18:00/ 26 janar/ 2026
Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali sot realizoi takim me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj. Siç informuan nga kabineti i Sali, gjatë takimit në Qeveri u diskutua për bashkëpunimin dypalësh në disa fusha me interes të përbashkët, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë si anëtare e NATO-s dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global, veçanërisht në aspektin e sigurisë. Në takim u diskutua edhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve turke në vend, të cilat pritet të konkretizohen në periudhat e ardhshme.
Shkup- Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim pune me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Fatih Ulusoj, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral, me fokus të veçantë në fushën e mjedisit. Në takim, siç informuan nga MMJPH, Hoxha ka shprehur mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe afatgjatë që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi i saj, duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve në realizimin e iniciativave dhe projekteve të përbashkëta.
Shkup - Në seancën e sotme gjyqësore në burgun "Idrizovë" për rastin me zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan, para gjykatës dëshmuan të persona të lënduar dhe të dëmtuar. Në deklaratat e tyre, ata përshkruan atmosferën e panikut dhe kaosit që u krijuan në momentin kur flaka dhe tymi përfshinë diskotekën e mbushur plotë, si dhe pasojat që vazhdojnë t'i vuajnë ende. Gjykimi ndodhet në procedurë dëshmuese, ndërsa në seancën e ardhshme të caktuar më 2 shkurt parashikohet të merren dëshmitë e përfaqësuesve ligjorë të të dëmtuarve, me propozim të Prokurorisë Publike.
Shkup– Të gjitha palët e përfshira duhet të qasen me arsyeshmëri për një zgjidhje për rritjen e pagës minimale, e cila për shumën prej 200 euro që kërkohet mund të realizohet vetëm me subvencionim nga shteti. Përndryshe, kjo do të rezultonte me punë minimale ose me humbje, thonë nga Sindikata e transportuesve privatë të autobusëve të qytetit të Shkupit.
Shkup- Ky paralajmërim vjen me kohë dhe vlerësoj se shkurti dhe marsi duhet maksimalisht të shfrytëzohen dhe vendet anëtare të zonës Shengen të gjejnë zgjidhje, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, i cili në vendkalimin Bllacë u dha përkrahje të plotë transportuesve, të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor filluan bllokada shtatëditore, duke kërkuar zgjidhje për evidencën elektronike për qëndrim në shengen-zonë në pajtim me rregullin 90/180 ditë nga prilli i këtij viti.
Shkup – Ekonomia dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të mbahen peng. I mbështesim transportuesit në protestat të cilat i organizojnë sepse jemi të prekur edhe si ekonomi edhe si qytetarë për shkak të zbatimit të padinjitoz edhe atë si reforma e rëndësishme e sigurisë në Bashkimin Evropian, deklaroi sot për MIA-n, Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë së Veriut. Boshkov thekson se reforma në sistemin për evidencë BE-ja ka mundur ta zbatojë shumë më lehtë përmes ambasadave në vendet anëtare.
Shkup – Qyteti i Shkupit filloi me procedurën e pagesës së detyruar të tatimit të papaguar të pronës për vitin 2021, për shkak të asaj që numër i madh i tatimpaguesve edhe krahas thirrjes publike nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre, njoftuan nga qytetit. Nga Qyteti përkujtojnë se thirrje publike për shlyerjen e borxheve të mbetura në bazë të tatimit të pronës, tatimit të qarkullimit, trashëgimisë dhe dhuratave, si dhe tatim komunal ishte publikuar më 9 dhjetor të vitit 2025. Sipas të dhënave deri më 23 janar të vitit 2026, gjithsej 830 tatimpagues i paguan detyrimet e mbetura në vlerë prej 20.107.103 denarë.
Strugë - Transportuesit nga Maqedonia e Veriut sot në mesditë e bllokuan komunikacionin për automjete të rënda ngarkuese për dalje nga vendi në vendkalimin kufitar "Qafë Thanë". Mitko Kërstanovski, pronar i një kompanie transportuese për MIA-n informoi se protesta për shkak të futjes së sistemit të ri për hyrje dhe dalje (EES) nga Bashkimi Evropian, po zhvillohet qetë, në mënyrë të organizuar dhe sipas marrëveshjes. "Deri tani janë parkuar 35 kamionë, deri në fund të ditës presim rritje të numrit. Do të qëndrojmë këtu deri në përmbushjen e kërkesave tona nga Brukseli", thotë Kërstanovski.
Tetovë - Nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë të parët do të marrin kartela për transport publik falas me autobusë të ndërmarrjeve komunale. Me këtë gradualisht fillon zbatimi i vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës të seancës së shtatë më 30 dhjetor 2025 për futjen e transportit falas me autobusë urban. "Transport të tillë do të ketë edhe për shoqatatdhe institucione që do të nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim me komunën e Tetovës", informuan nga NP "Tetova Transport" - Tetovë. Tani, nxënësit e shkollave fillore duhet të marrin personalisht kartelën e tyre të transportit publik falas, të shoqëruar nga një prind/kujdestar, duke treguar një dokument identifikimi (pasaportë ose certifikatë lindjeje).
Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Izrael, u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, me të cilin i vlerësuan si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral. Pas takimit, Netanjahu, në konferencën e përbashkët për shtyp, vlerësoi rolin e madh që pati Shqipëria dhe mikpritjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Ai theksoi se bota duhet ta dijë se Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që e bëri një gjë të tillë, duke shtuar se një frymë e tillë vazhdon të ekzistojë edhe sot në vendin shqiptar.
Paris - Muzeu Luvër sot ishte i mbyllur për të katërtën herë me radhë nga fillimi i grevës të një pjese të personelit, i cili kërkoi kushte më të mira pune nga mesi i dhjetorit, kumtoi muzeu parisien. Muzeu më i vizituar në botë mbajti disa raunde të negociatave me Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë e muzeut, por zgjidhja nuk është afër, njofton "Figaro". Në Kuvendin e përgjithshëm, të paktën 300 të punësuar në mëngjes votuan për vazhdimin e grevës, e cila filloi më 15 dhjetor që të bëhet e dije për mungesën e personelit dhe dallimet në pagat në krahasim me të punësuarit tjerë në Ministrinë e Kulturës, njoftuan sindikatata CGT dhe CFDT.
Kiev – Bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për Ukrainën përfshijnë çështje me rëndësi, por çështjet e ndërlikuara politike mbeten të pazgjidhura, deklaroi sot presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski, duke paralajmëruar se se shpejti do të ketë më shumë bisedime. "Ky ishte formati i parë i një dialogu trepalësh për t'i dhënë fund luftës pas një kohe të gjatë. Takimet mbuluan një numër çështjesh të rëndësishme, kryesisht ushtarake, të nevojshme për t'i dhënë fund luftës. U analizuan qëndrimet kryesore të të gjitha palëve. Unë vendosa kornizën për punë të mëtejshme diplomatike", shkroi Zelenski në X. Presidenti ukrainas konfirmoi se janë diskutuar çështje të ndërlikuara politike të cilat ende mbeten të pazgjidhura.
Tel Aviv – Armata izraelite i mori eshtrat e pengut të fundit të mbetur izraelit të cilin Hamasi e mbante në Rripin e Gazës, me çka është përmbushur kushti kyç për fillimin e fazës së dytë të planit të presidentit amerikan Donald Tramp për përfundimin e luftës në atë enklavë palestineze. Eshtrat e pengut Ran Gvili u identifikuan dhe u kthyen për tu varrosur, njoftoi ushtria izraelite. Izraeli dje u pajtua për hapje të kufizuar të vendkalimit kufitar Rafah drejt Egjiptit, vetëm për kalim të njerëzve, nën mbikëqyrje të plotë të mekanizmave izraelite për ndjekje, me çka si kusht për atë ishte theksuar kthimi i trupit të Gvilit.
Tokio - Të paktën 16 persona e kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 100 janë lënduar në të reshurat e mëdha të borës, që e kanë paralizuar Japoninë, njoftuan autoritetet lokale. Numri më i madh i viktimave janë regjistruar në prefekturën Niigata - 11, si dhe prefekturën Agita - katër. Krahas kësaj, pothuaj 120 persona janë lënduar në këto prefektura në pjesën veriore të ishullit Honshu. Paraprakisht, mijëra njerëz e kaluan natën në aeroportin "Shin Çitose" në qytetin Saporo, në pjesën veriore të ishullit Hokaido, për shkak të anulimit të fluturimeve, si pasojë të motit të keq.
Dallas - Të paktën 18 persona në disa shtete federale kanë humbur jetën nga vala e ftohtë që ka përfshirë SHBA-në, njoftuan sot medat amerikane. Në qytetin Frisko, Teksas, jo shumë larg Dallasit, një vajzë 16 vjeçare ka ndërruar jetë përderisa rrëshqiste me sajë, kumtoi policia lokale, duke theksuar se vajzën në sajë e tërhiqte një adoleshent që po voziste një sajë me motor, transmeton Ej-Bi-Si. Në kumtesën theksohet se vajza me sajë fillimisht ka goditur trotuarin, e më pas edhe një pemë. Në zonën Ostin, një viktimë nga hipotermia u gjet e vdekur në parkingun e një pompe të braktisur të benzinës, kumtuan autoritetet lokale.