• e mërkurë, 28 janar 2026
MIA Flesh

15:00/ 27 janar/ 2026

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski thotë se Qeveria do ta thotë qëndrimin e vet lidhur me zgjedhjen e prokurorit të ri publik republikan pasi që për atë të deklarohet Këshilli i prokurorëve publikë. "Tani procedura është të deklarohet Prokuroria publike, përkatësisht Këshilli i prokurorëve publikë, të presim ata të deklarohen, e më pas Qeveria do të dalë me qëndrimin e vet", tha Mickoski në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve pas kontrollit të projekteve infrastrukturore në komunën Gazi Babë. Pesë kandidatë janë paraqitur në konkursin e Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që skadoi mbrëmë në mesnatë, por që të mbyllet lista, lihet hapësirë prej 2-3 ditësh për paraqitje të mundshme që janë dërguar me kohë përmes postës, ndërkaq akoma nuk kanë arritur.

Shkup - Komisioni kuvendor për Mbrojtje dhe Siguri sot e shqyrton informacionin për nevojën e ndarjes së amendamentit numër 2 të marrëveshgjes për mbështetje teknike (Amendment 2 to TA 0206-23 050774402). Amendamenti ka të bëjë me marrëveshjen për furnizim të 42 automjeteve të lehta blinduese të rrotave STRYKER MK‑B‑UCE, të lidhur mes qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, duke shpjeguar informacionin, theksoi se ky është një ndryshim teknik. Ai theksoi se 17 automjete janë tashmë në portin e Greqisë dhe nevojitet një marrëveshje teknike që të miratohet sipas kërkesës së SHBA-së si një ndryshim për instalimin e të gjitha pajisjeve që mbërrijnë.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski pret të tejkalohet problemi i transportuesve të vendit, të cilët prej dje, së bashku me transportuesit nga Ballkani Perëndimor, i kanë bllokuar vendkalimet kufitare duke kërkuar të ndryshohet rregulla e BE-së për evidentimin elektronik për qëndrim në zonën e shengenit në pajtim me rregullën 90/180 ditë. Ai sot deklaroi se kjo çështje është e hapur që nga shtatori me Komisionin evropian dhe se i angazhuar për bisedime është ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, njejtë siç është biseduar deri më tani me KE-në edhe për projekte të tjera që janë në interes të qytetarëve.

Shkup – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot ju bëri thirrje të gjithë atyre të cilët nuk janë të kënaqur me pagën të marrin pjesë në protestën e nesërme të organizuar kundër mosrritjes së pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera për 100 euro.  Argumente ka shumë, justifikime nuk ka, 200 mijë njerëz jetojnë me pagë nën 30.000 denarë, deklaroi sot kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.  “Nuk keni nevojë të keni frikë nga askush, sepse nuk i keni borxh askujt asgjë. Familjeve tuaja u keni borxh vetëm një jetë të mirë. Ju bëj thirrje të gjithëve juve - sindikalistëve, punëtorëve dhe pensionistëve që merrni pension nga kontributet e punëtorëve - të na bashkoheni sepse vetëm në janar jeni më të varfër me një mijë denarë. Të tjerët na numërojnë dhe mendojnë se nëse nuk vini, po u jepni mbështetje të madhe që të mos ju rrisin pagën sepse mendojnë se jetoni mirë dhe se flisni vetëm për gjëra të bukura”, tha Trendafillov në konferencë për media.

Shkup - Çdokush ka të drejtë të protestojë - tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për koment lidhur me protestën që nesër pasdite do ta organizojë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Ai theksoi se paga minimale ligjërisht rritet në mars. "Në pajtim me ligjin, paga minimale do të rritet në mars, gjegjësisht pagat që do t'i marrin punëtorët në prill për marsin do të jenë të rritura. Ne kemi thënë se do ta mbështesim çdo zgjidhje që sindikata qo ta arrijnë me punëdhënësit në dialog dypartiak", tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së punës në Gazi Babë.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski sot paralajmëroi se pothuajse 300 kompani do të mbështeten me grante në vlerë prej 25 milionë euro për transformim të gjelbër. Por, theksoi, ai tranzicion i gjelbër duhet të bëhet hap pas hapi në mënyrë që mos t'u shkaktohet dëmindustrisë dhe shtetit. "Po, punojmë, praktikisht me agjencinë 'Inova', për mundësimin dhe sigurimin e granteve për kompanitë, posaçërisht në pjesën e transformimit energjetik. Edhe në  Davos pata një paraqitje mjaft interesante. Po, për transformimin energjetik, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Sepse nuk jam i sigurt, ndërsa për atë u dakorduan edhe një numër i madh i pjesëmarrësve në ato panele, se me atë transformim energjetik ne në afat të gjatë mund të gjenerojmë energji bazike, që i nevojitet industrisë për nevojat e vetë industrisë", tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me atë nëse do të sigurohen grante për adaptim të kompanive drejt transformimit të gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Shkup - Shoqata e Transportuesve të Autobusëve "Istok" thekson se mënyra e re e regjistrimit në zonën Shengen e vështirëson punën e tyre të përditshme dhe mirëmbajtjen e rregullt të linjave të përditshme ndërkombëtare të transportit të udhëtarëve. Ajo kërkon një zgjidhje të drejtë dhe të zbatueshme nga institucionet evropiane që do të marrë parasysh natyrën specifike të transportit profesional të udhëtarëve dhe mallrave. Sipas kryetarit të Shoqatës "Istok", Goran Trpkovski, ata janë të gatshëm të mbajnë një protestë të përbashkët me transportuesit e kamionëve nëse nuk merret një vendim i favorshëm, i cili do të sigurojë funksionimin e qetë të transportit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e ekonomisë.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pjesëmarrjen në Forumin në Davos e vlerësoi si të suksesshëm duke njoftuar se së shpejti do të ketë rezultate në drejtim të realizimit të projekteve dhe investimeve konkrete. Ai beson se në të ardhmen në përbërje të delegacionit të Maqedonisë duhet të ketë edhe përfaqësues nga sektori i biznesit, sepse, sipas tij, Forumi është një mundësi e madhe për bashkëpunim biznezi. "Mund të them historikisht i suksesshëm sepse si kryetar i Qeverisë isha pjesëmarrës në tre panele me njerëz nga maja e biznesit botëror, në përgjithësi, kompani multinacionale, vlera e të cilave shpesh herë matet edhe në trilionë. Bota  në vitet e ardhshme do të përcaktojë prioritetet e saj. Prioritete janë inteligjenca artificiale dhe çdo shoqëri që nuk e njeh atë, do të jetë e dënuar me dështim", tha Mickoski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas mbikëqyrjes në projektet infrastrukturore në Gazi Babë.

Shkup - Zyrtarët policorë arrestuan një 38-vjeçar nga fshati Tatomir i Kratovës, pasi ai drejtoi automjetin me një nivel alkooli në gjak prej 3.19 promil dhe doli nga rruga. "Mbrëmë në orën 23:07 në Kratovë, nëpunës policorë nga NJPB Kratovë e privuan nga liria S.S. (38) nga fshati Tatomir, rrethina e Kratovës. Më parë, në orën 22:45 në rrugën rajonale f. Tatomir - Kratovë, në f. Turalevë, S.S. duke drejtuar automjetin ka dalë nga rruga, dhe pas verifikimeve të kryera u konstatua se ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht iu matën 3.19 promilë alkool në gjak", njoftuan nga MPB-ja.

Shkup - Nëpunës policorë nga SPB Kumanovë dje e kanë privuar nga liria M.S. (28) nga Kumanova. Nga MPB-ja njoftojnë se i njëjti kërkohej me urdhërrrest qendror bazuar në urdhrin e gjykatës për vuajtje të dënimit me burg prej tre vjet e katër muaj për vepra të kryer penale "vjedhje e rëndë" sipas nenit 236 të Kodit Penal. Nga atje theksojnë se personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues Korrektues Idrizovë për vuajtjen e dënimit.

Shkup - Ekipet e policisë kanë zbatuar aksion, me të cilin është ndërprerë transporti i marihuanës, konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme për MIA-n. Aksionin e kanë zbatuar nëpunës policorë nga Reparti për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë SPB dhe Njësitit antiterrorist special "Tigrat". Nga MBP-ja njoftuan më shumë detaje për aksionin gjatë ditës

Shkup- Të mërkurën nga fundi i ditës dhe të enjten do të ketë sërish reshje lokale shiu, ndërsa në male borë, njoftoi DPHM. Të premten dhe të dielën do të mbizotërojë mot kryesisht i vranët me kushte për reshje të dobëta lokale të shiut dhe borës, ndërsa të shtunën dhe të hënën do të jetë kryesisht me vranësira.

Prishtinë - Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar rreth 140 kilogramë mjet shpërthyes në një shtëpi të braktisur në fshatin Jaglenicë, në zonën e Zubin Potokut. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për mediat tha se mjeti shpërthyes është zbuluar gjatë një patrullimi rutinë, pasi njësitë policore kanë pranuar informacione se në atë lokacion mund të kishte materiale ilegale. “Ato 140 kilogramë, të cilat pas matjes kanë rezultuar në atë sasi, kanë qenë të vendosura në një shtëpi të braktisur. Gjatë patrullimit rutinë, njësitë e Policisë së rendit kanë pranuar informacion se në atë vend mund të ketë diçka ilegale, kanë hyrë dhe kanë gjetur këtë sasi të madhe të mjetit shpërthyes”, tha Elshani.

Bruksel - Ish kryetari i Komisionit Evropian (KE) dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i kancelarit gjerman Helmit Kol, politikani nga Luksemburgu, Zhan Klod Junker (71) i paralajmëroi udhëheqësit e Bashkimit Evropian se do të jenë humbës nëse dorëzohen para presidentit amerikan Donald Tramp. "Mund të bëni gjithçka, por nëse ushqeheni nga dora e Trampit, do të jeni humbës. Në vend të kësaj, duhet t'i qaseni me kokën lart dhe nën kushte të barabarta", paralajmëroi Junker (71), publikon gazeta gjermane "Bild".

Berlin - Partnerët në NATO janë në rrugë të mirë për t'i bashkuar forcat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në misionin e propozuar në Arktik, deklaroi sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. "Bisedimet në nivel ushtarak në kuadër të NATO-s, sa kam njohuri, shkojnë mirë", tha Pistorius në Berlin duke cekur me atë rast se nuk mund të flasë me siguri për epilogun sepse negociatat ende janë në rrjedhë. Qeveria gjermane në fillim të muajit i hodhi poshtë pretendimet amerikane ndaj Grenlandës, e cila është territor autonom i Danimarkës, por kancelari Fridrih merc dhe minsitri i Mbrojtjes, Boris Pistorius theksuan se dëshirojnë, së bashku me SHBA-në, ta sigurojnë rajonin arktik nga kërcënimi rus.

Bruksel - Komisioni Evropian sot paralajmëroi pako-përkrahje prej 171 milionë eurove për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për përmirësimin e sistemit për transmetin të energjisë elektrike dhe për ndërtimin e objekteve efikase energjetike arsimore në vend. Pakoja e re për përkrahje, siç kumtoi KE-ja, përfshin investime nga burime të ndryshme të BE-së për financimin e projekteve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, të orientuara ndaj përforcimit të rritjes së qëndrueshme dhe lidhjes rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Paris - Pop ylli britanik me prejardhje shqiptare, Dua Lipa e tërhoqi vëmendjen e opinionit gjatë paraqitjes në shfaqjen e Shanelit në kuadër të Javës së modës në Paris, duke u paraqitur në komplet të verdhë me print mbresëlënës. Ajo kishte të veshur palltë dhe fund deri në gjunj, ngjyrë të verdhë intensive, zbukuruar me motive abstrakte në ngjyrë të kuqe dhe të zezë të cilat i ngjasonin dizajnit leopard. Prerja ishte  frymën e elegancës së njohur të shfaqjes, me linja të qarta të definuara dhe femërore. Kombinimi ishte i plotësuar me një çantë të vogël në krah, me dizajn të njejtë, me çka ishte arritur tërësia vizuale. Sandalet minimaliste në kombinim ngjyrash të zezë dhe të bardhë dhe grimi natyral në tone neutrale e rrumbullakësuan pamjen.

Kanberrë - Vala e të nxehtit që e goditi pjesën juglindore të Australisë shkaktoi zjarre në male për ç'shkak qindra njerëz janë evakuuar. Temperatura në kryeqytetin e shtetit federal Viktoria, Melburn u ngrit në 45 gradë Celsius. Në pjesën veriperëndimroe të Viktorisë është matur temperaturë rekorde prej 48,9 gradë Celsius. Në shtetin Viktoria për momentin aktivë janë gjashtë zjarre të mëdha malore, tre prej të cilave janë jashtë kontrollit. Zjarri më së shpejti po përhapet në rajonin Otvajs, ku u dogjën rreth 10.000 hektarë sipërfaqe dhe u shkatërruan së paku tre objekte. Shuarja e zjarrit është vështirësuar për shkak të erës së fuqishme.

Uashington – Të paktën 30 persona humbën jetën në stuhinë e madhe dimërore e cila i kaploi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej të cilëve shtatë persona humbën jetën në një aksident ajror të dielën në mbrëmje. Njëkohësisht, miliona amerikanë po përballen me pasojat e stuhive arktike, për shkak të të cilave mëngjesin e sotëm mbi 530.000 amvisëri mbetën pa energji elektrike.  Pritet që temperaturat të ulen edhe më shumë në ditët në vijim nën ndikimin e vorbullit polar – masës ajrore e cila zakonisht qarkullon mbi Polin Verior, por u përhap drejt jugut, veçanërisht në pjesët veriore të vendit, ku temperatura e mund të arrijë edhe deri minus 45 gradë Celsius. Reshjet e rrëmbyeshme të borës, me mbi 30 centimetra borë në rreth 20 shtete federale, shkaktuan ndërprerje masive në furnizimin me energji elektrike. 

Napoli - Trajneri i Napolit, Antonio Konte i ka shprehur pritjet e tij për ndeshjen e ardhshme të xhiros së 8-të në Ligën e kampionëve kundër Çellsit. "Do të jetë një ndeshje emocionuese kundër një klubi, të cilin pata privilegjin ta trajnoj. E di se çfarë klubi janë ata, çfarë lojtarë kanë dhe cili është mentaliteti i tyre. I qasemi kësaj ndeshje me vendosmëri dhe respekt ndaj kundërshtarëve tanë. Askush prej nesh nuk mendon të largohet nga Liga e kampionëve ose të mos vazhdojë në këtë garë. I kemi luajtur të gjitha tetë xhirot deri në minutën e fundit. Dëshirojmë të vazhdojmë", tha Konte për "Skaj sport Italia". Napoli gjendet në vendin e 25-të në tabelë me tetë pikë.

QËNDRONI TË LIDHUR