• e mërkurë, 05 mars 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 5 mars/ 2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitave në terren në komunat “Aty ku zemra është në shtëpi” në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, sot do të marrë pjesë në fillimin e realizimit të projekteve në Komunën e Ilindenit. "Projektet parashikojnë ndërtimin e rrugës 19 në PU për fshatin Ilinden, Marion dhe pjesën nga KK Kadino blloku 32, ndërtimin e rrugës 500 dhe një urë me pllakë betoni të armuar mbi kanalin afër qendrës memoriale në vendbanimin Jakë, vendbanimin Marino, si dhe ndërtimin e një pjesë nga rruga e sapoprojektuar në Jaka", informojnë nga Qeveria. Gjatë vizitës në komunën e Ilindenit, Mickoski do të shoqërohet nga ministri i vetëqeverisjes lokale Zlatko Perinski dhe zëvendësi i tij Erxhan Selimi.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska sot do të vizitojë Institutin e Qendrës së përbashkët kërkimore të Komisionit Evropian në Ispra të Italisë. Vizita, siç informoi Ministria e Arsimit, synon thellimin e bashkëpunimit me Qendrën e Përbashkët Kërkimore, përmes së cilës Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të marrë mbështetje shtesë për zbatimin e Strategjisë së Specializimit Smart, në formën e ekspertizës,shkëmbimit të praktikave pozitive, metodologjive dhe qasjeve shkencore për përforcimin e sistemit kombëtar të kërkimit dhe inovacionit.

Shkup – Policia e arrestoi 19-vjeçarin A.A. për shkak të një aksidenti në komunikacion në autostradën Tetovë – Gostivar në të cilin dje pasdite humbi jetën një grua 81-vjeçare nga Ohri. Në orën 15:50 dje në SPB Tetovë është raportuar se në autostradën Tetovë – Gostivar ka ndodhur një aksident në komunikacion ndërmjet një veture “Pezho” me targa të Ohrit, e drejtuar nga G.B. (47) nga Ohri dhe një veture “Mercedes” me targa nga Republika e Sllovenisë, i drejtuar nga A.A. (19) nga fshati Gradec. Në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë D.M. (81) nga Ohri, bashkudhëtare në veturën “Pezho”, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës mjekësore urgjente Gostivar.  Lëndime të rënda trupore kanë marrë V.V. (47) dhe S.V. (69) nga Ohri, bashkudhëtarë në veturën “Pezho”, të cilët me veturë të Ndihmës mjekësore urgjente janë dërguar në Qendrën Urgjente Gostivar për ofrimin e ndihmës mjekësore. 

Shkup - Operatori kombëtar i tregut të energjisë elektrike MEMO SHPKNJP Shkup, me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, sot organizon debat publik për rregullat për administrimin e garancive për origjinën e energjisë elektrike (Guarantees of origin, GOs). Debatin publik, siç u paralajmërua, do ta hap ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në prani të përfaqësuesve të aktorëve përkatës në sektorin e energjisë, kompanive private dhe përfaqësuesve të odave ekonomike. Është parashikuar edhe fjalim i Zoran Gjorgjievskit, menaxher i MEMO SHPKNJP Shkup.

Strugë – Në dy seanca të ndara në Gjykatën Themelore në Strugë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor kundër kryetarit të komunës Ramiz Merko për blerjen e automobilit “Audi A6” për nevojat e Komunës së Strugës dhe për vendosjen e pllakës në hyrje të ndërtesës komunale.  Seanca për blerjen e makinës luksoze ka nisur për shkak të ndryshimit të gjykatësit që në seancën e kaluar ka kërkuar kohë për shqyrtimin e shkresave të lëndës. Ai proces gjyqësor ka filluar në prill të vitit të kaluar dhe Merko akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak të blerjes së katër automjeteve në vlerë totale rreth 114.000 euro, në mesin e të cilave një veturë luksoze “Audi A6”, duke dëmtuar buxhetin e Komunës në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe në kundërshtim me interesin publik në kushtet kur Komuna kishte borxhe të papaguara dhe llogari bankare të bllokuar. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar – neni 353, parashikohet dënim me burg nga një deri në katër vjet. Gjykimi për pllakën e vendosur në hyrje të ndërtesës së komunës duhet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve. Si kryetar i Komunës së Strugës, Merko në mars të vitit të kaluar ka ngritur një memorial me të cilin sipas aktakuzës ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike në mesin e banorëve të Strugës, me çka ka kryer veprën penale të përcaktuar në nenin 27 të Ligjit për Monumentet Memoriale. Me kërkesë të prokurorisë i është marrë pasaporta dhe i kërkohet të paraqitet në gjykatë një herë në javë.

Shkup - Sot, nesër dhe të premten, në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit do të ketë regjim të posaçëm të komunikacionit për shkak të vizitës së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq. "SPB Shkupi njofton qytetarët e Shkupit se nga data 5 deri më 7 mars (e mërkurë, e enjte dhe e premte) për shkak të vizitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, Njësia për siguri në komunikacionin rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit në rrugët në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit", informojnë nga MPB-ja.

Shkup – Pa furnizim me energji elektrike sot prej orës 5:00 deri në orën 15:00 do të jenë një pjesë e shfrytëzuesve të rrugës “Kërste Asenov” dhe një pjesë e bulevardit “Hristian Todorovski – Karposh” në Komunën Çair.  Në periudhën prej orës 8:00 deri në orën 13:00 pa rrymë do të jenë një pjesë e shfrytëzuesve të rrugës “Vostaniçka”, në afërsi dhe nga ana e marketit “Reptil” në Komunën Kisella Vodë.  Pa rrymë prej orës 8:00 deri në orën 14:00 do të jenë shfrytëzuesit e rrugës “3” në fshatin Nigishtan, Komuna Gjorçe Petrov, ndërsa prej orës 8:15 deri në orën 14:00 një pjesë e shfrytëzuesve të fshatit Kondovë, komuna Saraj.  Prej orës 8:40 deri në orën 15:00 pa rrymë do të jenë shfrytëzuesit e rrugëve “100” dhe “101” në Vollkovë, te qarkorja, prej orës 11:00 deri në orën 13:00 shfrytëzuesit nga Milladinovci, ndërsa prej orës 12:00 deri në orën 14:30 një pjesë e shfrytëzuesve të Vizbegut, te Marmarisi. 

Shkup – Moti sot – mëngjesi i kthjellët dhe më i ftohtë, gjatë ditës mot me diell dhe relativisht i ngrohtë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -5 deri 3, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 14 deri 19 gradë. Në Shkup, në mëngjes ftohtë, ndërsa gjatë ditës relativisht ngrohtë me erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të bie deri -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 18 gradë. 

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp shprehu mbështetje për përpjekjet e presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, pas takimit të mëparshëm të tensionuar në Zyrën Ovale. Në fjalimin e tij të parë para dy dhomave të Kongresit Amerikan pas kthimit në detyrë, Tramp theksoi se ka marrë letër nga Zelenski, në të cilën lideri ukrainas e ka konfirmuar gatishmërinë e Kievit për negociata paqësore, raporton DPA. "E vlerësoj që ma ka dërguar këtë letër", deklaroi Tramp, duke i pranuar përpjekjet e Zelenskit për pajtim. 

Pekin - Kina sot do t'i publikojë qëllimet e saj politike dhe ekonomike për vitin 2025 në fillim të seancës vjetore të Kongresit kombëtar popullor në Pekin. Kryeministri Li Çiang do ta lexojë raportin qeveritar në Sallën e madhe të popullit, i cili tradicionalisht i përfshin qëllimet për rritjen ekonomike, buxhetin ushtarak të Republikës Popullore të Kinës dhe qëndrimet për Tajvanin, të cilin Kina e konsideron territor të vetin, edhe pse ishulli menaxhohet në mënyrë të pavarur. Këtë vit seanca e Parlamentit me përfaqësuesit, të cilët nuk janë zgjedhur në zgjedhje, e ku marrin pjesë rreth 3.000 delegatë, do të zgjat shtatë ditë.

Madrid - Në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e kampionëve, kampioni aktual evropian, Reali i Madridit fitoi me rezultatin 2:1 në "Santiago Bernabeu" kundër Atletiko Madridit dhe me epërsi e pret ndeshjen kthyese në "Vanda Metropolitano". Golin e parë e shënoi në minutën e 4-të Rodrigo, ndërsa Alvarez në minutën e 32-të shënoi një gol të bukur për barazim dhe me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.   Në pjesën e dytë, në minutën e 55-të, Brahim Diaz e tregoi klasin e tij dhe e shënoi golin e fitores. Futbollistët e Arsenalit si dukek i kanë zgjidhur të gjitha dilemat se kush do të kualifikohet në çerekfinale, pasi si mysafir e deklasuan me rezultatin 7:1 PSV Ajndhovenin në ndeshjen e parë të Ligës së kampionëve.

QËNDRONI TË LIDHUR