdes po i ndjekim këto zhvillime dhe jemi pafundësisht të shqetësuar për sigurinë dhe egzistencën e civilëve. U bëjmë thirrje të gjitha grupeve të armatosura që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare në të gjitha rrethanat", theksoi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme, Anuar El Anuni. Brukseli është i shqetësuar se luftimet në Siri mund të shkaktojnë një valë të re refugjatësh, disa prej të cilëve të arrijnë edhe në BE.
Kiev - Kancelari gjerman Ollaf Sholc pas takimit të sotëm në Kiev me nikoqirin e tij, presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski, edhe një herë e theksoi "përkrahjen e padyshuar" të Gjermnaisë për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, njoftoi DPA. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me Zelenskin, kancelari gjerman tha se nuk do të ketë ndërprerje në përkrahjen dhe se Ukraina mund të mbështetet në Gjermaninë.
Kiev - Ukrainës i nevojiten më shumë sisteme për mbrojtje kundërajrore që të mbrohen objektet e rëndësishme nga sulmet raketore ruse, deklaroi sot presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski. "Mendojmë si të mbrojmë rreth njëzet objekte speciale, thjeshtë nuk ka sisteme të mjaftueshme për mbrojtje kundërajrore, nga sulmet e shumta raketore", tha Zelenski në konferencë për shtyp, që e ka mbajtur me kancelarin gjerman, Olaf Sholc në Kiev.
Bejrut - Të paktën gjashtë civilë e kanë humbur jetën kur kryengritës sirianë granatuan një lagje në qytetin Hama. Kjo është hera e parë që fraksione kryengritëse t'i bombardojnë lagjet e qytetit Hama dhe me këtë rast të vrasin gjashtë civilë dhe të lëndojnë tjerë në lagjen Al Baat, kumtoi Observatori sirian për të drejtat e njeriut. Paraprakisht, forcat e armatës qeveritare siriane publikuan kumtesë, ku thonë se kanë vrarë 400 luftëtarë kryengritës.
Tel Aviv – Armata izraelite sulmoi disa caqe në Liban, me çka u vranë dy persona. Ushtria izraelite sot njoftoi se sulmet ishin përgjigje e shkeljes së armëpushimit nga ana e Hezbollahut. Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se një person është vrarë në zonën jugore Marxhajun. Sipas burimeve libaneze të sigurisë, ai ishte vrarë gjatë sulmit ajror kur ishte goditur një motoçikletë. Forcat shtetërore libaneze të sigurisë njoftuan se një nga anëtarët e tyre është vrarë në një sulm me dron në Nabatie, në jug të Bejrutit. Sulmi ishte “përshkallëzim i rrezikshëm dhe shkelje flagrante e sovranitetit libanez”, njoftuan forcat e sigurisë.